TIRANE - Komuna e Parisit", një nga lagjet me të mëdha dhe më të populluara të kryeqytetit ndodhet në gjendje të mjeruar. Nga kryqëzimi i stadiumit "Selman Stërmasi" dhe deri në fund të rrugës "Medar Shtylla", çdo cep i rrugës është i shkatërruar. Sipas një vëzhgimi të bërë nga gazeta "IDEA",nga kryqëzimi i stadiumit "Selman Stërmasi" deri në dalje të "Unazës së Madhe", kjo rrugë është e shkatërruar dhe me trafik të rënduar çdo ditë. Kjo për shkak të lidhjes që kryhet në pjesën e përfunduar të "Unazës së Madhe" të Tiranës, vazhdimi i se cilës deri të shkolla "Teknologjike" ende nuk ka filluar. Përgjatë gjithë rrugës "Komuna e Parisit", has në rrugë me gropa dhe baltë.

Banorët dhe drejtuesit e automjeteve që kalojnë çdo ditë në këtë segment rrugor shprehen të shqetësuar për gjendjen e kësaj rruge. "Këtu ngecesh për minuta të tëra në trafik, ngaqë rruga është e dëmtuar dhe e gjitha me gropa, makinat janë të detyruara të ecin ngadalë. Kjo gjë sjell trafik dhe stres sidomos për ne që kalojmë çdo ditë në këtë rrugë", shprehet drejtuesi i një automjeti. Por ajo që i shqetëson më tepër drejtuesit e automjeteve që përshkojnë këtë rrugë është fakti se makinat e tyre dëmtohen shumë. "Shikoni sa janë gropat na u bë makina copë, duhet ta çojmë çdo muaj në servis. Kjo rrugë duhet të rregullohet urgjentisht jo vetëm për ne, por edhe për banorët e kësaj lagje".

Ndërsa banorët e "Komunës së Parisit" ankohen se rruga është shumë e ngushtë dhe kanë shumë vështirësi në kalimin e saj, "Rruga është shumë e ngushtë, të kalojmë ne apo të kalojnë makinat. Varg janë makinat këtu ditë natë" - thotë një banore.

"Nuk dimë çfarë do bëhet më këtë rrugë në dimër na mbyt balta në verë pluhuri. Shpresoj të rregullohet sa më shpejt së ne që jetojmë këtu e kemi shumë të vështirë" ankohen një tjetër banore. Si banorët dhe pronarët e bizneseve, të cilët e kanë vendosur biznesin e tyre anës rrugës kërkojnë që kjo rrugë të rregullohet sa më shpejt sepse sipas tyre ata po jetojnë në fshat në mes të kryeqytetit. Lagjia "Komuna e Parisit", është një nga lagjet më të reja dhe më të populluara kohët e fundit. Kjo lagj ka marrë zhvillim më shumë pas viteve '90. Ku ajo që të bie me shumë në sy janë vila dhe pallatët luksoze të kësaj lagjeje.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 29 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)