Një forcë ushtarake shqiptare që udhëtonte tranzit në territorin grek drejt Rumanisë mbeti e bllokuar për disa orë, nga protestues të Partisë Komuniste greke, në aksin që lidh Kozanin me Verian, në Greqinë veriore.

Dy autobusë me ushtarë dhe 20 makina shoqëruese të tyre, që po udhëtojnë në kuadër të një stërvitjeje të NATO-s, të quajtur Noble Jump, janë bllokuar dhe nuk lejohen të kalojnë drejt kufirit në drejtim të Bullgarisë dhe më tej për në Rumani. 

Lëvizja e forcave ushtarake ishte paralajmëruar më parë dhe ka vijuar normalisht gjatë ditëve të fundit, ku sipas njoftimeve kanë kaluar nëpër territorin grek forca ushtarake nga pothuaj gjithë vendet perëndimore, anëtare të NATO-s, përveç shqiptarëve, për të cilët protestuesit kërkuan të kthehen mbrapsht. 

Ka qenë ndërhyrja e policisë greke që ka bërë të mundur lirimin e rrugës dhe më pas karvani i automjeteve dhe ushtarakëve shqiptarë ka vijuar rrugën për në Rumani. 

FA: Ushtarët po lëvizin drejt destinacionit final
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë njofton se efektivët të cilët janë nisur drejt Rumanisë për të marrë pjesë në stërvitjen e NATO-s, "Noble Jump", po lëvizin drejt destinacionit final.

"I gjithë efektivi gëzon shëndet të plotë dhe është i shoqëruar nën masa sigurie nga autoritetet ushtarake dhe civile greke", thuhet në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura .
greqi
(Autokolona e ushtarëve shqiptarë e bllokuar në kufirin me Rumaninë)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com