Tiranë, 23 Shtator /ATSH/-Një ditë para festës së Kurban-Bajramit, nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka dërguar masazhin e urimit për të gjithë besimtarët myslimanë.
"Nesër është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit, festës së sakrificës dhe përkushtimit, t'ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj", theksohet në mesazhin e tij.
Sipas Komunitetit Mysliman, në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.
"Ky është edhe qëllimi i lartë shoqëror që mbart në vetvete feja Islame, një shoqëri e lumtur, ku çdo zemër të mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi'.
Më tej në mesazhin e urimit për festën e Kurban- Bajramit thuhet se "sa njerëz ka sot, që janë të zhytur në varfëri të thellë, e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë Prandaj, le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe të ndiejmë atë që ndiejnë nevojtarët". z.t/ /a.g/