Koncensioni 500 milionë euro i pasaportave dhe pasuritë e Flamur Nokës me para që nuk u dihet burimi

Koncensioni 500 milionë euro i pasaportave dhe pasuritë e Flamur Nokës me para që nuk u dihet burimi

Flamur Noka

Më 21 korrik 2008, Ministria e Brendshme, degë e qeverisë Berisha, firmosi kontratën koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin Sagem Securite dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, një organizatë jofitimprurëse, e cila do të menaxhojë edhe Parkun e Butrinit.

Kompania Aleat, e cila do të zbatonte koncensionin, u themelua gati një muaj më vonë, në 18 gusht 2008, që do të thotë se kur është firmosur kontrata, Sagem Securite nuk ekzistonte në Shqipëri. Kjo praktikë denoncohet sot si shkelje nga opozita në rastin e inceneratorëve!

Pronarët fundorë të koncensionit që u ka kushtuar shqiptarëve mbi 500 milionë euro janë francezi JEAN-ALAIN JOUAN dhe dy shqiptarët Aleksandër Sarapuli e Martin Mata.

Deri në fund të vitit 2021, “Aleat Sh.p.k” ka rezultuar me një fitim neto në total prej 120 milionë euro.

Për sa i takon xhiros vjetore përgjatë këtyre viteve, shifra fiksohet në vlerën e 50 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro, ndërkohë që 2.2 miliardë lekë ose 18.8 milionë euro janë paguar si tatim mbi fitimin.

Por këtu nuk llogaritet fitimi dhe xhiroja e kompanisë për periudhën 2022 dhe janar-korrik 2023, kur edhe përfundoi kontrata.

Kompania ka dalë me humbje vetëm vitin e parë, pra në 2008, kur nuk kishte filluar ende të shiste pasaporta.

Nga verifikimi i xhiros dhe shpenzimeve, fitmet e kompanisë arrijnë 34 % të të ardhurave. Kushtet dhe ndryshimet në kontratë i kanë sjellë kompanisë një normë kthimi në masën 356% të kapitalit të investuar.

Asnjë kompani nuk angazhohet në një shërbim për të humbur. Koncensionet nuk janë shpikur nga klasa politike e Tiranës, por problemi qëndron tek kushtet e kontrave dhe manipulimi me zbatimin e kontratave nga koncensionarët, në dëm të interesit publik, në bashkëpunim me funksinarë publikë.

Hije korrupsioni, në sfond Flamur Noka

Kontrata e firmosur më 21 korrik 2008 kishte afat pesëvjeçar. Parashikohej një investim prej 5 milionë euro dhe një fitim rreth 25 milionë euro. Pas këtij afati, parashikohej transferimi i pajisjeve dhe aseteve te autoriteti publik.

Në 19 mars 2013, Flamur Noka, në atë kohë ministër i Brendshëm, sigurisht me aprovimin e Sali Berishës, të cilit i shërben tani, firmosi ndryshimin dhe zgjatjen me 10 vite të kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me me grupin që kontrollonte kompaninë Aleat.

Ndryshimi i kontratës ka disa elementë të dyshuar si korruptivë, të cilat mund të dokumentohen lehtësisht nga SPAK-u, nisur nga standardi që ka vendosur me disa dosje.

1. Zgjatja e koncensionit me 10 vite ishte një koncension i ri, ku është shmangur gara.

2. U rrit në mënyrë të pa argumentuar çmimi i shitjes së kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike (pasaporta nga 5000 lekë në 7500 lekë,  karta e identitetit nga 1200 lekë në 1500 lekë.

3. Kompania kishte shërnuar fitime marramendëse në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, ndërkohë që me kontratën e re, duke rritur çmimin e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, janë shtuar fitimet e kompanisë në dëm të interesit publik dhe xhepave të shqiptarëve.

4. Kontrata e firmosur nga Flamur Noka dyshohet se bazohet në pretendime të rreme, në mungesë faktesh dhe raportesh, në falsifikime dhe arbitraritet, pasi nuk ka raporte zyrtare që konfirmon investimet e pretenduara.

5. Komisioni për monitorimin dhe zbatimin e kontratës nuk është mbledhur asnjëherë. Nuk ekziston asnjë raport për ecurinë e zbatimit të kontratës.

6. Ka dyshime të forta se kompania nuk ka blerë pajisje, por i ka marrë me qira, për të ulur koston dhe rritur fitimet, në kundërshtim me kontratën. Kompania nuk ka invesntar asetesh dhe nuk i ka dorëzuar asgjë shtetit shqiptar në përfundim të kontratës.

7. Grupi i Rithemelimit në Partinë Demokratike, më 23 janar 2023, kundërshtoi transferimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme pas mbarimit të kontratës në korrik 2023. Zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo në një deklaratë për mediat se “Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste.

Për kujtesë të publikut, kompania franceze Aleat, që prodhon prej 16 vjetësh pasaporta dhe leternjoftime për shqiptarët, është kooperacioni i “qeverisë Berisha” që bëri të mundur legalizimin e vizave për shqiptarët...".

Noka blen pasuri me vlerë qindra mijëra euro

Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin e shtyrjes së kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshne me vlerë qindra mijëra euro.

Flamur Noka blen një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te diga e Liqenit, pallati i famshëm i kuq, kati II, 190 m2 si dhe një garazh 70 m2, m vlerën 173 400 euro. Ka blerë gjithashu një makinë 40 mijë euro dhe një makinë tjetër 6 milionë lekë.

Vlera e pasurisë tek Liqeni, që Noka e ka deklaruar 173 mijë euro, kushton rreth 1 milionë euro.

Burimi i dyshimtë i parave

Të ardhurat e Flamur Nokës janë paga e tij si deputet dhe paga e bashkëshortes në Fakultetin e Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës për periudhën, të cilat mbulojnë vetëm koston e jetesës në Tiranë.

Në 1 nëntor 2009, Flamur Noka përfiton një kredi me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, pjesë e bordit të të cilit ka qenë edhe vetë. Kredinë e ka marrë me afat 25 vjet, me këst mujor 16 500 lekë.

Me këto para, Noka Blen një apartament 83.7 m2 në ish Bllok, në katin e 8 të një pallati.

Tre vjet më vonë, Noka, apartamentin që bleu rreth 50 mijë euro me kredinë si i pastrehë, e shet për 180 mijë euro.

Me këto 180 mijë euro, blen 260 m2 apartament dhe garazh në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, te Liqeni, kur në fakt vlera është 4-5 herë më e lartë. Nga manovra me shitjen e apartamentit 83 m3 në katin e 8, duke blerë një pasuri me vlerë rreth 1 milionë euro, Nokës i teprojnë edhe 6.4 mijë euro.

Noka blen në 2015 një makinë 40 mijë euro, ku për të mbuluar diferencën merr një kredi 30 mijë euro, ndërsa 10 mijë euro thotë se kanë pasur cash nga shitja një makine në 2011, të cilën e ka blerë më lirë se sa e ka shitur.

Po flasim vetëm për pasurinë e deklaruar.  Kur ishte vetë pjesë e Entit Kombëtar të Banesave, Noka u ka dhënë vëllait, motrës dhe kunatës së tij 4 apartamente në Sarandë. Këto pasuri dyshohet se janë të Nokës, bashkë me një vilë 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit, për të cilën informacione më të hollësishme ka Gazmend Bardhi.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë