Nga koncertet dhe festivalet kulturore te premierat në teatër, ekspozitat dhe aktivitetet për artdashësit, fundi i kësaj jave sjell një kalendar të pasur eventesh në Tiranë dhe disa qytete të vendit. Rubrika “Ciceron” ju njeh me aktivitetet më interesante që mund të ndiqni sot dhe nesër.
1. “LA FORZA DI RINASCERE”, GIUSEPPINA TORRE NË TIRANË E VLORË
“Forca për të rilindur” (La Forza Di Rinascere) është koncerti me Giuseppina Torre, që do të vijë sot në orën 18:00 në sallën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Historia e Giuseppina Torre-s rrëfehet përmes muzikës në një performancë që ndërthur tingujt e pianos me rrëfime nga libri i saj “Un piano per rinascere. La mia storia dal vivo”, të interpretuara nga aktorja shqiptare Ina Kollçaku. Artistja do të mbajë në orën 16:30 një masterclass për studentët, ndërsa më 2 tetor, koncerti i saj do të jetë edhe në Vlorë.
2. JAVA KULTURORE GJERMANE ÇELET NESËR ME “DIHA-OKTOBERFEST”
Nesër, më 2 tetor do të çelet Java Kulturore Gjermane, që do të vijojë deri më 6 tetor, duke sjellë në Tiranë një program të pasur me muzikë, art, traditë dhe kulturë bashkëkohore gjermane. Programi do të çelet me DIHA-Oktoberfest, një festë e frymëzuar nga tradita gjermane dhe atmosfera e Oktoberfest-it. Më pas do të vijojë “Street Festival”, që sjell në hapësirat e qytetit muzikën, energjinë dhe informacione nga organizatat gjermane dhe bursat e studimit; si dhe eventin “Berlini takohet me Tiranën”, një mbrëmje kushtuar ritmeve dhe skenës elektronike. Java do të përmbyllet me hapjen e ekspozitës multimediale “Përtej Shkatërrimit”, e cila sjell përmes fotografisë dhe rrëfimeve personale reflektime mbi krizën klimatike, komunitetet dhe marrëdhënien tonë me mjedisin.
3. “REZIDENCA E KINEMASË”, SHFAQJE FILMASH E PUNËTORI NË HIMARË
Rezidenca e Kinemasë vjen në Himarë nga 2 deri më 5 tetor, duke u shndërruar në një hapësirë takimi me filmin dhe njerëzit që e krijojnë atë. Programi nis me shfaqjen e filmit “Shpella e Piratëve” më 2 tetor në orën 19:00 në sallën “Neço Muko” me hyrje të lirë. Në ditët në vijim, të rinjtë do të bëhen pjesë e procesit krijues përmes punëtorive të filmit artistik dhe animacionit, të mentoruara nga profesionistë të fushës.
4. KOMEDIA “ARIU” NGA ANTON ÇEHOV, PREMIERË NË GJIROKASTËR
“Ariu” është komedia e Anton Çehovit, me regji të Halil Hidës dhe interpretimin e fëmijëve Athalia Koçi, Amelia Çenko e Eno Gjini, që do të shfaqet premierë në teatrin “Zihni Zako” në Gjirokastër nesër në orën 19:00.
5. EDICIONI I PESTË I FESTIVALIT “WINE & STORIES” NË BERAT
Edicioni i 5-të i “Verë dhe histori” (Wine & Stories) vjen në Berat më 2, 3 dhe 4 tetor në Sheshin “Teodor Muzaka”. Ky festival sjell në vëmendje kulturën e verës, traditën dhe trashëgiminë e Beratit, përmes një programi me panaire, degustime, muzikë dhe aktivitete të dedikuara.
6. LETËRSIA TRANSGJUHËSORE EVROPIANE E SHKRIMTARËVE SHQIPTARË
Kur shkrimtarët shqiptarë krijojnë në më shumë se një gjuhë, veprat e tyre lidhin lexues, letërsi dhe kultura të ndryshme nga shekulli XIX deri te autorët e diasporës sot. Kjo është tema në qendër të konferencës ndërkombëtare të organizuar nga revista Shejzat–Pleiades me mbështetjen e Bashkimit Evropian, e cila mbahet më 2 tetor, në orën 09:30 në “Europe House” në Tiranë.
7. RIVJEN BIENALJA NDËRKOMBËTARE E ARTIT BASHKËKOHOR NË DURRËS
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit vjen në edicionin e vet të dytë prej mbrëmjes së sotme deri më 31 tetor. Ajo do të bëjë bashkë artistë nga vende të ndryshme, të cilët do të sjellin interpretimet e tyre mbi realitetet periferike dhe antropologjike, nën kurimin e Massimo Scaringella.
8. GAIA MOBILIJ PËR HERË TË PARË ME NJË KONCERT NË KORÇË
Artistja italiane Gaia Mobilij me një shfaqje sot në orën 19:00 në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë si pjesë e turit të saj “Mediterranean Futurism”. Multi-instrumentaliste, këngëtare, kompozitore dhe producente e muzikës elektronike që jeton në Barcelonë, artistja do të performojë më 3 tetor edhe në Tiranë.
9. “FJONGO QË FLASIN”, NDËRGJEGJËSIM PËR KANCERIN E GJIRIT
Një mbrëmje kushtuar ndërgjegjësimit, forcës dhe mbështetjes në luftën kundër kancerit të gjirit do të jetë ajo e sotmja e çeljes së ekspozitës “Fjongo që Flasin” në “Vila 31 Art Explora” në orën 19:30.










Komente
Komento