4.3 mln eurot e paguara nga buxheti i shtetit për të shpëtuar koncertin e këngëtarit të njohur Kanye Uest, por edhe reputacionin e vendit, Kryeministri Rama i konsideroi si emergjencë të minutës së fundit. Sulmin virtual me të cilin po përballej koncerti për shkak të protestës e konsideroi si një antireklamë që do të dëmtonte vendin më shumë se milionat e paguara.
“4 mln eurot nuk i nxori koncerti, por i nxori sulmi, agresioni i verbër për ta shkatërruar koncertin, për të shpëtuar investimin shumë më të madh për Shqipërinë për ekonominë e Tiranës dhe mijëra njerëz nga mbi 80 vende të botës që kishin prerë biletat për të ardhur këtu dhe mbi të gjitha për të mos hapur një plagë mosbesimi. Ato 4 mln euro nuk do kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet, fushata e bullizmit dhe fushata e dhunshme e rrjeteve sociale, ku një pakice kujton se mund të imponohet me terror”, tha Rama.
Anulimi i koncertit do të kishte prodhuar më shumë se dëme ekonomike thotë kryeministri.
“Merreni me mend çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë, jo vetëm për turizmin por edhe për investimet e huaja. Investimet e huaja nuk shkojnë thjesht aty ku ka ligje të favorshme dhe taksa të ulëta, por aty ku ka besim, energji, reputacion dhe një shoqëri që beson tek e ardhmja e vet. Askush nuk investon në një vend që ka frikë nga vetja. I tregon botës se ky vend, edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri. Një vend i lirë, demokratik, ku nuk ke asnjë drojë të vish, të pushosh, edhe të investosh”, shtoi Rama.
Madje duke e konsideruar sukses këtë organizim, shprehet, i bindur se ka dhënë edhe impaktin e vet pozitiv në ekonomi.
“Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një kujtesë të bukur lë para në arkat e hoteleve, restoranteve, kafeneve, sipërmarrjeve të transportit, sigurisë dhe patjetër të atyre që bëhen pjesë. Krijon fitime për biznesin, duke mbledhur edhe të ardhura për shtetin përmes taksave, dhe miliona sy të drejtuar nga Shqipëria”, tha Rama.
Në fund, kreu i qeverisë e mbylli me një mesazh për protestuesit, duke i diferencuar ata në sorra e flamingo. Këta të fundit thotë se po i dëgjon me kujdes për të kuptuar se ku ka gabuar qeveria që drejton prej 13 vitesh.
Fjala e plotë e kryeministrit Rama:
Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje që, falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës një lajm. Por në Shqipëri, zakonisht, këtë herë edhe më shumë sesa zakonisht, arsyeja dihet: ngjarja u bë një motiv i ri dasie shumë të egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti.
M'u bë një jetë që sa herë jam përpjekur të bëj diçka të bukur, diçka ndryshe, diçka të re përmes projekteve publike, kam dëgjuar të njëjtin refren: “Populli s'ka bukë”, “s'na duhen fasadat”, “pensionistët po vdesin”, “nuk do hanë pllakat”, “varfëria është në kulm”, “s'duam koncerte”. Dhe pas klithmës së kundërshtisë fillojnë gjithmonë llogaritë absurde: “Me kaq lekë”, “do të merrte kaq ky”, “do të merrte aq ai”, e me radhë, e me radhë, me radhë.
Në pamje të parë, kjo qasje duket sikur ha debat dhe demagogët që mbushin pasqyrat e kanaleve sociale me “çeret e verosura” për popullin duken sikur po thonë diçka që bën sens, por, në të vërtetë, përtej hipokrizisë së tyre që është marramendëse, ky është një keqkuptim themelor mbi mënyrën se si zhvillohet një vend dhe se si rritet një ekonomi. Sepse zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, i hiqet një të sëmuri apo i hiqet një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe që në ndarjen e saj më pas të ketë më shumë për të gjithë.
Dhe koha e ka treguar këtë qysh me Rilindjen Urbane, e cila ndryshoi energjinë e qyteteve dhe krijoi një reaksion zinxhir zhvillimesh shumë pozitive, ku nga ngjyrat u kalua tek forma, nga forma u krijua një zinxhir i ri zhvillimor. U rrit konsumi, u rritën të ardhurat, u rritën investimet, u rrit punësimi dhe, patjetër, u rrit edhe ekonomia së bashku me pritshmëritë. Prandaj, pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht sa kushton, por edhe sa vlerë krijon. Një shpenzim mbaron në çastin që ai bëhet, ndërsa një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë.
Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një shenjë të bukur në kujtesën e atyre që e shijuan. Ai lë para në arkat e hoteleve të mbushura, të restoranteve plot, të kafeneve, të dyqaneve, të sipërmarrjeve që merren me transportin, që merren me sigurinë, me teknikën, me logjistikën dhe patjetër të të gjithë atyre që bëhen pjesë e organizimit të tij. Ai krijon fitime për biznesin, krijon mundësi pune për njerëzit e angazhuar, duke mbledhur njëkohësisht edhe të ardhura për shtetin përmes taksave mbi atë vlerë të shtuar si dhe miliona sy të drejtuar nga Shqipëria.
Ai tregon botës se ky është një vend ku, edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri dhe mund të organizohen ngjarje të mëdha me pasion dhe me profesionalizëm. Një vend i lirë, demokratik, ku s'duhet të kesh asnjë droje që të vish, të pushosh, të rikthehesh dhe të mendosh të investosh. Parafytyroni se si ka shkuar ky mesazh tek ata të huaj që kanë rezervuar të vijnë në javët e muajit në vijim dhe, ndërkohë, ishin duke menduar anulimin e rezervimeve për pushime për shkak të protestës, siç ndodhi në qershor, ku, pas një maji fantastik prurjet ranë, duke goditur, në fakt, ekonominë e shumë familjeve që jetojnë me turizmin dhe merri me mend tani se çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë.
Po jo vetëm për turizmin, por edhe për investitorët e huaj, sepse investimet e huaja nuk shkojnë thjesht aty ku ka ligje të favorshme dhe taksa konkurruese, por shkojnë aty ku, në radhë të parë, ka besim, ka energji, ka reputacion, ka ambicie, ka siguri, pa diskutim, dhe ka një shoqëri që beson tek e ardhmja e vet dhe që ka guxim përditë ta shohë ardhmen me një sy të ri.
Askush nuk investon në një vend që ka frikë nga vetja. Kapitali ndjek, në radhë të parë, besimin; pastaj, sigurisht, bën dhe llogaritë e fitimit. Qytete si Viena, Londra, Parisi apo Singapori na i kanë zgjidhur me kohë e me vakt dilemat e “ndarjes së bukës së zhvillimit”, duke u bërë lider të industrisë, kulturës, të sportit dhe të argëtimit. Ata konkurrojnë për të sjellë artistët dhe eventet më të mëdha të botës, sepse e kanë kuptuar, e kanë testuar dhe provuar prej kohësh që pyetja e duhur nuk është: Sa kushton një aktivitet kulturor, por sa ekonomi gjeneron? Sa turistë, pra konsumatorë tërheq? Sa investime frymëzon dhe sa prestigj ndërton?
Shqipëria e sotme nuk duhet të pyesë vetëm: “Sa kushton?” Shqipëria e sotme, që synon ligën e kampionëve të Mesdheut turistik, duhet të pyes me patjetër: “Sa vlerë krijohet nga ky investim?” Dhe mos e harroni që ka një varfëri shumë më të madhe dhe shumë më të rrezikshme për një vend sesa mungesa e të ardhurave të mjaftueshme: varfëria e aspiratave për një vend dhe për këdo. Kush është i varfër në aspirata është i dënuar të mbetet shumë më mbrapa sesa mundësitë që ai realisht ka si vend apo si individ. Kush e sheh çdo ide të guximshme si të nxituar dhe kush e sheh çdo sukses si dyshimtë nuk e lufton, po vetëm e ushqen varfërinë. Varfëria nuk luftohet duke mos bërë koncerte, por duke bërë edhe koncerte, sepse një vend nuk bëhet kurrë dot i pasur duke menduar vetëm për barkun e jo edhe për shpirtin.
Mirëqenia rritet duke krijuar vlerë, duke tërhequr kapital, ide, njerëz dhe, mbi të gjitha, duke qenë aktor protagonist, jo spektator pasiv të botës ku jetojmë. Pensionet nuk paguhen nga pesimizmi. Spitalet nuk ndërtohen nga refuzimi i çdo nisme të madhe. Mirëqenia nuk lind nga zvogëlimi i ëndrrave; ajo lind nga guximi për të parë më larg, për të synuar më lart dhe për të krijuar më shumë vlerë, duke pasur kurajon gjithmonë për të guxuar më shumë.
Dhe tani, edhe dy fjalë për 4 milionë eurot dhe për ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe ndërkohë që hedhin pa pushim helm, helm, helm në veshët e njerëzve, nga pensionistët deri te më të rinjtë duhet të ekspozohen përpara faktit se, po, ato 4 milion euro ishin investim. Po, ishin një investim i bërë në minutën e fundit për të shpëtuar investimin shumë më të madh për Shqipërinë, për ekonominë e Tiranës dhe për mijëra njerëz nga mbi 80 mijë vende të botës që i kishin prerë biletat për të ardhur këtu dhe, mbi të gjitha, investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj një Shqipërie ku i kanë sytë të gjithë dhe ku duhet të mbajë fjalën që i garanton të gjitha aktivitetet ndërkombëtare dhe i garanton qytetarët e huaj që vijnë në këtë vend.
Por e vërteta e 4 milionëshit është edhe më e plotë sesa kaq. Është edhe më e plotë përtej asaj që bëjmë ne, sepse ato 4 milion euro nuk do kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet, fushata e bullizmit dhe histeria e dhunshme e rrjeteve sociale, ku një pakicë njerëzish kujton se mund t'i imponohet me terror gjuhësor një vendi të tërë, qeverisë, sipërmarrjeve dhe kujdo që nuk mendon si ata që e mishërojnë atë pakicë. Po si mund të lejohet kjo? Si mund të lejohet kjo në një vend demokratik? Fut një qeleshe në kokë apo lidh një flamur në qafë dhe merr peng Shqipërinë në emër të popullit. Ndërkohë që populli, dihet shumë mirë, flet me votë, jo me sharje, jo me kërcënime, jo me dhunë dhe shantazh përmes gojës disa zëdhënësve, të cilët, ne rastin më te mirë, janë llapaqorra të paditur dhe, ne rastin më të keq, janë aventurierë të kapur. Po, po të kapur. Prandaj, nëse atyre dhe pastaj kujt i ndjek ata nga pas u dhëmbin ato 4 milionë, le t'i kërkojmë fillimisht llogari vetes për klimën e dhunës që kanë ushqyer nëpër kanalet sociale, sepse 4 milion eurot nga arka e shtetit nuk i nxori koncerti, po i nxori sulmi, agresioni i verbër për ta shkatërruar koncertin.
Protestat janë një burim energjie për demokracinë dhe respektin për institucionin e protestës. Unë personalisht dhe kjo shumicë qeverisëse e kemi dëshmuar që në ditën e parë, dhe do ta dëshmojmë gjithmonë. Por nuk ka asnjë shans që ne të pranojmë t'i nënshtrohemi dhunës, kërcënimeve, shantazheve apo koreve linçuese që të kujtojnë ato sheshet e mesjetës me turmën e ekzaltuar që i gëzohej spektaklit të linçimit dhe të vdekjes.
Po ashtu, nuk ka asnjë mundësi që unë personalisht të pajtohem me idenë se, në Shqipërinë e vitit 2026 qytetarët duhet të heshtin, artistët duhet të tërhiqen, sipërmarrjet duhet t'i paguajnë haraç një turme dhunuesish online, të cilët, me verbërinë e tyre, dhe me mbështetjen e shumë profileve falso të kujtojnë gardat e kuqe, gardistët revolucionit kulturor në Kinë.
Edhe një gjë me rëndësi në mbyllje. Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash për të më akuzuar mua se po sulmoj popullin që paska dalë në shesh, se po shaj rininë që qenka zgjuar, se po akuzoj emigrantët që po kërkonkan llogari dhe me radhë dhe me radhë, e me radhë. Po jo, jo! Absolutisht jo! Unë e kam bërë që në krye të herës dhe në çdo herë që kam folur, dallimin e ditës së flamingos me natën e korbit dhe të sorrës. Kurrë nuk i kam paragjykuar ata qytetarë që dolën në protestë paqësisht, me bindjen se duan një Shqipëri më të mirë. Të gjithë ata të rinjve e të reja që dolën në protestë me bindjen se duan një mjedis më të mbrojtur, ata familjarë që dolën në protestë për një shëndetësi më cilësore, ata prindër që dolën në protestë sepse duan një arsim më të mirë, ata burra dhe gra që dolën në protestë se duan një administratë më njerëzore dhe kurrë nuk mund t'i paragjykojë njerëzit në përgjithësi që duan një shtet më të drejtë në tërësinë e vet. Sepse edhe unë dua pikërisht të njëjtat gjëra.
Kur një vend përparon, pritshmëritë e njerëzve rriten më shpejt sesa vetë ritmi i përparimit. Rrugët më të mira i bëjnë gropat e mbetura më të padurueshme. Lufta frontale me korrupsionin, që nuk ka ndodhur kurrë më parë e bën korrupsionin ende më të padurueshëm. Shërbimet më të shpejta, si asnjëherë më parë, 95% online, e bëjnë çdo shërbim të prapambetur ende më të patolerueshëm. Kjo nuk është shenjë dështimi; është shenja më e qartë, më e sigurt, më kuptimplotë se shoqëria kërkon gjithnjë dhe më shumë dhe detyra jonë nuk është që t'i ulim pritshmëritë e qytetarëve, as t'i shohim pakënaqësitë e tyre si kundërshti ndaj nesh, por të ngushtojmë çdo ditë hendekun me mes asaj që kemi arritur dhe asaj që ata, me të drejtë, presin nga ne.
Prandaj po dëgjojmë me shumë vëmendje. Një grup i ngritur enkas qysh në ditët e para po mbledh çdo shqetësim dhe po përpiqemi të ndërtojmë një reflektim mbi të metat, gabimet, boshllëqet tona dhe pastaj, sigurisht, hap pas hapi, do t'i komunikojmë ato me të gjithë ata njerëz të zakonshëm dhe të ndershëm të këtij vendi që kërkojnë që rrugëtimi ynë drejt shtëpisë europiane të jetë më i shpejtë dhe që Shqipëria të bëhet më shpejt ajo që ata duan, por jo vetëm duan: meritojnë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po dëgjon shqetësimet e protestuesve paqësorë. Përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale, Rama tha se një tufë sorrash dhe laraskash e kanë akuzuar se po sulmon njerëzit që kanë dalë në protestë.
“Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash se po më akuzojnë mua se po sulmoj popullin që paska dalë në shesh, se po shaj rininë që qenka zgjuar e me radhë. Absolutisht, jo. Unë e kam bërë dallimin e ditës së flamingos me natën e korbit dhe sorrës. Nuk kam paragjykuar ata qytetarë që dolën të protestojnë paqësisht, se duan një mjedis më të mbrojtur. Nuk mund t’i paragjykoj njerëzit që duan shtet më të drejtë në tërësinë e vet. Shoqëria kërkon gjithmonë e më shumë. Po dëgjojmë me shumë vëmendje, një grup i mbledhur enkas po mban çdo shënim. Hap pas hapi, do t’i komunikojmë me njerëz të zakonshëm e të ndershëm të këtij vendi”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se investimi i 4 milionë eurove për koncertin e Kanye West ishte investim i bërë në minutë të fundit
“Shqipëria e sotme, duhet të pyesë, sa vlerë krijohet nga ky investim. Mos harroni, ka një varfëri shumë më të madhe, sesa mungesa e të ardhurave të mjaftueshme, varfëria e asipratave. Varfëria nuk luftohet duke mos bërë koncerte, por edhe duke bërë koncerte. Mirëqënia rritet duke krijuar vlerë, duke tërhequr kapital, ide, njerëz. Pensionet nuk paguhen nga pesimizmi, spitalet nuk ndërtohen nga refuzimi i çdo nismë të madhe. Mirëqënia lind nga guximi për të parë më larg, për të synuar më lart, duke krijuar më shumë vlerë. Edhe dy fjalë për 4 milionë eurot. Hedhin papushim helm, nga pensionistët deri tek më të rinjtë, duhet të ekspozohen se ato 4 milionë euro ishin investim në minutën e fundit, për të shpëtuar investimin për Shqipërinë. Investim për të mos hapur një plagë mosbesimi ndaj një Shqipërie, ku i kanë sytë të gjithë. Ato 4 milionë euro nuk do kishin dalë, por të mos ishin bërë kërcënime, shantazhe, histeria e dhunshme e rrjeteve sociale, ku një pakicë njerëzish mendojnë se mund të imponojë qeverinë, sipërmarrjeve, që nuk mendojnë si ata. Populli flet me votë. Janë aventurierë të kapur”, tha Rama.
Kryeministri Rama në një video të gjatë në rrjete sociale tha se një koncert i tillë si ai i mbrëmshmi nuk lë pas vetëm një kujtesë të bukur, por lë edhe para bizneseve.
“Pyetja më e rëndësishme, nuk është thjesht sa kushton, por edhe sa vlerë krijon. Një shpenzim mbaron në çastin që bëhet, një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë. Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një kujtesë të bukur lë para në arkat e hoteleve, restoranteve, kafeneve, sipërmarrjeve të trasportit, sigurisë dhe patjetër të atyre që bëhen pjesë. Krijon fitime për biznesin, duke mbledhur edhe të ardhura për shtetin përmes taksave, dhe miliona sy të drejtuara nga Shqipëria. I tregon botës se ky vend, edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri. Një vend i lirë, demokratik, ku nuk ke asnjë ndrojë të vish, të pushosh, edhe të investosh”, theksoi ai.
Komente











Je nje monster qe edhe burgun e ka pak.
PërgjigjuOre super maskarenj e të hurit e litarit. Po si e rrotulloni gjuhën e juaj të qelbur duke justifikuar gjithë këto miliona të shpenzuara për gjoja muzikantë e muzikë të shpifur e djallëzore që vetëm muzikë nuk është, por janë performanca mizerable e të ndyra të djallistave të të gjitha ngjyrave e formave. Ju Ka Ardhë Dita o Qënie e Dykëmbësha satanistash...
Përgjigjut'u dogj bytha per Shqiperine, e shohim, c'na thua ...
Përgjigjunjerezit po vdesin mor qen se nuk kane ilace,,,mor maskara..ti duhesh varur aty ku eshte bere koncerti....
PërgjigjuT'hongsha syzet
Përgjigju