Koncerti në Tiranë, Anastacia
fsheh dy bileta për t'i gjetur fansat

Koncerti në Tiranë, Anastacia<br />fsheh dy bileta për t'i gjetur fansat
Artiste e hiteve dhe koncerteve të mëdha, më 25 gusht sikurse tashmë është bërë e njohur Anastacia do të jetë në Tiranë. Nga organizatorët kemi mësuar se këngëtarja pritet të mbërrijë në kryeqytet më 24 gusht dhe një ditë më pas, në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ajo do të jetë në një koncert live për publikun shqiptar, ku do të sjellë hitet e saj më të njohura, si pjesë e turit dhe albumit “Resurrection” (Ringjallje). ”Në një koncert të organizuar sipas parametrave ndërkombëtarë të eventeve të tilla, ylli i popit do të mbështetet nga këngëtarët fitues të të gjitha edicioneve të spektaklit ‘The Voice of Albania’, të cilët do të sjellin disa nga këngët hit të muzikës, përpara daljes së Anastacias në skenë.

Ndërkohë, “artistja e vogël me zërin e madh”, sikurse është cilësuar nga kritika, Anastacia do të sjellë në këtë koncert edhe një sërë performancash koreografike, që shoqërojnë këngët e saj, ndihmuar edhe nga fakti që dikur ajo ka qenë një kërcimtare e suksesshme. Shitja e biletave vazhdon ende, në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Prishtinë, duke i dhënë kështu publikut shqiptar mundësinë për të ndjekur një event unik, i konceptuar jo thjesht si një koncert, por si një aktivitet i përmasave të mëdha, ku veç muzikës ofrohet edhe show e argëtim.
 
Surprizat
Siç ndodh kryesisht në botë në koncerte të tilla, publiku ka mundësinë të shijojë një birrë, të këndojë bashkë me artisten e madje edhe të bëhet pjesë aktive e koncertit. Është mësuar, se ashtu si edhe në koncertet e saj në qytetet më të mëdha të botës edhe në Tiranë, Anastacia do të ketë një bashkëbisedim të vazhdueshëm me publikun e pranishëm në stadium, duke iu përgjigjur pyetjeve që ata vetë kanë përgatitur për të e që këngëtarja do t’i përzgjedhë në mënyrë krejt rastësore përgjatë koncertit. Një tjetër lojë që Anastacia organizon me fansat e saj është edhe ajo e biletave.

anastasia

Në një zonë të caktuar të qytetit, një ditë para koncertit këngëtarja fsheh dy bileta duke i nxitur fansat t’i kërkojnë në vendet që ajo do të orientojë. Natyrisht kush i gjen, ka përfituar kështu edhe biletën për të ndjekur koncertin falas. Në hyrje të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, do të jetë e vendosur edhe një stendë me materialet promovuese të artistes, ku fansat do të kenë mundësinë të zgjedhin sendet e preferuara me imazhin e Anastacias. Ylli amerikan i popit ka shënuar kulmin e parë në karrierën e saj muzikore në vitin 2000 me albumin “Not that kind”, ndërsa kënga “I’m Outta Love” ishte kënga më e shitur e vitit. Hite të tjera vijuan më pas, duke e mbajtur sërish në majën e klasifikimeve botërore, mes të cilave edhe dueti i famshëm me Eros Ramazotin “I Belong to You (Il Ritmo della Passione)” në vitin 2005, pasi ajo kishte fituar betejën e parë kundër kancerit dhe ishte rikthyer në tregun muzikor në rrymën pop-rock me albumin “Left Outside Alone”, që mbajti vendin e parë në klasifikimet muzikore evropiane për 11 javë.

Por e prekur sërish nga sëmundja, në një luftë 10-vjeçare ndërhyrjesh dhe mjekimesh, që e çoi në heqjen e të dy gjinjve, vetëm në tetor të vitit 2013, Anastacia deklaroi se më në fund e kishte mposhtur sëmundjen. Pikërisht për natyrën e saj të hapur duke e deklaruar sëmundjen e saj edhe përpara mediave, Anastacia u kthye në simbol të mbështetjes së grave dhe luftës së tyre ndaj çdo forme paragjykimi.

Është albumi i saj i gjashtë, “Resurrection”, që mishëron këtë luftë të saj për jetën dhe që menjëherë pas daljes arrin në Top 10, në Itali, Holandë, Zvicër, Gjermani, dhe Angli, ndërsa në klasifikimet austriake, irlandeze, portugeze dhe spanjolle, hyn në Top 20. Ky album, u shoqërua edhe nga turneu me të njëjtin emër, që prej një viti vijon në Europë dhe Amerikë. Pjesë e këtij turneu është edhe Shqipëria, me koncertin e 25 gushtit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kërkesa e grupit të PD për Këshillin e Mandateve para arrestimit të Ervin Salianjit, burime nga Kuvendi: Nuk do të mblidhet, do ketë vetëm njoftim në seancën e të hënës!

Kërkesa e grupit të PD për Këshillin e Mandateve para arrestimit të Ervin Salianjit, burime nga Kuvendi: Nuk do të mblidhet, do ketë vetëm njoftim në seancën e të hënës!