Konferenca 'Media e Shoqëria Civile':
Propaganda politike,sfida më e madhe

Konferenca 'Media e Shoqëria Civile':<br />Propaganda politike,sfida më e madhe
Ndikimi dhe propaganda politike vazhdojnë të jenë armiqtë më të mëdhenj të medias në një rajon me demokraci të brishtë si Ballkani, ndërsa sfida më e madhe për gazetarët mbetet ruajtja e profesionalizmit në të tilla kushte. Të këtij mendimi ishin shumë gazetarë dhe ekspertë që u mblodhën për 2 ditë në Tiranë në kuadër të një konference rajonale me temë “Media dhe shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor”.

Duke folur për Report TV, secili prej tyre dha një këndvështrim ndryshe në varësi të situatës respektive të vendeve të tyre, por me një pikë të përbashkët-ndikimin dhe censurën që vjen nga politika.

"Regjimet jo demokratike si ai në Maqedoni janë elementi më i rëndësishëm i narrativës politike, e cila duhet të kontrollohet prej qeverisë në pushtet. Por kjo kërkon shumë kontroll ndaj medias, jo thjesht të kanaleve mediatike por edhe të mesazheve dhe atyre që i përcjellin ato. Sepse në regjime jo demokratike, media nuk përdoret për të informuar por për të mobilizuar njerëzit dhe ky është ndryshimi më i madh mes demokracive dhe regjimeve jo demokratike. Tek këto të fundit, qeveria nuk do që të ketë një publik të informuar. Pra pasojat praktike të kësaj teorie, nëse mund ta quajmë kështu, janë shumë të këqia. Cka do të thotë se media është ekspozuar ndaj formave të ndryshme të presionit, shantazheve përmes modeleve ekonomike të biznesit dhe parave që qarkullojnë, pra qeveria po shpenzon shumë për të blerë opinionbërësit, politikat editoriale, për të mos harruar që përdoren edhe forma të tjera presioni ku gazetarët paditen në gjykatë e madje edhe janë burgosur në disa raste që kemi patur në Maqedoni, por edhe janë rrahur apo kërcënuar e shumë raste të tjera. Pra e gjithë kjo atmosferë krijon efektet e çensurës që vjen nga lart pra direkt nga qeveria por edhe forma të vetëcensurës. Me pak fjalë media po ndryshon natyrën e biznesit të gazetarisë duke u shndërruar nga një mjet informimi për shoqërinë me qëllim rritjen e cilësisë së debatit, ajo po shndërrohet në një mjet të pastër propagande duke i lejuar qeverisë që të shkatërrojë shoqërinë përmes axhendës së saj për të mobilizuar ato grupe që ajo synon dhe i shërbejnë", u shpreh Saso Ordanovski, ekspert i medias dhe shoqërisë civile në Maqedoni. 

"Megjithë presionin që vjen nga politika për të cilin bien dakord të gjithë, shumë mendojnë se nuk duhet të harrojmë që vetë gazetarët ndonjëherë bien pre e sensacionit në përpjekje për të thithur sa më shumë audiencë duke harruar kështu standartet dhe cënuar profesionalizmin", tha Krenar Gashi, ekspert i medias, Universiteti Gent, Belgjikë. 
Krenar Gashi
(Krenar Gashi)
"Ne flasim shpesh për presionet ekonomike dhe politike në media, që do të thotë se drejtuesit dhe vetë gazetarët duhet të pranojnë imperativët e qendrave politike dhe atyre ekonomike. Por mendoj se ka më shumë sfida që gazetarët jo vetëm në Bosnje-Hercegovinë por në të gjithë rajonin përballen është ndryshimi i asaj që audienca pret nga gazetaria. Shohim shumë media që po përkeqësojnë standartet e tyre duke u përshtatur me nevojat e audiencës . Ky fenomen është sfidë për gazetarinë në përgjithësi për të mbetur brenda standarteve dhe për të mos rënë pre e sensacionit etj. Por më e rëndësishme mbetet presioni politik dhe ekonomik. Sepse mbase më e rrezikshme nga të gjitha për një gazetar është pikërisht kur vë në pikëpyetje këto qendra pushteti. Ky është kërcënimi më i madh në jetën e përditshme të gazetarëve në Bosnje-Hercegovinë", theksoi Elvira Jukic, kryeredaktore e MC-Online, Sarajevë.

"Sfidat dhe pengesat më të mëdha për median në Serbi është politika. Influenca e politikës në media përmes kanaleve të drejtpërdrejta apo atyre informale dhe mbi të gjitha përmes parave sepse mediat varen nga paratë për të mbijetuar por paraja kontrollohet në shumë mënyra nga politikanët ose përmes kompanive publike, ose agjensive që drejtohen nga njerëz pranë qeverisë dhe politikës. Pra influenca politike ndaj medias është mbase sfida më e madhe për funksionimin normal të mediave në Serbi. Megjithëse sfidë e madhe është niveli i profesionalizmit brenda redaksive. Ndaj nuk duhet të fajësojmë për çdo gjë politikën por të shohim edhe rreth vetes kur flasim për cilësi dhe për standarte etike të punës tonë", deklaroi Nikola Tomic
Kryeredaktor i NIN, Beograd. 

Për 2 ditë me radhë pjesëmarrësit në këtë konferencë të organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe Fondacionit Friedrich Ebert, diskutuan për marrëdhënien komplekse mes shoqërisë civile dhe medias që ekziston në Ballkanin Perëndimor. Thuajse të gjithë bien dakord se parimisht 2 palët duhet të jenë partner pasi kanë qëllime të përbashkëta, por shpesh në realitet nuk ndodh kështu.
gazetar  Elvira Jukic.
(Elvira Jukic)
"Organizatat e shoqërisë civile dhe media janë si partnerë por ndonjëherë edhe armiq. Po pse ndodh kjo? Shpesh dy palët kanë pritshmëri nga njëri tjetri, ku OJQ-të presin që media të ndjekë çdo hap të tyre ndërsa media pret prej tyre që tu shërbejnë si burim informacioni. Por në realitet nuk funksionon kështu. Duhet të ketë më shumë përpjekje nga të dyja palët dhe mendoj se shoqeria civile dhe media duhet të jenë partnerë me të njëjtin qëllim apo ide që ti udhëheqë, që është interesi publik sepse të dyja i shërbejnë pikërisht interesit të publikut. Nga ana tjetër media konsiderohet edhe si pjesë e shoqërisë civile, ndaj duhet të jenë partnerë nga ky përkufizim, por në realitet nuk janë gjithmonë kështu", theksoi Elvira Jukic.

"Personalisht dhe besoj është dhe opinioni i kompanisë mediatike për të cilën punoj, media dhe shoqëria civile duhet të jenë partnerë me qëllimin e përbashkët të zhvillimit dhe demokratizimit të shoqërive tona. Por në realitet, në Serbi mediat kryesore ose ato media qe kanë shikueshmërinë apo lexueshmërinë më të madhe janë kryesisht në konfrontim me organizatat e shoqërisë civile. Edhe sot në 2016-ën një grup organizatash konsiderohen nga disa media si armiq të brendshëm, agjentë të huaj e të tjera si këto. Por unë mendoj se duhet të jemi në marrëdhënie partneriteti. Padyshim jemi të ndryshëm, mediat janë biznese, ojq-të janë shoqëri civile por kemi të njëjtat objektiva që është normalizimi dhe europianizimi i shoqërive tona. Madje duhet të jemi partnerë edhe më të mirë se sa jemi aktualisht", deklaroi Nikola Tomic.

"Shoqëria civile përbëhet nga media dhe organizatat jo qeveritare mes shumë aktorëve të tjerë kështuqë ata nuk mund të jenë armiq. Në këtë përkufizim ata janë partnerë por në vende dhe regjime jo demokratike, shoqëria civile është armiku më i madh i këtyre regjimeve, ndaj vendosen përkrah atyre që luftojnë për të drejtat dhe shtypjes së qeverisë e për rrjedhojë bëhet kundërshtare me median e kontrolluar", thotë Saso Ordanovski.

 Saso Ordanovski
(Saso Ordanovski)
Në konferencë u prezantuan edhe gjetjet e një studimi tw Institutit Shqiptar tw Medias realizuar nga kërkuesja Valbona Sulçe ndërsa pjesëmarrësit e ndarë në 4 panele diskutuan mbi situatën e demokracive të vendeve të Ballkanit dhe impakti i tyre tek media dhe shoqëria civile, marrëdhënia komplekse mes këtyre 2 aktorëve si dhe mënyrën se si media sot pasqyron aktivizmin civil.
 

 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar