Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot konferencën e fundvitit me gazetarët ku është bërë bilanci i 12 muajve. Në një lidhje direkte për Report Tv, në ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, i ftuar ishte avokati Spartak Ngjela, i cili komentoi deklaratat e Ramës.
Rama u shpreh se ka një nevojë për rishikim, referuar dhe një direktive nga Bashkimi Evropian, për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ si dhe vendimeve të SPAK për arrestim të zyrtarëve të akuzuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ duke çuar numrin e paraburgosurve më të lartë se të dënuarve.
Ngjela tha se ‘shkelja e barazisë në tendera’ është një vepër penale dhe se Rama është i frikësuar nga puna e Prokurorisë së Posaçme. Avokati shtoi se Shqipëria sot është nën kontroll të rreptë nga ndërkombëtarët, pasi në BE nuk mund të anëtarësohesh nëse je i prekur nga korrupsioni.
“Është trembur sepse korrupsioni në Shqipëri nuk e kontroll më. E kontrollojnë ndërkombëtarët. Por nuk e ka aq të lehtë për të ndryshuar ligjet. Pabarazi në tendera është analizë dhe hetim që bëhet Shqipërisë për të hyrë në BE. Pse Rama e ka në dorë?
Pabarazia në tendera është korrupsion i pastër sepse tenderin e drejton qeveria dhe ia jep kompanive të veta. Ajo është abuzim i hapur. Kjo tregon që Rama është i trembur. Mund të kenë ardhur analiza hetimore nga organet e mëdha të perëndimit. Ka shumë arsye pse Shqipëria kontrollohet se nuk mund të hysh në BE me korrupsion”, tha Ngjela.
Ngjela tha se SPAK kontrollohet nga ndërkombëtarët, të cilët dhe investojnë për këtë institucion, ndërsa shton se ekspertët e SHBA-së nuk janë tërhequr nga bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme.
“Amerikanët janë në SPAK. Nuk është e vërtetë që janë tërhequr. Çfarë do të bëjë SPAK se SPAK nuk e drejton Rama. Drejtohet nga ndërkombëtarët që e paguajnë”, tha avokati.
Me një vlerësim të përgjithshëm, Ngjela e vlerëson punën e SPAK si shumë të mirë dhe se në fokus të drejtësisë sot janë zyrtarë të lartë të shtetit, gjë që sipas Spartak Ngjelës ka frikësuar dhe Ramën.
“Puna e SPAK shumë e mirë. E ke parë se ku e ka përqendruar padinë penale? Kryeministër, ministra, kryetar bashkie, deputetë, pak janë këto?. Jo vetëm Ramën që trembin, por edhe zoti sikur të kishte lidhje këtu do e kishin trembur”, tha Spartak Ngjela.
Komente












