Është zhvilluar sot konferenca e parë e kryetarëve për vitin 2026. Në mbledhje, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla i është drejtuar demokratëve duke u thënë se po shkelin marrëveshjen e sesionit të kaluar parlamentar, ku u dakordësua bashkëpunimi për arritjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.

Grupi i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse në shenjë revolte pas zgjedhjes së padrejtës sipas tyre të Avokatit të Popullit. Balla bëri të qartë që nëse anëtarët e PD, do të refuzojnë t’i bashkohen komisioneve, PS do të jetë e detyruar për të vijuar punën e vetme.

“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni “tërhiqemi nga komisionet”, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit, majtas-djathtas, në ato netë pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër; pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më, as për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, ndërsa shumica, bashkë me Qeverinë, 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha Balla.


Lajmi kryesor:

Debate në Konferencën e Kryetarëve, Balla-PD-së: Kthehuni tek ‘Zgjedhorja’ dhe ‘Territorialja’ ose do të vijojmë punën vetëm! Opozita: Respektoni rregulloren dhe lejoni debatin