Konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Ajala

Konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Ajala
EDI RAMA: "Sot është një ditë e shënuar. Kemi midis nesh një mik të kohëve më të vështira, por dhe të ditëve më të paharrueshme ne historinë e Partisë Socialiste, sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ajala, i cili ka ardhur për t’u takuar me të dyja partitë e ribashkuara.

Dua ta falënderoj Luisin në radhë të parë për kontributin e tij, si pjesë e grupit të miqve dhe të partnerëve socialistë në Internacionalen Socialiste, në të majtën socialiste evropiane që u angazhuan me zemër të hapur, me durim si miq të vërtetë, për të na ndihmuar të kapërcejmë të shkuarën dhe të pozicionohemi në një front të përbashkët në emër dhe në funksion të së ardhmes.

Ne sot kemi një koalicion që është më i madh dhe përballë kemi një kundërshtar që është i vetmuar. Jemi të vendosur ta zgjerojmë ende më shumë koalicionin dhe nga ana tjetër ta lëmë krejtësisht të vetmuar kundërshtarin.

Ky është një koalicion që u jep shqiptarëve sigurinë e munguar për votën e tyre dhe e dobëson në mënyrë të konsiderueshme forcën manipuluese të kundërshtarit, që për dy zgjedhje rresht, në qershorin e 2009-s dhe në majin e Tiranës 2011 është imponuar përmes manipulimeve duke përfituar edhe nga kjo dasi. Një dasi që tanimë i përket të shkuarës, ndërkohë që e ardhmja na vendos përpara sfidash të mëdha, që jam i bindur se do t’i kapërcejmë duke u dhënë shqiptarëve prova pas provash përgjatë një qeverisjeje, që do ta ndryshojë për mirë Shqipërinë.

Më lejoni t’i jap fjalën mikut tonë të shtrenjtë, të cilin e kam siguruar edhe sot për vendosmërinë time për të shkuar përpara dhe për të garantuar, që angazhimet tona në programin për një Rilindje Shqiptare të mos mbeten në letër, të mos zhbëhen nga manipulimet dhe të transformohen në një realitet të prekshëm për shqiptarët, falë fitores që do na japë mundësinë përmes qeverisë t’i realizojmë ato një për një. Ka ndryshuar vetëm një gjë: Vota opozitare e abuzuar dhe e vjedhur në të shkuarën e afërt, sot është më e sigurt se asnjëherë. Ndërkohë që asgjë tjetër nuk ka ndryshuar nga zotimet tona të programit të Rilindjes brenda vizionit tonë për një Shqipëri tjetër, me punësim real dhe jo me papunësi në rritje, me taksim të ndershëm dhe jo me taksë të sheshtë, ku ata që fitojnë me pak paguajnë më shumë dhe ata që fitojnë më shumë paguajnë më pak, me konkurrencë të lirë dhe mbështetje ndaj sipërmarrjes dhe jo me monopole dhe me shkatërrim biznesi, me shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, me zhvillim rural që do të sjellë mirëqenien ekonomike të munguar për fshatin dhe do të lehtësojë qytetin nga barra e papërballueshme e çmimeve dhe jo me braktisje të fshatit në mëshirën e fatit dhe me qytetin që dridhet sa herë që del në pazar, sepse çmimet rriten në mënyrë marramendëse.

LUIS AJALA: "I nderuar mik, jam shumë i kënaqur që jam sot me ju këtë paradite. Të nderuar miq, jam shumë i lumtur që gjendem sërish në Shqipëri. Ne si Internacionale Socialiste kemi ndjekur përgjatë kohëve punën e partive tona, punën e njerëzve tanë, punën e udhëheqësve tanë në këtë vend. Dhe ndërkohë që e dimë se jeni bërë pjesë jo vetëm e politikës sonë, por gjithashtu edhe Zv.president në Internacionalen tonë Socialiste.

Ne kemi punuar ngushtësisht së bashku në këto vitet e fundit dhe me të vërtetë që jemi mirënjohës për këtë. Në fakt e kemi diskutuar jo vetëm në momentin kur është zgjedhur Zëvendëspresident, por edhe më përpara përvojën tonë në shumë vende, ashtu si dhe në Shqipëri.

E kemi thënë, që është e vërtetë se duhet të ekzistojnë parakushtet për të pasur një ecuri, për të pasur një përparim, për të pasur një fitore, por në këtë pikë gjithashtu na duhet të sjellim bashkë komponentët e ndryshëm, apo njerëz të ndryshëm, të cilët ndajnë filozofinë tonë. Kjo strategji që ne kemi diskutuar, është një strategji që Edi e bëri të vetën dhe ndodhem këtu sepse është ky moment, është kjo pikë shumë e rëndësishme që ne po e përmbushim, po e arrijmë atë.

Jam këtu sot me Edin, ndërkohë që më parë isha me Ilir Metën nga LSI dhe në fakt jam këtu sepse jam i lumtur të përgëzoj Edin dhe Ilirin për këtë bashkim. Në këtë koalicion të madh, që Edi gjithnjë ka punuar për ta ndërtuar, është mirë që të sjellim sa më shumë njerëz.

Ky ka qenë parakusht për ndryshim, ka qenë parakusht për fitore dhe tashmë është një realitet. Për ne në Internacionalen Socialiste, Shqipëria është pjesë e gjithë këtyre demokracive të reja në mbarë botën. Ka qenë një rrugë e gjatë në këto 20 vjet, ndoshta dhe komplekse, ndoshta dhe me shumë ndryshime, por është e njëjta rrugë që është ndjekur nga shumë demokraci qoftë në Europë apo edhe vende joevropiane si edhe në Amerikën latine.

Edhe në vendin tim ka ndodhur e njëjta gjë, kemi ndjekur të njëjtën rrugë. Kemi qenë në qeverisje, tani jemi në opozitë, do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe do të jemi sërish në qeverisje, ju lutem shikoni zhvillimet në Kili, por këtë e kemi bërë sepse kemi pasur mundësi dhe kemi qenë në gjendje që të rindërtojmë, të sjellim bashkë elementë të njëjtë.

Dhe përveç pjesës objektive që është e para, kemi dhe pjesën subjektive. Cila është ndjesia e njerëzve, cila është ndjesia e atyre personave që marrin vendimet në raport me atë që do të ndodhë në 23 qershor. Unë kam ardhur këtu t’ju vizitoj shumë herë si pjesë e Internacionales Socialiste dhe unë vetë e kam ndier këtë pjesë.

E kam ndier që ky është një moment unik sot në Shqipëri. Është moment unik sepse shohim që jemi përballë ndryshimit. Pas është e shkuara, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E kemi përmendur shumë herë këtë. Ndërkohë, e gjithë bota le ta dijë se asgjë më pak nuk do të ndodhë kësaj here se sa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kemi sot një qeverisje, koha e së cilës ka skaduar, koha e së cilës nuk mund të zgjasë më sepse nuk ka më premtime për të bërë, premtime për gjëra për të përmbushur. Dhe nga ana tjetër keni një koalicion forcash, keni parti dhe një lider, i cili vjen me ide të reja, me propozime të reja, me një program për ndryshim, që është diçka e cila bazohet në demokraci, dhe që beson te pushteti i njerëzve, te pushteti i tyre për të vendosur brenda të drejtave dhe lirive të tyre. Këto janë kohë të vështira, kohë të cilat janë të vështira jo vetëm për Europën, por në përgjithësi për ekonominë globale, e cila po na vë përballë sfidave të papërballueshme. Por në Shqipëri ekzistojnë persona, të cilët janë të gatshëm të përballen me këto sfida, persona të cilët janë të gatshëm të prodhojnë, të prodhojnë punësim, të prodhojnë mundësi. Kemi njerëz si Edi Rama, të cilët janë gati ta përmbushin këtë program, janë gati të bëjnë të pamundurën që këto gjëra të realizohen, që këto gjëra të përmbushen.

Pra, të nderuar miq jam këtu sepse ajo çka kemi parë këtë javë, kjo marrëveshje është e mirë për Shqipërinë dhe jam absolutisht i bindur se është sigurisht diçka e mirë për të gjitha forcat progresiste të Europës, për të gjitha forcat progresiste në botë që të ndjekin shembullin e shokëve tanë të Partisë Socialiste. Në fakt është mirë dhe për Internacionale Socialiste dhe unë do të jem këtu sepse jam angazhuar. Në 23 qershor do të jem ai që do të vëzhgoj momentin historik për Shqipërinë".

EDI RAMA: "Faleminderit Luis. Është vërtet një fat dhe një përgjegjësi që ne socialistët shqiptarë kemi sot miq kaq të vërtetë dhe kaq të vendosur për të na mbështetur në rrugën e vështirë të kapërcimit të një kapitulli që do të mbyllet në 23 qershor dhe të hapjes së një kapitulli tjetër. Të kapitullit të një Rilindjeje Shqiptare që ne do ta realizojmë të gjithë së bashku, me mbështetjen e paçmuar të miqve tanë, të Internacionale Socialiste, të së majtës socialiste europiane, dhe pa asnjë dyshim në qeverisjen e vendit me mbështetjen e paçmuar të partnerëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në një rrugëtim që do të jetë absolutisht i vështirë, por do të jetë i jashtëzakonshëm për nga ndryshimet që ne do të sjellim. Ndryshimet që do të sjellim në 100 ditët e para, në 300 ditët e para, dhe në mandatin tonë të parë. E ne duam që të gjithë të na gjykojnë për ato që do të bëjmë dhe jo për çka parafytyrohet gabimisht si e pamundur. Asgjë nuk është e pamundur tani që ne jemi bashkë. Asgjë nuk është e pamundur tani që nëpërmjet këtij bashkimi ne u japim të gjithë shqiptarëve një mesazh të qartë dhe të fortë: E shkuara na vlen për të mos përsëritur gabime të cilat sot janë një thesar eksperience dhe e ardhmja është përpara nesh si një sfidë e madhe që ne do ta fitojë".

PYETJE NGA MEDIAT: 

Z.Rama, a do të jenë ju kandidati për kryeministër i koalicionit të majtë? Dhe një pyetje për zotin Ajala. A i keni dëgjuar ndonjëherë akuzat që zoti Rama dhe zoti Meta kanë shkëmbyer gjatë këtyre katër viteve të fundit dhe si shpjegohet që vetëm tani vijnë thirrje nga strukturat ndërkombëtare të socialistëve për një ribashkim?

LUIS AJALA: "Ne si Internacionale Socialiste jemi organizatë e madhe, përfshijmë shumë parti, përfshijmë shumë forca, e në fakt nuk mund të shkojmë e të ndërhyjmë kudo. Problemi është se çdo gjë vendoset nga vendi, nga momenti dhe është Shqipëria në këtë rast që vendos momentin e saj politik, momentin kur ndodhin gjërat. Mes forcave politike ka gjithmonë debate, ka gjithmonë ide të reja, ka gjithmonë përballje sepse kjo është politika dhe kam përshtypjen sepse nuk do të ndalë këtu, sepse edhe nesër, pasnesër kur të jenë në qeverisje unë pres që ky koalicion të ketë ide që të konfrontohen, ide që të përballen. Sepse Edi Rama ka thënë që do një qeverisje që të jetë në kontakt me njerëzit, dhe duke qenë në kontakt me njerëzit do të vijnë vizione të reja, do të vijnë ide të reja. Më së pari u tha që z.Rama ka thënë që dua një qeveri, e cila të gjykohet për atë që bën dhe kjo është e rëndësishme. Nëse ka dyshime, atëherë sillini, ky është një frymëzim për të gjithë këtë qeverisje dhe është gjithnjë një parakusht për një qeverisje të mirë. Në kohët që presim, themi që edhe ky debat, kjo përballje politike është e mirëpritur sepse në vjen në kohën më të mirë dhe në fakt të gjithë këtë presin".

EDI RAMA: "Ndërsa unë do thosha për t’ju përgjigjur pyetjes, që së pari ne nuk kemi asnjë kundërshti lidhur me rendin e gjërave të punëve. Ne do të fitojmë zgjedhjet dhe do të qeverisim në koalicion me LSI-në dhe me forcat e tjera të koalicionit. Qeverinë do ta drejtoj forca kryesore e koalicionit që është Partia Socialiste, por çka është shumë më e rëndësishme është se të gjitha këto dyshime për pas 23 qershorit për mua personalisht janë të shëndetshme. Njerëzit jo vetëm mund, por duhet t’i mbajnë, sepse janë sfiduese dhe qeveria do të gjykohet mbi bazën e atyre që do të bëjë. E të gjitha këto dyshime do ta ndihmojnë qeverinë që të jetë shumë më e vëmendshme dhe njëkohësish shumë më e përgjegjshme sesa çdo qeveri që Shqipëria ka njohur në këto 22 vjet. Këtë unë mund t’ua garantoj qysh sot.

Ajo që duhet të mbahet parasysh nga të gjithë është se deri në 23 qershor Shqipëria ka një detyrë. Një detyrë ndaj të ardhmes dhe ndaj gjeneratave të reja: Të largojë me votë Saliun dhe partinë e tij familjare pa lejuar që këtë herë fuqia deformuese e mekanizimit të vjedhjes, që dy herë rresht ka ndaluar popullin sovran të vendosë, të mund të përmbysë vullnetin e popullit sovran. Pastaj do të fillojë një histori e re, do të hapet një kapitull i ri, do të jemi përballë sfidash të cilat do ti fitojmë edhe sepse njerëzit nuk do të na japin një mandat symbyllur, por do të na japin një mandat me sytë katër.

Kjo është e shëndetshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kjo është e shëndetshme për këdo që kërkon jo një parti në vend të një tjetre, jo një kryeministër në vend të një tjetri, jo një grusht njerëzish në vend të ca të tjerëve për të vazhduar të njëjtën histori që e ka rraskapitur Shqipërinë, por që kërkon një ndryshim real".

Ne nuk do të rishpikim popullin shqiptar. Ne nuk do të rishpikim personalitetet që populli shqiptar ka zgjedhur të votojë. Ne do të rishpikim qeverisjen, do të rishpikim sistemin e qeverisjes dhe do ta rishpikim jo duke shpikur diçka që bota nuk e njeh, por duke bërë atë që s’është bërë në gjithë këto vite implementin në këtë vend të një modeli europian të qeverisjes, me njerëzit dhe për njerëzit. Të një qeverisjeje europiane që të mos përzihet në punët e pushteteve të tjera, kushtetuese. Të mos i qëndrojë si pengmarrës mbi zverk të gjithë atyre që kanë të tjera detyra kushtetuese. Të mos përzihet në punët e medias dhe të shtypit të lirë. Të mos përzihet në jetën personale të qytetarëve. Të mos përzihet në mendimet, në bindjet dhe në liritë e të drejtat e mësuesve, të mjekëve, të të gjithë rrogëtarëve të shtetit që do të punojnë për shtetin dhe për shqiptarët dhe nuk do të punojnë për t’u bërë dekori i koncerteve qeveritare. Dhe të mos përzihet për të ngatërruar çështjet e zhvillimit të rajonit tonë në rrugën e paqes, në rrugën e një paqeje që krijon mirëqenie ekonomike. Duke krijuar kushtet që të bëjë një transformim historik. Transformimin historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo ku janë.

Duke bashkëpunuar me të gjithë dhe duke e shfrytëzuar forcën tonë morale si një vend që garanton stabilitet për mirëqenien ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Këto janë sfidat e pas 23 qershorit.

Ndërkohë që sfida e madhe është që sot të fokusohemi tek pengesa që është mes nesh dhe të ardhmes, jo mes Partisë Socialiste dhe të ardhmes, as mes Partisë Socialiste, LSI-së koalicionit tonë të të ardhmes, por mes shqiptarëve dhe të ardhmes. Kjo pengesë është partia familjare e Sali Berishës në një pushtet të korruptuar deri në palcë që sot po jeton duke ngrënë peshqit e fundit të një kënete që pas 23 qershorit nuk do të funksionojë më si e tillë. Ti japim parlamentit shqiptar fuqinë që të veprojë si pushteti legjislativ. Ta ndajmë pushtetin legjislativ nga pushteti ekzekutiv. Ti japim ekzekutivit shqiptar përgjegjësinë, por edhe barrën e të qenit i kontrolluar nga parlamenti. Ti japim pushtetit gjyqësor mundësinë të funksionojë si pushtet gjyqësor, por i lëmë edhe barrën që të përgjigjet përpara shqiptarëve pa u fshehur nën petkun mbrojtës të qeverisë apo pa u mbuluar me alibinë se nuk e lë qeveria të bëjë drejtësi. Ti japim po ashtu të gjitha agjencive shtetërore mundësinë të funksionojnë si të tilla, jo si organizata partie të lidhura me një parti apo me një tjetër. Ti japim mundësi gjithë shqiptarëve që duan t’i shërbejnë këtij shteti, të konkurrojnë përmes një procesi transparent rekrutimi në administratë dhe të provojnë se janë të gatshëm të jenë nesër sekretar të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm, drejtues të agjencisë shtetërore apo qoftë edhe mësues. Ti japim prindërve mundësinë të vënë gishtin për të zgjedhur mësuesit e fëmijëve të tyre, së bashku me ekspertët. Ti kthejmë shkollat në qendra komunitare. Ti japim shkollës autonomi por dhe përgjegjësinë që të rrijë në kontakt me prindërit dhe të informojë prindërit. T’u japim fëmijëve një perspektivë tjetër. Të mos lëmë të vetmen alternativë për nxënësit “Champions League”, me bastet dhe bingot për të fituar ndonjë lekë për të vënë ndonjë bast. Por të fusim sportin për të gjithë, të krijojmë mundësi për aktivitete të tjera kulturore dhe me radhë. Këto janë sfidat.

Të mos kemi më fëmijë që të mbeten analfabetë, sepse prindërit nuk kanë lekë t’ju blejnë librat apo se shteti nuk begenis të shkojë dhe t’i marri nga shtëpia në shkollë në zonat rurale. 15% analfabetizëm sot në Shqipëri, me 5% analfabetizëm e kanë marrë qeverinë. Po ti mbajmë këta edhe disa mandate të tjera katandisen shqiptarët që të numërojnë me gishta edhe t’i shikojnë librat e Naim Frashërit dhe të Ismail Kadaresë si hieroglife kineze. Këto janë sfidat, kjo është rruga që ne kemi përpara, e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë e rrugës ajo deri 23 qershor është që të votojmë dhe të fitojmë për ta vënë në provë këtë bashkim, për ta vënë në provë një qeveri të socialistëve, të progresistëve dhe të gjithë atyre që duan një Shqipëri tjetër. Pjesa e dytë e sfidës është ajo që fillon pas 23 qershorit dhe ju përsëris me një qeveri që duhet të gjykohet nga ato që bën. Hap pas hapi. Jo nga fallxhorët e analizave që gëlojnë sot në të katërt anët mbi banaqet televizive duke bërë predikime në hava.

PYETJE: Dakordësi të mundshme për votimin në parlament të 3 ligjeve?

EDI RAMA :
Është bërë një spekulim i madh për këtë. Ne do të jemi në procesin e negocimit të një dokumenti që do t’ua paraqesim shqiptarëve si koalicion. Ju siguroj në procesin e afrimit dhe të bashkimit të forcave në një front opozitar nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kusht nga ana jonë ndaj LSI-së dhe nga ana e LSI-së ndaj nesh. Asnjë kusht! Ka pasur dhe ka reflektim, analizë dhe angazhim për të transformuar Shqipërinë. Tre ligjet as nuk kanë qenë dhe as nuk janë kusht i vendosur mes nesh. Tre ligjet janë pjesë e sfidës së integrimit dhe për ne qëndrojnë pjesë e kësaj sfide dhe jo të veçuara prej saj. Ne s’kemi besuar asnjë ditë se Shqipërinë nga Europa e ndajnë tre ligje dhe ne besojmë se Shqipërinë nga Europa e ndajnë 3 pushtete që sot mungojnë. Një pushtet legjislativ i cili të mos kontrollohet nga ekzekutivi dhe nga interesa që përmes ekzekutivit kopsisin ligje për të grabitur Shqipërinë. Një pushtet ekzekutiv që të mos kontrollohet nga korrupsioni dhe një pushtet gjyqësor që të mos kontrollohet nga ekzekutivi dhe korrupsioni së bashku. Këto 3 pushtete e ndajnë Shqipërinë nga Europa. Ne jemi të vendosur që t’ia japim Shqipërisë këto 3 pushtete në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe të aspiratës europiane të shqiptarëve. Ajo që ju duhet të përjetoni, gjithë publiku, është një buzëqeshje me dyshim, ruajeni dyshimin dhe lërjani kohës të provojë nëse këto që po them do të jenë nesër një kantier i madh i ndërtimit të shtetit shqiptar apo thjesht angazhimet e radhës që nuk do të mbahen. Por në të gjitha rastet askush të mos e harrojë që thjesht dhe vetëm largimi i kësaj partie familjare dhe i këtij kryefamiljari nga zyrat e qeverisë dhe të shtetit është në vetvete një premisë e jashtëzakonshme për një Shqipëri tjetër.

PYETJE : Ka një protestë nga AK për largimin e Berishës, komenti juaj?

EDI RAMA : Komenti im është i thjeshtë dhe i qartë. E kam thënë dhe e përsëris. Kjo është një betejë jo në një mjedis normal demokratik, jo midis alternativash që kanë fushë të lirë përballë një populli që mund të gjykojë lirisht dhe të ndajë do shkojë majtas apo do shkojë djathtas. Kjo është një betejë për t’u çliruar nga një regjim i cili ka prodhuar një kapitalizëm familjar. Dhe në këtë betejë dëshiroj ta theksoj për gjithë shqiptarët kemi nevojë për një front opozitar dhe jo për axhenda të ndara nga axhenda e këtij fronti.

Unë uroj që edhe Aleanca Kuq e Zi të jetë pjesë e këtij fronti dhe jam shumë i dëshiruar të besoj deri në fund që në Shqipëri nuk do të përsëritet skenari i njohur i shumë diktaturave të korrupsionit që për t’i shpëtuar fronteve opozitare prodhojnë parti radikale kundër vetvetes për të çoroditur votën e popullit.

Jam 100% i vendosur të mos besojë se ky skenar të mund të funksionojë edhe në Shqipëri dhe jam absolutisht i hapur për çdo forcë që bashkohet në dy qëllime; qëllimi afatshkurtër partia familjare e Saliut dhe vetë Saliu si kreu i qeverisë të largohen në 23 qershor duke i dhënë mundësi Partisë Demokratike të rilindë në opozitë gjithashtu. Dhe dy, të ndërtojmë Shqipërinë europiane pa nacionalizma që na lënë në një cep të padëshiruar, ndërkohë që kemi të gjitha arsyet të kthehemi në forcë lider në rajon së bashku me Kosovën. Dhe pa retorika që historia e re dhe e vjetër e zhvillimeve demokratike ka provuar se premtojnë parajsën, por ndërtojnë vetëm ferrin".

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: SKAPI u bë SPAK!

Skënder Minxhozi: SKAPI u bë SPAK!