Konferenca e plotë për mediat e Metës: Raporti me Monën, me Edin dhe pse bëri ftesën në 5 të mëngjesit....

Konferenca e plotë për mediat e Metës: Raporti me Monën, me Edin dhe pse bëri ftesën në 5 të mëngjesit....

Konferenca e plotë për mediat e presidentit Ilir Meta ku shpalli dekretin për datën e re të zgjedhjeve vendore 2019, 13 tetorin

Presidenti Meta: Dua ta nis këtë Konferencë të veçantë të Shtypit duke ju njohur me dekretin për datën e re të zgjedhjeve të përgjithshme vendore, që është 13 tetori 2019.

Dhe po kështu, edhe me shpjegimin tim për dy arsyet kryesore përse kam vendosur për 13 tetorin, sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithëpërfshirëse, jo vetëm sa i takon vullnetit të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por njëkohësisht edhe atyre që dëshirojnë sipas të gjithave afateve ligjore dhe procedurale, të jenë të përfshirë në një administrim gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor.

Kjo është arsyeja e parë.

Arsyeja e dytë, sepse sikurse e kam nënvizuar edhe më 8 qershor kur e bëra publik vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, sikurse e kam theksuar edhe më 10 qershor këtu para jush në shpjegimet kushtetuese, ligjore dhe logjike të atij anulimi, një nga arsyet kryesore ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian të mosshkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut lidhur me çastin e çeljes së negociatave.

Për fat të keq kemi humbur mjaft kohë, si nga 8 qershori, si nga 10 qershori e deri tani, por për fat të mirë ende në axhendën e Bashkimit Europian është për t’u marrë një vendim për të dyja vendet, pra jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendin tonë, për çeljen e negociatave në tetor dhe pikërisht Këshilli i Bashkimit Europian është më 17-18 tetor.

Dhe duke zgjedhur 13 tetorin si datën më të shpejtë për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan të marrin pjesë, dhe njëkohësisht edhe për të dhënë një mesazh pozitiv përmes këtyre zgjedhjeve për një vendim pozitiv shpresojmë dhe duhet të punojmë të gjithë bashkërisht – nga Këshilli i vendeve të Bashkimit Europian është në 17-18 tetor 2019.

Pra këto ishin dy arsyet kryesore, tani fjalën e keni ju.

Gazetarja: Zoti President, a keni marrë në takimin me zotin Lulzim Basha garancinë që ai do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve apo rrezikon që të kemi një datë të dytë dhe një bojkot të dytë nga opozita? Dhe kush do të mbajë përgjegjësi për gjithë këtë kosto financiare që do të ketë procesi i 30 qershorit? Vetëm fletët e votimit kushtojnë rreth 600 milionë lekë.

Presidenti Meta: Atëherë, lidhur me çështjen e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore më 13 tetor dua t’ju siguroj se unë nuk mund të detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje! Askënd!

Detyra ime si President i Republikës dhe si i vetmi institucion në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që ka përgjegjësinë e përcaktimit të datës së zgjedhjeve, edhe si përfaqësues i unitetit të gjithë popullit shqiptar, është që t’u jap mundësinë të gjithëve të reflektojnë.

Të bëhen pjesë e këtij procesi, të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste secila palë, dhe duke qenë se është një objektiv kombëtar i të gjithë forcave politike kudo ndodhen në mazhorancë apo në opozitë dhe i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, anëtarësimi në Bashkimin Europian, të sillemi në mënyrë europiane në këto orë, në këto ditë dhe në këto pak muaj që kanë mbetur që të marrim çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian në 17 -18 tetor, pra 3-4 ditë pas zgjedhjeve vendore.

Unë nuk mund të garantoj se cili do të marrë pjesë dhe cili nuk do që të marrë pjesë.

Unë dëshiroj që të gjithë të marrin pjesë, por në çdo rast unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë bashki në Republikën e Shqipërisë ku nuk do të ketë të paktën një kandidat alternativ!

Pra, nuk do të kemi asnjë bashki ku do të ketë praktikisht votime pa kandidatë alternativë, sepse kjo është në kundërshtim me të gjitha detyrimet europiane, ndërkombëtare, që janë edhe të detyrueshme edhe nga ana ligjore të vendit tonë.

Pra, jam i sigurt që nuk do të ketë asnjë bashki pa kandidatë alternativë.

Gazetari: Pak më parë Ju patët një takim me ambasadorët e vendeve të “Kuintit”, përfshirë edhe Ambasadorin e BE-së, Soreca. Besoj se ju i keni njohur me qëndrimin tuaj dhe cili ishte qëndrimi i tyre, pasi duhet marrë parasysh që vetëm dje Ambasada Britanike, Ambasada e SHBA-ve, kanë dërguar shkresë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e vëzhguesve për zgjedhjet e 30 qershorit, jo për ato të 13 tetorit?

Presidenti Meta: Duhet të jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin. Qëndrimi im ka qenë dhe është tepër i qartë. Në Shqipëri më 30 qershor nuk ka zgjedhje shtetërore dhe ligjore. Ka një këmbëngulje deri tani, por unë shpresoj të ketë reflektim, sepse një nga pretendimet ka qenë që nuk është caktuar një datë e re e zgjedhjeve. Unë pikërisht, duke synuar të dekurajoja përshkallëzimin e konfliktit dhe të tensionit, sepse çdo ditë që po kalonte drejt 30 qershorit, rrezikonim të kishim një konflikt edhe më serioz, kam që më 8 qershor, kam që më 10 qershor që pikërisht kam pritur në radhë të parë Kryeministrin, edhe si kryetar i mazhorancës, për të diskutuar për këtë mundësi që duhet t’u jepnim të gjithë partive të opozitës për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse për ato arsye që nuk ka nevojë këtu t’i përsërisim.

Këto kanë qenë mesazhe publike të dhëna në mënyrë konstruktive. Këto kanë qenë mesazhe edhe informale, edhe miqësore.

Ndërkohë, ju i dini reagimet e tij, unë nuk e kam humbur dhe nuk e kam ndërmend të humbas qetësinë. Përkundrazi, ua kam thënë këtu juve dhe të gjithë shqiptarëve, që unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e Opozitës, por jam këtu për të bërë maksimumin që të evitojmë një konflikt jo vetëm politik dhe institucional, por dhe social, dhe shoqëror, dhe komunitar kudo ku mund të zhvilloheshin zgjedhje të tilla.

Dje në mbrëmje u detyrova, për arsye edhe të kohës që po ngushtohej, t’i kërkoj zyrtarisht edhe formalisht Kryeministrit një takim, natyrisht edhe Kryetarit të Opozitës, zoti Basha. Ju e dini që konsultimet e mia kanë nisur menjëherë pas dekretimit të anulimit të zgjedhjeve me përfaqësues të forcave të ndryshme politike nga të dy krahët. Deri tani për të marrë vendimin për një datë të re ka qenë mungesa e një reagimi konstruktiv apo bashkëpunues nga ana e Kryeministrit.

Përgjigja e tij ishte se ka qenë shumë i zënë me fushatë, pra e kishte të pamundur nga ora 7 e mëngjesit e deri më ora 13.00 që unë isha i gatshëm të lija çdo gjë për t’ua takuar me të. Atëherë unë u detyrova që t’ia kërkoja takimin nga ora 5.00 e mëngjesit deri në ora 13.00, duke besuar që nga ora 5.00 deri në 7.00 është e vështirë të organizosh takime elektorale.

Pra, unë kam qenë i gatshëm në çdo kohë, në mesnatë, në çdo moment për të biseduar pasi për mua nuk ka gjë më të rëndësishme se sa stabiliteti i vendit, se sa paqja sociale, se sa kredencialet demokratike të Shqipërisë, që nuk janë dëmtuar edhe aq pak deri tani. Se sa e ardhmja europiane e Shqipërisë, se sa kredibiliteti i Shqipërisë si një vend që do të drejtojë për herë të parë OSBE-në vitin që vjen dhe që duhet të jetë shembull edhe për zgjedhjet, edhe për demokracinë, edhe për të drejtat e njeriut, sepse duhet të japë këshilla edhe për vendet e tjera në gjithë hapësirën e OSBE-së.

Më vjen shumë keq për reagimin e tij, por nuk do të humbas për asnjë moment qetësinë.

Unë nuk e kam për turp që jam burri i Monikës. Edhe këtë e di e gjithë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët. Dhe Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot zoti Rama, por ai e di më mirë se kushdo që unë në të gjitha detyrat që kam pasur, di të ndajë anën personale, shoqërore dhe familjare me anën shtetërore dhe institucionale. Për mua është tjetër gjë Monika, dhe është tjetër gjë Republika, aq më tepër në këtë detyrë tepër të rëndësishme që kam.

Së dyti, dua t’i bëj të qartë se axhenda ime është axhenda e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Vend anëtar i NATO-s prej 10 vjetësh, që sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg, ka në zemër demokracinë, këtë Aleancë.

Të një vendi që nuk dëshiron të dalë nga rruga europiane të dielën që vjen dhe në çdo moment në të ardhmen, sepse Shqipëria ka qenë Koreja e Veriut e kontinentit tonë për 45 vjet. Axhenda ime nuk është as axhenda: “të gjithë pushtetin sovjetëve”. Kjo është një axhenda bolshevike që populli ynë e ka provuar, si shumë popuj të tjerë për 45 vjet, nuk është as axhenda “Rama ik!” e Lulit, Monës dhe Doktorit, se unë nuk i them dot Saliu për shkak të pikës së dobët që kam për të, që e dini dhe ju.

Axhenda ime në raport me Kryeministrin është shumë e thjeshtë: Ajo është thjesht: “Edi reflekto!”, sepse ashtu sikurse unë jam në gjendje të bëj dallimin midis Monikës dhe Republikës, edhe atij i kam kërkuar prej 6 vjetësh, edhe kur kam qenë në koalicion me të, përpara se ta votonim për të qenë kryeministër i të gjithë shqiptarëve, edhe në vazhdimësi, deri dhe në drekën e fundit sekrete që u bë publike këtu, që duhet të bëjë dallimin mjaft të rëndësishëm midis të qenit kryetar i Partisë Socialiste, një parti shumë e nderuar me shumë kontribute në këto më pak se 30 vjet, dhe të qenit kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ky është një detyrim kushtetues, superior, edhe suprem në raport me detyrimet e pjesshme apo parciale, sepse është edhe kryeministër i atyre që protestojnë dhe që nuk është mirë që të denigrohen, pavarësisht nga zemërimi i drejtë apo i instrumentalizuar nga liderët e tyre. Janë edhe ata taksapagues të kësaj Republike, të këtij Shtetit dhe të kësaj qeverie që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama dhe ai në asnjë mënyrë nuk duhet ta harrojë këtë!

Dhe nëse ai e bën këtë dallim unë mendoj që ai do të jetë shumë mirë për të gjithë, dhe përpara do të kemi një të diel të mirë, pozitive dhe shpresëdhënëse për të gjithë.

Sa për ndërkombëtarët, ju e dini se më pyetën edhe pak më parë, jo janë tërhequr këta vëzhgues, jo nuk janë tërhequr këta vëzhgues: Vëzhguesit nuk i fton Presidenti dhe nuk i ka ftuar ndonjëherë Presidenca.

Si rregull vëzhguesit i fton qeveria. Vëzhguesit nuk i fton Presidenti dhe nuk i ka ftuar ndonjëherë Presidenca, si rregull vëzhguesit i fton qeveria.

Unë i kam takuar të gjithë ata që kanë dashur të takohen, jam takuar dhe me zonjën e nderuar, zonjën Glover, për të sqaruar këtë situatë të re sipas vlerësimit tim si President i Republikës. Kam shumë respekt për të personalisht për përvojën dhe për eksperiencën, dhe për integritetin e saj. Të gjithë ndërkombëtarëve thjesht u kam shpjeguar pozicionin tim për sa i përket anës kushtetuese dhe ligjore për datën 30 qershor.

Unë nuk ndaloj askënd dhe nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt, që të vëzhgojë proces votimesh ditën e diel apo kurdo që ata e çmojnë të arsyeshme, sepse është e drejta e tyre. Unë thjeshtë kam bërë të qartë, dhe bëj të qartë që ky është pozicioni ligjorë i kristaltë, në raport me zgjedhjet e ardhshme vendore që tashmë do të jenë më 13 tetor. Si mund t’i them unë dikujt që mos rri ti, sepse mund të mërzitem unë?

Ne shqiptarët në radhë të parë jemi mikpritës.

Së dyti unë vij nga një zonë që dallohet për një mikpritje të theksuar, si shumë dhe zona të tjera malore në Shqipëri.

Së treti, unë mendoj që 30 qershori është një ditë e mirë, jemi dhe në kulmin e sezonit turistik, nuk duhet ta humbasim këtë sezon, jo vetëm të dielën, por edhe në vazhdimësi gjatë muajve të ardhshëm. Pasi jo pak dëme i kanë ardhur ekonomisë sonë dhe aq shumë familjeve, agjencive, të cilat mbështeten te turizmi dhe te rritja e tij. Secili bën vlerësimin e tij dhe secili bën detyrën e tij.

Unë e kam bërë dhe e bëj detyrën time në emër të Presidentit të Republikës së Shqipërisë përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët i dua t’i shoh në paqe, në mirëkuptim, pavarësisht nga mendimet e ndryshme politike që kanë.

Gazetari: Pse pikërisht 13 tetori Zoti Meta? Dhe nëse mazhoranca, ose Kryeministri të paktën vazhdon të mos e njohë dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve më 13 tetor çfarë hapash ligjor do të ndërmerrni ju? Të paktën disa minuta më parë në “Tëitter” Kryeministri është shprehur i vendosur që zgjedhjet të mbahen në 30 qershor, duke mos njohur as çdekretin e 30 qershorit, as këtë të sotmin. Keni menduar hapa ligjor për të zbatuar këtë dekret të sotëm?

Presidenti Meta: Unë besoj se dhashë shpjegimet e duhura për momentin. Edhe ky është një moment i ri dhe i panjohur, i papritur, ende i paasimiluar mirë dhe në mënyrë racionale, nga aktorë të caktuar. Unë shpresoj reflektimin e të gjithëve, se cili është qëndrimi i Kryeministrit kjo është tashmë një përgjegjësi e tij në raport me ligjin, në raport me paqen sociale, raport me të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Më duhet të përsëris dhe një herë, që axhenda ime nuk është axhenda e opozitës, “Rama Ik” në këtë rast, është shumë më e thjeshtë “Edi reflekto”. Nuk i takon atij që të jetë protagonist i një të diele ndarëse midis shqiptarëve dhe i provokimi të krijimit të një shteti paralel.

Gazetari: Zoti President po nëse nuk reflekton zoti Rama?

Presidenti Meta: Ju kujtoni që unë jam kaq pashpresë që ai nuk do të reflektojë? Kemi kohë, kemi orë, kemi ditë, unë shpresoj që të gjithë të reflektojnë. Ka nevojë për reflektim të përgjithshëm. Sepse njerëzit janë të shqetësuar, familjet janë të shqetësuara, turistët që kishin rezervuar këtu për pushime nëpër hotele, shtëpi, familje janë shqetësuar, shumë prej tyre i kanë anuluar pushimet në Shqipëri. Po e humbën këtë vit në turizëm do humbasim dhe shumë vite të tjera, se ju e dini që kjo është çështje perceptimi, dhe nuk është vetëm Shqipëria ku mund të shkojnë turistët dhe të shijojnë pushimet e tyre.

Gazetari: Po flasim për reflektim. Ju patët një takim me kryetarin e Partisë Demokratike. A ka reflektuar ai dhe ka hequr dorë nga kushti për zgjedhje pa Edi Ramën si Kryeministër, dhe a keni marr nga ai garancinë se opozita do të futet në zgjedhje më 13 tetor?

Presidenti Meta: Besoj se kësaj pyetje ju përgjigja edhe më parë. Qëndrimi im për opozitën ka qenë në vazhdimësi që të sillet me përgjegjësi, që të artikulojë kërkesa të drejta dhe të realizueshme dhe të jetë bashkëpunuese në mënyrë që të tejkalojmë këtë krizë mjaft serioze edhe kushtetuese, edhe institucionale, politike edhe sociale, po jo pak edhe ekonomike që rëndon gjithë qytetarët shqiptar.

Kjo është një mundësi për reflektim për gjithëpërfshirje dhe në çdo rast unë jam i sigurt që Shqipëria më 13 tetor, nuk do të ketë në asnjë bashki besoj, votime. Pra, kandidatë të emëruar, të pavotuar, pa garë, pa alternativë, sepse kjo është kundër të gjitha parimeve dhe vlerave të Organizatave Ndërkombëtare Europiane ku ne jemi pjesë dhe që duam të integrohemi më tej.

Gazetari: Zoti President, para dekretimit të datës së re, ju u takuat me ambasadorë Europian, por nuk patët një takim me përfaqësues te Ambasadës Amerikane, pse? A duhet të ishit konsultuar edhe me ta?

Presidenti Meta: Besoj se takimet e mia kanë qenë në vazhdimësi me partnerët europian dhe perëndimorë të Shqipërisë. Qëndrimet e mia kanë qenë gjithmonë, të  qarta, të hapur, konstruktive, edhe të paanshme.Vendimet që unë kam marrë janë tërësisht në përgjegjësinë time institucionale, kushtetuese, por edhe njerëzore. Jam i bindur që vendimet kanë qenë dhe janë  shumë të drejta në raport me interesat e vendit, të demokracisë, të unitetit të popullit të paqes sociale dhe të garantimit të së ardhmes europiane. Ju e dini se Shtetet e Bashkuara mbështesin fort të ardhmen europiane të Shqipërisë, integrimin e saj në Europë dhe e kam thënë disa herë këtu, zgjedhjet pa opozitën në 30 qershor nuk egzistojnë më ligjërisht dhe që tashmë janë në 13 tetor. Edhë në mënyrën më të paqtë të ndodhin do ta vononin të ardhmen europiane të Shqipërisë, për një afat të pacaktuar, sepse janë detyrime ligjore të një marrëveshje që Shqipëria ka nënshkruar dhe të organizatave ku Shqipëria aderon dhe dëshiron të jetë pjesë.

Gazetari: Zoti President, ju gjatë gjithë kësaj kohe keni folur për reflektim dhe për një përpjekje të vazhdueshme të Institucionit të Presidentit, për të shmangur çdo konflikt mes qytetarëve. A jeni ju 100% i qetë Zoti President, se dekreti juaj sot për të patur zgjedhje në 13 tetor, nuk do të shërbejë si një motiv më shumë që qytetarët të përplasen ditën e dielë. Pyetja e dytë, për një kohë të gjatë ju iu referuat kryeministrit dhe drekën që , keni patur më të pak ditë më parë, në drekën që keni pasur, i keni bërë më dije zotit Rama, se mund të dekretonit një datë të dytë? Ai dje tha se, priste një vendim jo surprizues nga ana juaj, edhe kur flisni në mënyrë të vazhdueshme për kanale informale, në përpjekje për të biseduar më zotin Rama, sot, a i keni përdorur këto kanale informale edhe për ta informuar Kryeministrin, për dekretin tuajin të sotëm,  apo ai e ka mësuar për mes ekraneve?

Presidenti Meta: Le t’u referohemi akteve zyrtare, në 24 maj në qoftëse kthehemi pak pas, kemi një deklaratë publike nga përfaqësuesit zyrtarë të CDU/CSU- së në Bundestag, zoti Ëadephul, zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar dhe zoti Shmid, raportues për Shqipërinë, bënin thirrje, konstruktive, dashamirëse, të përgjegjshme të gjitha palëve, për dialog dhe për të zgjidhur këtë krizë, duke përfshirë këtu edhe organizimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe duke kërkuar çdo mundësi në këtë drejtim madje, duke ofruar dhe një gadishmëri të tyre për të ndihmuar të dyja palët.

Në 24 maj, unë kam bërë një deklaratë zyrtare që mund t’i referoheni edhe në ëeb-in, në faqen zyrtare të Presidencës, duke mbështetur thirrjen dhe duke shprehur publikisht edhe zyrtarisht disponimin tim, pikërisht për të rishikuar datë e zgjedhjeve përmes një dekreti të ri, pasi palët të ishin dakortësuar siç do ishte rruga më e mirë nga pikëpamja politike. Reagimi im, për të kontribuar që Shqipëria dhe shqiptarët të kishin zgjedhje mjaft demokratike dhe gjithë përfshirëse ka qenë publik dhe ka qenë zyrtar, përveçse informal përpara dhe pas këtij reagimi publik edhe zyrtar. Ndaj, edhe nuk ka qenë asnjë surprizë vendimi im, për Kryeministrin dhe për shumë të tjerë që e kanë ditur këtë qëndrim.

Gazetari: Sot është informuar paraprakisht, për dekretin tuaj?

Presidenti Meta: Unë e kam pritur që të diskutoja e që të bisedoja. Këtu kam qenë që në orën 04:47 minuta dhe vazhdoj të jem edhe tani që ndodhemi së bashku. Por, është detyra dhe përgjegjësia ime, të bëjë gjithçka në përputhje me detyrimet e mia kushtetuese dhe institucionale, për të garantuar zgjedhje gjithë përfshirëse, demokratike dhe për t’i ftuar të gjithë të sillen në mënyrë europiane. Unë mendoj që qytetarët tanë e meritojnë këtë gjë, klasa politike është përballë një testi, për të mos u bërë më pengesë apo dhe përgjegjësë, për shanset e humbura të Shqipërisë.

Gazetari: Zoti Meta, në qoftë se Edi Rama nuk do të regjistrohet së bashku me aleatët e tij në 13 tetor. A do kemi një dekret të tretë nga ju? Që të mos lëmë shqiptarët të shkojnë në zgjedhje pa një kandidatë alternative?

Presidenti Meta: I treti i vërteti? Unë besoj që  ky dekret është tashmë publik, secili duhet të marrë përgjegjësinë e tij, Unë e kam marrë përgjegjësinë time, para jush dhe para gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i gatshëm të përgjigjem për këtë akt, përpara çdo gjykate shqiptare dhe ndërkombëtare që ka juridiksion në vendin tonë, përfshirë edhe Gjykatën e Hagës, por të jeni të sigurt që, është një vendimi mrekullueshëm që, shqiptarët të kenë një të diel të mirë, pozitive, të gjithë të qetësohen, të reflektojnë edhe ne ta vazhdojmë këtë rrugë që kemi nisur në dhjetor të ’90-s. Se, unë jam edhe një nga ata përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, ku pata dhe fatin historik të merrja pjesë në takim me udhëheqësin e fundit komunist, zotin Ramiz Alia dhe shkuam atje të bindur se do kishim shumë pak shanse që të ktheheshim prapë të Qytetin “Studenti” dhe mund të përfundonim atje ku kishte përfunduar Pjetër Arbnori më shokë, po ja që ia arritëm dhe unë mendoj që, ka nevojë për reflektim nga të gjithë dhe në mënyrë të veçantë nga Kryemininistri në rastin konkret, po të kemi parasysh se, edhe Ramiz Alia, se ndoshta ju e keni harruar, në fillim të vitin 1991, e shtyu datën e zgjedhjeve për t’i krijuar mundësi opozitës që, të merrte pjesë në zgjedhjet e para pluraliste që u zhvilluan në Shqipëri. Ne tani jemi 30 vite pas, dhe duhet të tregojmë që Shqipëria,  është në nivel tjetër dhe ecën e sigurt drejt një Shqipërie të vërtetë europiane, që bazohet në sundimin e ligjit dhe në vlerat themelore të demokracisë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • CaBone: 27/06/2019 21:21

    Drridhe Like boje trrike hahahaha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen