Institucionet shqiptare të sigurisë dhe hetimit në vend nuk kanë asnjë dyshim se zgjerimi i bashkëpunimit mes shteteve, është një armë më shumë për të goditur krimin e organizuar.
“Në botën e sotme, krimi i organizuar, terrorizmi, krimi kibernetik nuk njohin më kufij. Asnjë shtet, asnjë institucion, sado i fuqishëm, nuk mund të garantojë sigurinë i vetëm. Partneriteti ndërkombëtar nuk është vetëm një zgjedhje, por një domosdoshmëri e panegociueshme”, tha ministri i Brendshëm Ervin Demo.
Në konferencën e përvitshme të të diplomuarve nga Europa në Akademinë e FBI-së, drejtori i Policisë Skënder Hita, e cilësoi po ashtu thelbësor, bashkëpunimin mes vendeve për të goditur rrjetet kriminale.
“Informacioni që shkëmbehet në kohë, ekspertiza që ndahet dhe besimi që ndërtohet mes agjencive mund të bëjnë diferencën në parandalimin e një krimi, në identifikimin e një rrjeti kriminal apo në çmontimin e një strukture që vepron përtej kufijve”, tha Hita.
Një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim kanë edhe procedurat e ndihmës juridike mes shteteve.
“Letërporositë që ne bëjmë janë 2 herë më të larta sesa ato që na bëjnë partnerët. Shqipëria ka pasur një pjesë aktive jo vetëm të numrave, por edhe nga ana rajonale duke parë edhe pjesën e fondeve të limituara që ne kemi dhe punës së madhe që ne kemi bërë”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
Edhe SPAK vuri theksin te rëndësia e shkëmbimit të të dhënave
“Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri”, tha drejtuesi i SPAK, Klodian Braho.
Për Jim Gallagher, presidentin e FBI National Academy Associates, rrjeti i të diplomuarve në Akademinë e Byrosë amerikane të Hetimit ofron përmes bashkëpunimit një mundësi suksesi në përballjen me krimin ndërkombëtar dhe garantimin e sigurisë.

“Krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti mes agjensive ligjzbatuese duhet t’i kapërcejë ata”. Ky ishte mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, që zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.
Në fjalën e tij, drejtori i Policisë u ndal te bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese përballë rrjeteve kriminale që veprojnë në disa shtete, përdorin teknologjinë dhe lëvizin para e njerëz përtej kufijve.
Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
“Është kënaqësi e veçantë dhe përgjegjësi për mua të marr pjesë në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, me temën kaq aktuale, ndërtimi i partneriteteve ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, për një mjedis më të sigurt.
Në emër të Policisë së Shtetit, ju uroj mirëseardhjen në Shqipërinë e dëshirës, vullnetit dhe vendosmërisë për të qenë pjesë aktive e përpjekjes së përbashkët kundër fenomeneve kriminale që nuk njohin kufij.
Fakti që Shqipëria është mikpritëse e kësaj konference të rëndësishme ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, tregon nivelin e bashkëpunimit dhe besimit që Policia Shqiptare ka ndërtuar me agjencitë ligjzbatuese partnere në Evropë, SHBA dhe më gjerë, veçanërisht përballë sfidave dhe kërcënimeve që nuk njohin kufij shtetërorë.
Për të arritur këto standarde, Policia e Shtetit ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të vështirë.
Por ajo ka gjetur forcë dhe ka ditur të ringrihet. Së pari, është ringritur mbi gjakun dhe sakrificën sublime të 232 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Kujtimi i tyre është betimi ynë i përditshëm për të mos u tërhequr kurrë përballë krimit.
Sot, Policia e Shtetit është një polici ndryshe. Është një polici moderne, profesionale dhe me teknologji të avancuar. Kemi investuar në modernizimin e strukturave, në digjitalizimin e shërbimeve, në teknologji, në analizën e të dhënave, në hetimin kibernetik, në strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit.
Rezultatet e operacioneve tona të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me partnerët e tjerë euroatlantikë, janë prova të transformimit dhe të profesionalizmit të Policisë Shqiptare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale.
Kjo është arsyeja pse partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar.
Informacioni që shkëmbehet në kohë, ekspertiza që ndahet dhe besimi që ndërtohet mes agjencive mund të bëjnë diferencën në parandalimin e një krimi, në identifikimin e një rrjeti kriminal apo në çmontimin e një strukture që vepron përtej kufijve.
Akademia Kombëtare e FBI-së ka krijuar ndër vite një komunitet profesionistësh që tejkalon kufijtë dhe që e sheh sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët.
Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e temës së kësaj konference: krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti ynë duhet t’i kapërcejë ata. Nuk mund ta përballojmë këtë kërcënim të vetëm. Duhet të ndajmë informacionin, ekspertizën dhe përgjegjësinë, për të ndërtuar një përgjigje të përbashkët dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt.
Pavarësisht se mund të kemi sisteme, përvoja dhe mënyra organizimi të ndryshme, përballë krimit të organizuar kemi një sfidë dhe përgjegjësi të përbashkët, sepse krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ata.
Ndërveprimi dhe krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit në çdo nivel që kërkohet është mesazhi më i rëndësishëm që do të dalë nga kjo konferencë.
Ju siguroj se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht dhe me profesionalizëm me të gjithë partnerët ligjzbatues kombëtarë e ndërkombëtarë dhe të kontribuojë në çdo përpjekje të përbashkët që i shërben sigurisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit.
Ky është angazhimi ynë: më shumë besim, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë koordinim dhe veprim më i shpejtë përballë krimit.
Ju falënderoj për rikonfirmimin e besimit ndaj Policisë shqiptare, duke e sjellë këtë konferencë në Tiranë.
Jam i bindur se diskutimet dhe përvojat e ndara gjatë kësaj konference, por edhe njohjet personale ndërmjet jush, do të shërbejnë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të na bërë më solidë, më të shpejtë dhe më të vendosur në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Faleminderit!”








Komente
Komento