Ajo vlereson, se dëmi ekonomik i përpunimit të përfolur të lëndëve helmuese luftarake të Sirisë edhe në rastin kur nuk do të ketë asnjë avari teknologjike dhe/ose ndikim në mjedis, do të jetë me kosto mjaft të lartë financiare në afatgjatë, të llogaritur në miliarda-miliarda $ për Shqipërinë.
LAJMI PËR ARMËT KIMIKE SIRIANE NË SHQIPËRI, VDEKJEPRURËS PËR TURIZMIN
Ekonomia e Shqipërisë në afër 1 miliard &/vit që përbëjnë 10% të PBB mbështetet në të ardhurat nga turizmi. Përpunimi i lëndëve helmuese në territorin shqiptar, aq më shumë në sasi kolosale dhe në kushtet e jehonës së lajmit me një ndikim shumë të lartë marketingu negativ në gjithë opinionin botëror, do të ishte një goditje e drejtpërdrejt vdekjeprurëse mbi industrinë e turizmit, argumenton administratori i Përgjithshëm i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku.
DËM AFATGJATË ME MILIARDA EURO NË BUJQËSI DHE TURIZËM ME PASOJA TË PALLOGARITSHME
Duke marrë parasysh, se industria e turizmit është e lidhur ngushtë me prodhimin bujqësor dhe industrinë e agro-përpunimit si dhe me industrinë e shërbimeve në mënyrë kaskade dëmi i përllogaritur vjetor në afatgjatë do të ishte me miliarda $. Sa më sipër do të thotë, që ekonomia shqiptare do të merrte një goditje mjaft të rëndë. Ndërkohë në rast avarie të mundshme, duke pasur parasysh hapësirën gjeografike mjaft të kufizuar të vendit, mungesën pothuaj të plotë të njohurive të fushës, dobësinë institucionale të prekshme dhe mungesën e qartë të kontrollit të territorit, pasojat do të ishin të pallogaritshme.
GJITHË PARTITË POLITIKE DUHET TË JENË NË NJË ZË PARA GJITHË ALEATËVE STRATEGJIKË
Konfindustria vlerëson, se kostot financiare, ekonomike dhe institucionale duhet të paraqiten të plota dhe të arsyetuara para gjitha aleatëve strategjike të Shqipërisë.
Konfindustria i kërkon gjithë partive politike të vendit pa dallim ngjyrë politike, të pozitës dhe opozitës, që të shprehen në një zë të vetëm dhe qartë për të kundërshtuar përpunimin e lëndëve helmuese luftarake në vendin tonë. Në asnjë mënyrë nuk është rasti të fitohet kapital politik nga aleatët tanë strategjikë me pasojat e pallogaritshme ekonomike, financiare dhe mjedisore të vendit dhe qytetarëve tanë në afatgjatë.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)