Konfindustria: Regjistri i kredive
i hapur për të gjithë qytetarët

Konfindustria: Regjistri i kredive<br />i hapur për të gjithë qytetarët
TIRANE- Konfindustria i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të mbajë premtimin zgjedhor dhe të ndërhyjë ligjërisht pranë Bankës së Shqipërisë për të lejuar hyrjen pa kufizim në Regjistrin e Kredive për të gjithë sipërmarrjet dhe qytetarët shqiptarë sipas modeleve të vendeve të zhvilluara të botës demokratike. Gjergj Buxhuku Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria thotë se –“hyrja pakufizim në regjistrin e kredive është domosdoshmëri për transparencën”. Sot e drejta e hyrjes në të dhënat e Regjistrit të Kredive, të administruar nga Banka e Shqipërisë, është e mundur vetëm nga institucionet financiare kryesisht nga banka tregtare në procesin e kredidhënies.

Konfindustria vlerëson, se është domosdoshmëri tejdukshmëria e plotë e gjendjes  financiare të bizneseve, sidomos në kushtet kur rritja ekonomike për 2 vitet e fundit nuk do të kalojë kufirin e 2% të PBB, duke shënuar nivelin më të ulët prej vitit 1997. Gjithashtu një veprim i tillë është i domosdoshëm duke patur parasysh se niveli i kredive problematike ka arritur në pothuaj 25% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto/PPB dhe me humbje të sigurta për bankat deri më tash prej jo më pak se 500 milion $.

Konfindustria vlerëson, se hapja e plotë për publikun e të dhënave të Regjistrit të Kredive është e nevojshme për mbështetjen e investimeve të huaja në vend. Në të gjithë vendet e BE-së, e drejta e hyrjes në Regjistrin e Kredive është e hapur për publikun pa përjashtim. Veprimi i mësipërm do të ishte me vlerë të drejtpërdrejtë edhe për qytetarët e thjeshtë në kërkim të punësimit, duke sjellë një rritje cilësore të funksionimit të tregut të punës në Shqipëri.

Si dhe kur nisi funksionimin Regjistri i Kredive ?
Ishte 3 Janari  2008 kur në Bankën e Shqipërisë filloi funksionimin Regjistri i Kredive, që është baza elektronike e të dhënave për kredimarrësit e sistemit bankar.  Aktualisht pjesëmarrës në këtë Regjistër janë 16 banka dhe degë bankash të huaja, 3 subjekte financiare jobanka që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies si dhe 2 Unione të shoqërive të kursim kreditit në rolin e përfaqësueseve të shoqërive të kursim kreditit anëtare të tyre. Në fillim, raportuese të të dhënave në Regjistrin e Kredive ishin vetëm bankat dhe degët e bankave të huaja.

Duke filluar që nga 19 nëntori i vitit 2010, baza e të dhënave është pasuruar edhe me informacionin e raportuar nga 5 subjekte të reja jobanka.  Të gjithë këta raportues të dhënash, kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja. Në momentin e fillimit të funksionimit "live" të Regjistrit të Kredive, në të rezultonin 201.729 kredi të regjistruara, si dhe të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Raportuesit e të dhënave ngarkojnë çdo ditë kreditë e reja si dhe do të përditësojnë çdo fund muaji statusin e shlyerjes së kredive.

Regjistri përmban informacione pozitive dhe negative për kredimarrësin dhe këto të dhëna do të ruhen në Regjistër për 5 vjet.  Raporti i kredimarrësit që marrin raportuesit e të dhënave si produkt i Regjistrit përmban informacion mbi shumën e kredisë, shlyerjet e saj, shumat e vonuara, garancitë e vëna për të, të dhëna për linjat e kredisë ku kredimarrësi është person i lidhur, historiku i statusit të kredisë për dy vitet e fundit. Përdorimi i historikut të shlyerjes së kredive nga kredimarrësit do t'iu shërbejë raportuesve të të dhënave në procesin e vendimmarrjes si një informacion mbështetës për dhënien ose jo të kredive të reja duke reduktuar rrezikun e dhënies së kredive të këqia.

Sistemi informatik ka kapacitete të mjaftueshme për zgjerimin në të ardhmen edhe me përfshirjen në të, në një periudhë afatshkurtër, të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e qiradhënies financiare. Kjo zgjidhje do të lejonte gjithashtu edhe ndërfaqësimin në të ardhmen të këtij Regjistri me Regjistrin Kombëtar të Kartave të Identitetit, me Regjistrin e Hipotekave dhe të Barrëve Siguruese, etj

Pak ditë më parë nëpërmjet një komunikatë për mediat, Konfindustria mbështeti parimisht reformën territoriale-administrative në Republikën e Shqipërisë, duke e vlerësuar si domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit dhe i kërkon gjithë vendimarrjes politike të gjejnë rrugët e bashkëpunimit për kryerjen me cilësi dhe në një kohë sa më të shpejtë të procesit. Duke cituar administratorin e sajKonfindustria”, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të ardhura pranë saj veçanërisht nga biznese të huaja, thekson se në rradhë të parë copëtimi i tejskajshëm gjeografik i njësive vendore dhe së dyti shpërndarja joefektive e përgjegjësive përkatëse ndërmjet njësive vendore(komuna, bashki, qarqe), ka krijuar problematika të dëmshme në menaxhimin e investimeve të kryera.

Njëkohësisht, organizimi i sotëm territorial krijon pengesa shtesë krejtësisht të paarsyeshme për tërheqjen e investimeve të reja, duke ulur aftësinë konkuruese të Shqipërisë krahasimisht vendeve të tjera të rajonit.  Konfindustria këshillon, që organizimi i ri territorial-administrativ i vendit duhet të ketë si parësor kalimin drejt parimit të ekonomisë së shkallës si pjesë thelbësore e përvojës së vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian. Gjithashtu, përafrimi me organizimin e njësive vendore të Kosovës, është me rëndësi vlerësuar në këndvështrimin e lehtësimit të bashkëpunimit të sotëm mbarëshqiptar dhe zhvillimeve strategjike të pritshme në rajon.


Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë