Pas vendimit të Kosovës për ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga Shqipëria, të cilët pretendonin për shpërthimin e sëmundjes se murtajës së bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës, ka ardhur edhe reagimi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Përmes një njoftimi, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka konfirmuar se është zbuluar një rast i izoluar i Murtajs së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri.

Në njoftim bëhet e ditur se rasti është evidentuar në një fermë të mbarështimit të kaprinëve (dhi), me një total prej 220 krerë, në fshatin Okshatinë të Bulqizës.

Po ashtu Autoriteti bën të ditur se janë marrë masat e duhura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes te dhitë e delet e tjera. Autoriteti thekson gjithashtu se kjo sëmundje nuk përbën problem për shëndetin publik, pasi nuk transmetohet nga kafshët te njerëzit.

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve:

Konfirmohet një rast i izoluar i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se është konfirmuar një rast i izoluar i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Rasti është evidentuar më datë 30.03.2026  në një fermë të mbarështimit të kaprinëve (dhi), me një total prej 220 krerë, në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në laboratorin referencë të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.

Menjëherë pas konfirmimit të rastit, strukturat veterinare kanë ndërhyrë në terren duke zbatuar të gjitha masat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR. U krye hetimi epidemiologjik dhe u përcaktuan zonat e sigurisë, përkatësisht zona e mbrojtur në rreze 3 km dhe zona e mbikëqyrjes në rreze 10 km.

që përfshijnë territorin e bashkive Bulqizë dhe Dibër.

Në fermën e prekur u realizua eliminimi dhe asgjësimi i të gjitha kafshëve të mbetura, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve. Ferma u vendos në karantinë të plotë, duke ndaluar çdo lëvizje të kafshëve dhe personave dhe duke zbatuar masa të rrepta të biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Paralelisht, Shërbimi Veterinar ka vijuar monitorimin intensiv të fermave në zonat përreth, duke forcuar kontrollet në terren dhe duke zhvilluar takime informuese me fermerët për rëndësinë e zbatimit të masave parandaluese. Janë njoftuar gjithashtu institucionet përkatëse vendore dhe është siguruar e gjithë logjistika e nevojshme për menaxhimin e situatës. Nga monitorimi i kryer në zonën e mbrojtur dhe atë të mbikëqyrjes, që prej datës 31.03.2026, nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo shenja klinike që lidhen me këtë sëmundje.

Udhëzime për fermerët dhe mbarështuesit

AKVMB u bën thirrje të gjithë mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) të zbatojnë me rigorozitet masat e biosigurisë dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 33 66.

Sqarim për publikun

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) nuk është sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet tek njerëzit. Si e tillë, ajo nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin publik. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet të plotë dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.