LEZHË- Një person mbeti i plagosur me sende të forta, pas një konflikti për ndarjen e hapësirave në plazhin e Shëngjinit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së dielës në zonën e Kunës, ndërsa i plagosur mbeti Armando Marku, 45 vjeç.

Ai u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës dhe pasi mori ndihmën e parë mjekësore mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Ai është Paris Deda, 35 vjeç i cili arriti të largohet pas ngjarjes, duke i shpëtuar prangave të policisë.

Nga veprimet paraprake hetimore bëhet me dije se konflikti mes dy personave të cilët kishin bizneset afër njëri-tjetrit, ka nisur për vendosjen e shezlongeve në brezin e rërës, për të cilën pretendonin pronësinë të dyja palët. Duke mos gjetur zgjidhje, dy personat janë përplasur verbalisht me njëri tjetrin, e më pas Paris Deda ka goditur fizikisht dhe me sende të forta  Armando Markun, duke i shkaktuar fraktura në kokë.

Konflikti mes tyre ka ndodhur në mes të pushuesve të cilët këtë të diele ishin të shumtë në zonen e Kunës në Shëngjin. Policia e cila nisi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen ka shoqëruar në komisariat dhe po merre në pyetje disa persona për sqarimin e plotë të rrethanave, ndërsa po ushtrohen kontrolle për kapjen e autorit të dyshuar Paris Deda.

Ndarja e rërës në plazh është kthyer shpreh herë në burim konflikti mes subjekteve private në bregdet, ku nuk kanë munguar as viktimat siç ishte rasti i qershorit të vitit 2021 në Velipoje ku mbeten të vrarë 4 persona.