Konflikti, Gjykata Kushtetuese
kundër Topit mbi dekretet

TIRANE – Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, në lidhje me konfliktin me Kuvendin mbi dekretet e anëtarëve të kësaj gjykate.

Kreu i Shtetit kishte prezantuar një ankimim në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonte zgjidhjen e konflikti të kompetencave mes Presidencës dhe Parlamentit, si dhe shfuqizimin e një vendimi të Kuvendit të qershorit 2011 që pezullon deri në 2013 ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht faktit se tre prej tyre u ka skaduar mandati. Bëhet fjalë për gjyqtarët Xhezair Zaganjori, Admir Thanza dhe Petrit Plloci.

Gjashtë anëtarë të kësaj gjykate kanë votuar kundër pretendimeve të Presidentit ndërsa vetëm tre janë pajtuar me të. Presidenti pretendonte se Kuvendi nuk mund të vendosë afat apo shtyrje të mandatit të gjyqtarëve dhe kërkonte që një çështje e tillë të rregullohej me ligj. Motivacionet e këtij vendimi do të publikohen më vonë.

Konflikti Presidencë - Kuvend lindi në qershor të vitit të kaluar kur Parlamenti i ktheu mbrapsht Presidentit 3 dekrete për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në prill të vitit 2010, Gjykata, sic parashikohet në Kushtetutë, u shpreh me vendim për mbarimin e mandatit të 4 anëtarëve të saj.

Presidenti, sipas detyrimit të tij kushtetues, i dërgoi Kuvendit katër emra të rinj. Kushtetuta thotë se mandati i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjecar. Por 1/3 e anëtarëve ripërtërihet një herë në tre vjet.

Për shkaqe të kalendarit, kjo ripërtëritje nuk është bërë kurrë. Ndaj një grup deputetësh demokratë i kërkuan vetë gjykatës që të bëjë një interpretim në lidhje me ripërtëritjen e anëtarëve të saj.

Më 9 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese tha se i takon ligjvënësit që të gjejë mekanizmin për të bërë të mundur ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Atëherë mekanizmi që gjeti Kuvendi, ishte të miratonte vetëm një nga katër emrat që i kishte dërguar Presidenti, Fatmir Hoxhën dhe të kthente mbrapsht 3 të tjerët. Kuvendi i tha Presidentit se e pezullonte procedurën e shqyrtimit të tre emrave të tjerë, deri në vitin 2013.

(im/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan