Ndikimi i kompanisë CEZ në politikën e Pragës zyrtare është i konsiderueshëm. Ajo ka pushtet të ngjashëm me monopolet gjigante energjetikë të tilla si ENI në Itali, etj. Në këto kushte, anulimi i licensës për tregtim dhe shpërndarje të energjisë elektrike me pakicë, pasi iu krijua, edhe për faj të qeverisë Berisha, një “gropë” e madhe financiare, kryesisht nga institucione shtetërore, do të ushtronte ndikim edhe në marrëdhëniet e qeverisë çeke me Shqipërinë.
Duke mbajtur parasysh këtë peshë, ish-kryeministri Berisha, në tetor të vitit 2008, kur po kërkonte për herë të parë statusin kandidat në BE, qeveria shqiptare miratoi vendimin për shitjen e 76% të aksioneve të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike tek kompania çeke, CEZ Group. Por, privatizimi më vonë do të shndërrohej në një nga dështimet më të mëdha strategjike të vendit. Kontrata hyri zyrtarisht në fuqi 6 muaj më pas. Në 23 prill të vitit 2009, parlamenti miratoi marrëveshjen, e cila i kalonte monopolin e shpërndarjes së energjisë kompanisë çeke CEZ. Kur kishin kaluar vetëm 5 ditë nga ky akt, ish-kryeministri Sali Berisha mbërriti në pallatin qeveritar të Pragës për t’i dorëzuar homologut të tij çek, Mirek Topolanek, kërkesën e Shqipërisë për kandidim në BE.
Dy-tre vjet më pas, nisën konfliktet midis dy palëve. Privatët vijonin të vidhnin energji dhe policia nuk pranonte të ushtronte rolin e saj në zona të gjera debitore. Konflikti arriti kulmin në vitin 2012 kur kompania ndërpreu energjinë e ujësjellësave – debitorë gjigandë - në disa qytete, çka çoi edhe në protesta. Kështu, në janar të vitit të kaluar, duke ndikuar mbi Entin “e pavarur” Rregullator të Energjisë, qeveria i hoqi licensën, duke e shpronësuar faktikisht CEZ-in.
Prej janarit të vitit 2013 gjithçka mbeti në heshtje dhe Shqipëria rrezikonte të përballej në Gjykatat e Arbitrazhit ndërkombëtar, në Paris apo Romë, ndërkohë që qeveria e re nisi menjëherë negociatat për të gjetur një zgjidhje mirëkuptimi. Por CEZ kërkon një shifër shumë të lartë, 200 milionë euro.
Situatën e komplikoi edhe një mospagesë për një kompani të huaj private që qeveria e mëparshme pajtoi për auditim.
Ndërkohë, duket se shanset për të gjetur një zgjidhje ende nuk kanë marrë fund. Pritet të mësohet në se zgjidhja do te jetë një pagesë e kripur dëmshpërblimi nga ana e Shqipërisë, apo CEZ Group do të pranonte të rikthehej në treg, por me kushtin e padiskutueshëm që të mos trajtohej më si më parë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)