Kongoli boton në Francë
“Bolero në vilën e pleqve”

Kongoli boton në Francë <br />“Bolero në vilën e pleqve”
TIRANE - Romani “Bolero në vilën e pleqve” i shkrimtarit Fatos Kongoli sapo është botuar në frëngjisht nga shtëpia botuese “Rivages” me titullin “Le Bolero dans la villa des vieux”. Ai është një prej romaneve më të goditur e më të vlerësuar të Fatos Kongolit nga lexuesit shqiptar. Duket se ky ka qenë një vit i mbarë për shkrimtarin.

Pas botimit muajin e kaluar në Spanjë të romanit “I humburi”, i katërti libër i këtij autori në gjuhën spanjolle, tani sapo është vënë në qarkullim, kësaj here në Francë, edhe “Bolero..”, i cili është përkthyer në frëngjisht ashtu si edhe romanet e tjerë pararendës në këtë gjuhë nga Edmond Tupja.

“Bolero në vilën e pleqve” është romani i tetë radhazi i këtij shkrimtari botuar nga e njëjta shtëpi botuese në Paris, “Rivages”.

Në qendër të këtij romani ndërthuren historitë e dy pleqve që jetojnë në një vilë me historinë e një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë.

Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza...

Përkthyesi Edmond Tupja, i cili është një prej lexuesve të parë të gjithë librave të Kongolit, përveçse përkthyesi i tyre në frëngjisht ka një lidhje të veçantë me këtë roman. Tek e pyesim për botimin në Francë, Tupja rrëfen historinë e tij personale që e ka frymëzuar shkrimtarin për të shkruar “Bolero në vilën e pleqve”.

“Bolero në vilën e pleqve” është njëri prej librave të Kongolit përkthyer nga ju në frëngjisht. Si ka qenë procesi i përkthimit të këtij romani?
Ka qenë vërtet i veçantë procesi i përkthimit të këtij libri për mua, pasi në një mënyrë a në një tjetër unë e nxita shkrimin këtij romani. E them këtë pasi ky roman është frymëzuar nga një ngjarje imja personale. Një ditë, rastësisht më ra në dorë një letër që im atë ia shkruante nënës time në moshë të vonë, mbi 80 vjeç.

E lexova dhe u preka shumë. Ishte një letër e mrekullueshme, plot mall, e dashuri. Ishte prekëse që një burrë në atë moshë i shkruan letër gruas së tij. Ja tregova Fatosit këtë gjë dhe ai më tha se do të shkruante një roman mbi këtë frymëzim.

I thashë se mund t’ia jepja letrën ta lexonte por ai u mjaftua me çfarë i tregova. Mandej kur e lexova romanin u mrekullova, u preka shumë…. Është një prej librave më të bukur të Kongolit. Është një homazh që shkrimtari u bën prindërve të mi me këtë roman, dhe të gjithë çifteve të kësaj moshe të vonë.

Ju e përkthyet menjëherë këtë libër…?
Po sapo e lexova nisa menjëherë ta përkthej. E dërgova mandej në shtëpinë botuese “Rivages”, dhe libri u botua më në fund tani, pas dy vjetësh.

Pse duhet lexuar “Bolero në vilën e pleqve”?
Ka shumë dhembshuri brenda ky libër dhe shumë dramë. Tablosë prekëse të çiftit të pleqve, të cilët janë dashur shumë dikur e tani në fund janë përballë vdekjes, i bashkohet historia prekëse e dramatike e kujdestares së re që kujdeset për ta, një histori e lidhur me ngjarjet tragjike të ’97. Është një roman që prek fatin e njeriut nga lindja tek vitet e jetës plot shkëlqim e deri tek ditët e mbrame gjersa ikën përgjithmonë…

Si janë pritur romanet e Kongolit nga lexuesi francez?
Mjaft mirë. Kanë pasur shumë sukses librat e Kongolit në frëngjisht. Madje një gazetar francez më ka thënë se “me librat e botuar së fundmi në Francë dhe suksesin që kanë pasur, Fatos Kongoli mund të jetë së shpejti një kandidaturë e fortë për çmimin Nobel”. E thënë nga një gazetar i njohur e që ka shkruar gjithë jetën për librat, kjo frazë merr vlerë të veçantë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset