Mijëra turistë kanë mbetur të izoluar në Lapland, në veri të Finlandës, pasi të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Kittilas janë anuluar për të tretën ditë radhazi për shkak të të ftohtit ekstrem .

Temperaturat kanë zbritur deri në –39 gradë Celsius, duke e bërë të pamundur zhvillimin e operacioneve bazë në aeroport, si shkrirja e akullit në avionë, furnizimi me karburant dhe përdorimi i mjeteve tokësore. Si pasojë, janë anuluar fluturime drejt disa qyteteve të mëdha europiane, përfshirë Londrën, Mançesterin, Parisin dhe Amsterdamin.

Operatori i aeroporteve finlandeze, Finavia, bëri të ditur se vendimet për anulimin e fluturimeve merren nga linjat ajrore, por theksoi se temperaturat pranë –40 gradëve krijojnë vështirësi serioze për funksionimin normal të shërbimeve në tokë.

Mot i acartë ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës, duke sjellë probleme të shumta në transport dhe energji. Në Finlandë raportohen kushte të vështira rrugore, ndërsa në vende të tjera si Franca dhe Gjermania janë shënuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe viktima si pasojë e të ftohtit ekstrem.