Konkurrencë e fortë për drejtimin
e Operës dhe  Galerisë Kombëtare

Konkurrencë e fortë për drejtimin<br />e Operës dhe  Galerisë Kombëtare
TIRANE- Ethet e emërimit të drejtorëve në institucionet e kulturës, pas mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit deri më 18 tetor 2013, sa vijnë e bëhen më të forta. Sipas përvojës së emërimeve të deritanishme të drejtorëve të qeverisë së re, nuk është përputhur asnjë emër me parashikimet e burimeve të cituara edhe nga vet institucionet para shpalljes së konkursit. Drejtorët e rinj tashmë janë një lajm-surprizë që mësohet vetëm pas shpalljes zyrtare të tyre.

Deri në këtë kohë Ministria e Kulturës pas datës 18 tetor ka siguruar dosjet dhe dokumentet e kandidatëve që do të konkurrojnë, por deri sa të shpallet konkursi duket se edhe vetë konkurrentët nuk janë shumë të sigurt se cili do të jetë drejtori. Gazeta tashmë ka mësuar emrat e kandidatëve, përkatësisht të dy institucioneve kryesore dhe duket se konkurrenca mes tyre është shumë e fortë, duke parë begraundin e mëparshëm të konkurruesve. Në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, kandidati i parë që ka paraqitur dokumentacionin e tij në konkurs është koreografi Ilir Kerni, që e nisi karrierën e tij si një ndër balerinët më të famshëm të skenës shqiptare dhe e vijoi si balerin i parë në Teatrin Nacional të Zagrebit, Kroaci, dhe prej vitit 2005 ai ka punuar si baletmaestër në këtë teatër.

Tashmë Ilir Kerni është në konkurrencë të fortë me regjisorin e njohur të Operës dhe Baletit të Tiranës, Nikolin Gurakuqi, regjisor i dhjetëra premierave të suksesshme, po të mos harrojmë edhe faktin që ai ka mbajtur prej më shumë se 20 vjetësh peshën më të madhe të premierave në institucion. Dhe i treti emër që pretendon për t’u bërë drejtoreshë e operës është Floriana Paskali, vajza e Skulptorit të Popullit, Odise Paskali, që deri më sot ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës Tiranë. Përkundër asaj që është përfolur se mund të zgjidhej në krye të një institucioni të arteve figurative, Floriana Paskali, ka konkurruar pikërisht për drejtoreshë të operës, në garë me Ilir Kernin dhe Nikolin Gurakuqin.

Por edhe kandidatët që kanë konkurruar për drejtorë të galerisë kombëtare të Arteve karakterizohen nga rivalizime të forta. Piktori i njohur me famë ndërkombëtare Artan Shabani është një ndër konkurrentët dhe emrat më të përfolur se mund të zgjidhet drejtor, por tashmë dilemat për parashikime të burimeve që kanë pohuar këtë janë shtuar, sepse në konkurs ka hyrë ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Abaz Hado, piktor grafist dhe studiues, i cili është zëvendësuar gjatë periudhës së qeverisë Berisha nga Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi, dhe pas shkarkimit të Jonuzit, nga drejtori aktual Rubens Shima. Dy vitet e fundit Hado ka punuar si zëvendësministër i kulturës në qeverinë Berisha. Gjithashtu në konkurs futet edhe ish-drejtori i Muzeut Kombëtar Moikom Zeqo, një emër i njohur në fushën e letrave dhe të arkeologjisë.

Këta janë kandidatët nga e cila priten të shpallen drejtuesit për dy institucionet më të rëndësishme kulturore të vendit. Të gjithë emrat e sipërpërmendur kanë paraqitur dokumentacionin që është kërkuar dhe kanë ofruar idetë sesi do të bëjnë drejtimin e institucionit. Pas mbylljes së aplikimeve mësohet se ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, do t’i dërgojë kandidaturat kryeministrit, i cili do të firmos edhe emrin e drejtorit të ri të operës dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve, ndërkohë që një komision nga Ministria e Kulturës po shqyrton mundësitë dhe kandidimet e mundshme që do të shpallen edhe në Teatrin Kombëtar për postin e drejtorit, konkurrim që pritet të shpallet së shpejti. Po cilat janë kriteret me të cilat do të përballen konkurrentët?
 
Kriteret për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës  
a. Arsimim profesional artistik ose Menaxhim Arti;
b. Përvojë pune në Teatrin e Operës dhe Baletit;
c. Veprimtari artistike të suksesshme në TKOB dhe në institucione të tjera të llojit, përfshirë ato ndërkombëtare;
d. Përvojë në krijimin, vënien në jetë të strategjive të projekteve/aktiviteteve artistike;
e. Aftësi për të organizuar, menaxhuar, identifikuar prioritetet dhe përcjelljen e tyre në mënyrë sa më të dobishme në staf;
f. Aftësi të shprehura për iniciativë dhe kreativitet;
g. Aftësi të dallueshme komunikimi, ruajtjeje dhe zhvillim i kontakteve brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kriteret për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm në GKA
a. Arsimim profesional artistik ose Menaxhim Arti;
b. Jo më pak se dhjetë vjet përvojë si kurator arti në galeritë vendëse dhe ato ndërkombëtare bashkëkohore;
c. Përvojë dhe njohuri në organizimin e punës në një galeri arti në të gjitha aspektet e mirëmenaxhimit të saj;
d. Aftësi të shprehura për iniciativë dhe kreativitet;
e. Aftësi të dallueshme komunikimi

Shkrimi u publikua sot (23.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie