TIRANË - Komisioni i Konkurrencës njofton se në mbledhjen e tij të datës 30.07.2014, ku shqyrtoi raportin e hetimit të thelluar në tregun sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe pretendimet e ndërmarrjeve që operojnë në treg, ka arritur në konkluzionin e përsëritur se sjellja e ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës bie në kundërshtim me principet e konkurrencës së lirë.

Kjo është konstatuar pasi ato kanë rritur në masë të njëjtë dhe fiksuar për një periudhë tre ditore primet e shitjes së produktit MTPL, si dhe duke përdorur sistemin e shitjeve të përqendruara nëpërmjet Star Broker për të ruajtur pjesët e tregut.
 
Komisioni i Konkurrencës ka kërkuar që shoqëritë e sigurimit të përmbushin brenda 90 ditëve nga marrja e këtij vendimi kushtet dhe detyrimet si vënien në funksionim të programit Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes; të zbatojnë parashikimin ligjor për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë; të lidhin marrëveshje me më shumë se 1 shoqëri brokerimi sipas kritereve të parashikuara nga AMF-ja lidhur me sistemin online të sigurimeve të detyrueshme dhe sistemit bankar për pagesat sipas legjislacionit ne fuqi; të shtypin dhe tregtojnë polica të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje.

Mospërmbushja e këtyre kushteve dhe detyrimeve sipas ligjit do të sjellë si pasojë vendosjen e masës së gjobës për shkelje të rënda deri në 10 për qind të xhiros, thekson njoftimi i Autoritetit.
 
Pas monitorimit dhe hetimit paraprak Komisioni kishte vendosur për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ndaj 9 ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg.
 
Për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin, janë kryer inspektimet pranë ndërmarrjeve nën hetim dhe janë administruar informacione nga të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe agjentet e tyre, Star Broker dhe broker të tjerë të licencuar, Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSSH) si dhe AMF në cilësinë e autoritetit rregullator të tregut.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)