Konkurs gatimi me nxënësit Klosi:
Arsimi Profesional, kërkesë e kohës

Konkurs gatimi me nxënësit Klosi:<br />Arsimi Profesional, kërkesë e kohës
Pedonalja e Tiranës u shndërrua sot në një kuzhinë të madhe, ku nxënës nga 9 shkollat profesionale nga i gjithë vendi gatuan për qytetarët e Tiranës, si dhe fëmijët e qendrave rezidenciale sociale. Aktiviteti u organizua në kuadër të 25-vjetorit të Ditës Kombëtare të Rinisë dhe kishte për qëllim gjithashtu që të orientojë të rinjtë drejt arsimit profesional. Viti i ardhshëm është shpallur nga MMSR si viti i Arsimit Profesional, ndaj dhe kjo nismë kërkon që të njohë të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk kanë vendosur ende se çfarë rruge do zgjedhin nesër në jetë, me mundësitë që ofron sot Arsimi Profesional në vendin tonë.

Aktiviteti ishte konceptuar në formën e një “Mini Master Chef”, ku gatimet e kuzhinierëve të ardhshëm që mësojnë në shkollat profesionale, u vlerësuan nga një juri profesionale e drejtuar nga shef Renato Mekolli. Duke hapur këtë “Mini Master Chef”, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ndërsa falënderoi të gjithë nxënësit që u bënë pjesë e kësaj gare, u shpreh se ky aktivitet vjen edhe në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë me disa dimensione, të cilat kanë të bëjnë si me promovimin e Arsimit Profesional si një zgjidhje e duhur për të rinjtë, ashtu edhe sa i përket vullnetarizmit.

 “Është një iniciativë shumë e bukur edhe për ata fëmijë që presin nga dora e shtetit. Kjo pasi nxënësit e shkollave tona profesionale do gatuajnë për fëmijët e shtëpive të fëmijës. Një praktikë që ne kërkojmë ta vazhdojmë edhe në qytete të tjera, atje ku kemi shkolla profesionale, por edhe qendra të shërbimit social”, - tha ministri Blendi Klosi.

klosi

Më tej, duke u ndalur në aspektin e Arsimit Profesional, ministri Klosi theksoi se ky aktivitet merr një rëndësi të veçantë, pasi kërkon të përcjellë tek të rinjtë shqiptarë mesazhin se shkollat tona profesionale përgatisin njerëz vërtet të kualifikuar, që mund t’i përgjigjen denjësisht tregut të punës, qoftë ky kombëtar apo edhe europian.

“Për ne, Arsimi Profesional është një nga shtyllat kryesore. Kjo pasi MMSR e shikon Arsimin Profesional si një kërkesë të kohës, jo si një edukim më shumë, por si një mekanizëm që mund të ndryshojë nivelin ekonomik të vendit, si një mekanizëm që këto vajza dhe djem të rinj do t’i bëjë shumë shpejt gati për një treg konkurrues pune; do t’i bëjë këto vajza dhe djemtë profesionistë të vendit tonë për të pritur më mirë turistët e huaj dhe po ashtu, për të qenë të gatshëm për një treg më të gjerë pune sesa ai kombëtar apo rajonal. Ne kemi shumë nevojë për njerëz të kualifikuar, kemi shumë nevojë për njerëz që me punë të denjë, me profesionin e tyre mund të mbajnë veten e tyre, familjen e tyre, por që të kenë mundësi të kontribuojnë edhe për shoqërinë shqiptare”, - tha Klosi.

klosi

Kreu i jurisë së ngritur me rastin e këtij aktiviteti, shef  Renato Mekolli, gjithashtu ka vlerësuar si diçka shumë pozitive faktin e rikthimit të vëmendjes te shkollat profesionale dhe sidomos tek ato që prodhojnë shefat e nesërm të kuzhinës shqiptare. “Është shumë gjë e bukur që Arsimi Profesional ka ecur dhe po ecën kaq shumë. Jetojmë në një vend mesdhetar, ku turizmi është një nga armët më të forta që kemi në zhvillimin tonë, dhe ndaj doja të theksoja se Arsimi Profesional është ai që i jep turistit të hajë dhe ai duhet të hajë mirë”, - tha Mekolli.

klosi

Në fund të këtij “Mini Master Chef”, juria vendosi që të mos shpallin një shkollë fituese të kësaj gare, duke konsideruar se me këtë aktivitet fitoi i gjithë Arsimi Profesional.

 
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve