NASA ka publikuar një fotografi të jashtëzakonshme të sipërfaqes së Marsit, të realizuar nga roveri Curiosity, ku drita e mëngjesit ndriçon formacionet shkëmbore të njohura si “yardangs”.
Pamja u realizua më 11 gusht nga kamera Mastcam e roverit, gjatë orëve të para të mëngjesit marsian. Panorama përbëhet nga gjashtë imazhe të bashkuara dhe, ndryshe nga shumica e fotografive të Curiosity-t, është përpunuar pa balancimin e zakonshëm të ngjyrave. Kjo i ka lejuar shkencëtarët të ruajnë pamjen karakteristike të peizazhit në dritën e hershme të mëngjesit.
Në horizont dallohen formacione të mëdha shkëmbore të gërryera nga erërat për miliona apo miliarda vite. Këto struktura, të quajtura “yardangs”, shtrihen për rreth 16 kilometra në pjesën veriperëndimore të malit Sharp.
Mali Sharp është rreth 5 kilometra i lartë dhe ngrihet në qendër të kraterit Gale. Curiosity ka qenë duke e eksploruar dhe ngjitur këtë mal që prej vitit 2014, duke studiuar shtresat e tij shkëmbore për të zbuluar se si ka ndryshuar Marsi gjatë historisë së tij.
Shkencëtarët janë veçanërisht të interesuar për yardangët, pasi origjina e kësaj shtrese mbetet ende e paqartë. Një hipotezë është se ajo mund të jetë krijuar nga hiri i depozituar gjatë shpërthimeve të lashta vullkanike dhe më pas të jetë formësuar nga erërat marsiane.
Curiosity ka arritur ndërkohë rreth 1 kilometër lartësi, duke vendosur një rekord për ngjitjen më të lartë të realizuar nga një rover në Mars.
NASA shpreson që Curiosity të arrijë në zonën e yardangëve gjatë vitit 2027, ku roveri mund t’i studiojë nga afër me instrumentet e tij dhe krahun robotik.











Komente
Komento