Trupa e Baletit e TKOBAP-së korr një tjetër sukses ndërkombëtar në një prej skenave më prestigjioze të Italisë, Teatro Comunale di Bologna, ku baleti “Carmen” u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga publiku italian.

Pas suksesit të madh në Tiranë me katër net sold out, produksioni udhëtoi drejt Bologna-s, duke sjellë në skenë emocionin, pasionin dhe nivelin artistik të Trupës së Baletit të TKOBAP-së. Në rolet protagoniste shkëlqyen Anbeta Toromani, Alessandro Macario dhe Luca Curreli, të shoqëruar nga trupa e baletit, në një interpretim që u duartrokit gjatë nga publiku.

Të pranishëm në sallë ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i TKOBAP-së, Aulon Naçi, Drejtoresha e Teatro Comunale di Bologna, Elisabetta Riva, drejtori artistik Pierangelo Conte, si edhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës artistike dhe kulturore italiane.

Shfaqjet e mbajtura në “Comunale Nouveau” u pritën me ovacione dhe vlerësime të shumta, duke e kthyer këtë pjesëmarrje në një moment të rëndësishëm për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ky sukses shënon një tjetër hap të rëndësishëm për TKOBAP-në, e cila vijon të ndërtojë ura bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme artistike evropiane dhe të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në skenat ndërkombëtare.