Pas suksesit të jashtëzakonshëm me 4 shfaqje sold out në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, baleti “Carmen” nis një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik, duke udhëtuar drejt Italisë për t’u ngjitur në skenën prestigjioze të Teatro Comunale di Bologna në datat 23-24 maj.
Ky produksion, që për katër net me radhë mbushi sallën e TKOBAP-së me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta, solli në skenë interpretimet brilante të Anbeta Toromani, Adela Muçollari, Alessandro Macario, Dion Gjinika dhe Luca Curreli, artistë të cilët i dhanë jetë një universi skenik plot pasion, dramë dhe intensitet artistik.
“Carmen” riktheu në vëmendje fuqinë e baletit përmes një historie universale dashurie dhe lirie, duke u shndërruar në një nga produksionet më të rëndësishme të sezonit artistik në TKOBAP.
Udhëtimi drejt Bolonjës përfaqëson jo vetëm një sukses për trupën artistike të TKOBAP-së, por edhe një moment të rëndësishëm për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në një nga teatrot më të njohur të Italisë, artistët shqiptarë do të sjellin në skenë gjithë energjinë, elegancën dhe profesionalizmin që karakterizoi këtë produksion që prej premierës së tij në Tiranë.
Ky prezantim ndërkombëtar konfirmon edhe një herë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në promovimin e artit shqiptar në skenat më prestigjioze europiane.
Komente









