Konservatorë të majtë, apo të djathtë?!

Konservatorë të majtë, apo të djathtë?!

Më 6 mars ishte ideuar asgjësimi politik i Lulzim Bashës. Politikisht, mund të kishte ndodhur. Por mbështetja e hapur amerikane për kryetarin aktual të Partisë Demokratike, punë e saj e drejtë apo e gabuar qoftë, i’a ka përzgjedhur qartësisht në tavolinë cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale rivalin partisë së drejtuar nga Edi Rama, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe ai, në mos i dyti del i treti apo i katërti, është Lulzim Basha.

Faktori ‘SHBA’ u dha sërish pak shpresë ideatorëve për planin e asgjësimit politik të Bashës (me siguri ka pasur marrëveshje), që do të thotë se suksesi tyre nuk ka asnjë rëndësi ndërkombëtare, nëse dalin të dytët ose marrin ndonjë bashki si ajo e Shkodrës.

Në situatën ku ndodhet aktualisht opozita, çështja më e drejtë që duhej ngritur është: Kush i kërkoi dhe pse duheshin zhvilluar zgjedhjet e pjesshme lokale pikërisht tani?

Po ashtu dy pyetje mund t’i drejtojë në këto momente vetes çdo opozitar:

A ishte ky momenti më i përshatshëm i opozitës që prej krijimit të pluralizmit, për t’u futur në zgjedhje, kur ajo nuk është aspak e qartë, madje po lufton për lidershipin e saj?

A ishin Berisha dhe Meta ata që insistuan për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, me qëllimin e vetëm që Basha të humbë përfundimisht legjitimitetin e liderit të opozitës?

Prandaj, thjesht zgjedhjet e pjesshme lokale po zhvillohen, jo sepse u bë tani konstatimi se ishte shkelur më herët kushtetuta, por, për të përcaktuar se cila duhet të jetë opozita pas 6 marsit, ajo e koalicionit të Berishës me LSI apo ajo e Bashës. Në një rast ideal, pa rolin e faktorit ndërkombëtar, atë do ta vendoste vota.

Edhe pse selia e PD-së ndodhet 100 metra në vijë ajrore larg PS-së dhe kryeministrisë, sipas Ramës, opozitës aktuale i ka humbur adresa. Të paktën siç thotë ai as ‘posta’ nuk po e gjen dot. Faktikisht Rama pret të përfitojë nga kjo situatë për të marrë kalanë e fundit që i ka mbetur ende pa marrë: Shkodrën. Ndryshe, si ka mundësi që ai i cili deri dje kur i bënte thirrje Bashës që të distancohej nga Berisha dhe Meta, tani që kjo ndodhi, nuk qënka më në gjendje të dallojë kundërshtarin në ‘fushë’.

Ndoshta ‘timonieri’ i qeverisë nuk e kishte parashikuar lëvizjen e fundit të Berishës, ndoshta po ‘argëtohet’ me lëvizjen e tij, duke parë ‘koeficentët e fitores’,  për të ulur maksimalisht pretendimet e opozitës së Bashës, në të ardhmen.

Megjithatë kuptohet lehtë që Rama ka luksin të nxisë si kurrë më parë një betejë branda radhëve së opozitës, madje preferon që ajo të zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur me qëllim për të dobësuar të gjithë faktorët e kampit kundërshtar, për të tjera fitore të sigurta të partisë në pushtet.

Në fund të fundit, kësisoj po bën thjesht detyrën e politikanit, si stretegjia më efikase për të korrur suksese të mëtejshme pa qenë nevoja që forca politike e drejtuar prej tij të djersijë në ‘fushën e lojës’, ndonëse e ka të qartë se adresën e opozitës nëse nuk e gjen dot as ‘posta’, e ndihmon si në çdo rast tjetër edhe kur nuk e kërkon me insistim bashkëpunimin qeveria, faktori ndërkombëtar.

Duhet thënë se situata aktuale e ka zgjuar elektoratin, për të kuptuar më mirë se të paktën në këto 30 vite një pjesë e mirë e tij ka votuar duke besuar si i majtë të djathtën, ose anasjelltas. Sikurse ai tifozi në stadium që nuk dallonte ngjyrat e fanellave të skuadrave dhe festonte si i çmendur golat e kundërshtarit, por pas ndeshjes, vetëm kur shkoi në shtëpi mësoi se ekipi i tij ishte mundur thellë.

Në platformat sociale të shumtë janë ata që koalicionin Berisha-Meta e kanë quajtur ironikisht “Lëvizja e Saliut dhe e Ilirit” (LSI). Ndryshe nga çfarë pretendohet politikisht, për shumë nga elektorati i thjeshtë bashkimi më i fundit mes tyre në opozitë nuk po kuptohet nëse është i majtë, i djathtë, konservator apo liberal.

Përtej ideologjisë që ekziston në mjedisin tonë, qoftë pretendimet apo qoftë bashkëpunimi më i fundit mes Metës dhe Berishës, pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar, bashkimi mes tyre ishte ndoshta rruga e vetme që u kishte mbetur për mbijetesë politike. Kuptohet veç tërheqjes nga politika, që siç duket ka qenë e tillë kërkesa e SHBA-ve, çka i ka përfshirë në konlikt me partnerin strategjik të vendit tonë.

Pengesa e madhe, faktori ndërkombëtar, i ka detyruar si Berishën, ashtu edhe Metën, që të bashkohen së fundmi edhe në emër “sovranitetit”.

Me sovranitet ata logjikshëm duan të thonë se kur i voton dhe i përkrah elektorati, faktori ndërkombëtar nuk ka asnjë të drejtë të përzihet në punët e brendshme të vendit tonë dhe s’ka sesi t’i imponohet klasës sonë politike dhe as demokracisë shqiptare, si një faktor vendimtar.

Sikur të ishte kështu, ndoshta do të ishte më mirë, që diplomacia botërore mbi situatën e fundit të pyeste: Ç’punë kanë SHBA-të dhe Blinken që përzihen dhe investohen aq shumë në një çështje kaq të nxehtë politike botërore të momentit, siç është ajo mes Ukrainës dhe Rusisë (dy shtete që vetëm 30 vite më parë ishin bashkë në një federatë).

Nuk kërkohet shumë intelekt, që edhe shqiptarët e çorientuar nga politika të pyesin: A është i njëjti Blinken dhe e njëjta SHBA që shpallën pak kohë më parë Berishën ‘non-grata dhe paralajmëruan të tjerë, apo jo? Apo janë të tjerë ata që po kërcënojnë Rusinë mbi pasojat e rënda, nëse preket Ukraina? Po ashtu, kundërshtarët politikë të Blinken në SHBA çfarë roli po luajnë përsa i përket vendim-marrjes së politikës së jashtme amerikane në rastin e Ukrainës dhe krahasuar me çdo rast tjetër në botë, pse Shqipëria duhet të jetë më e veçantë aq sa është gati të ‘përçajë’ politikën amerikane?

Vetëm pak vende në botë për arsye të ndryshme, historike, ushtarake, ekonomike, politike, si Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut mundet t’i kërkojnë SHBA-së që të mos përzihet në çështjet e tyre sovrane. Nga ana tjetër homologët e Yuri Kim vështirë se mund të vihen në qendër të vëmendjes ose të marrin ndonjë kritikë, siç po ndodh rëndom në Tiranë.

Mundet që askush prej tyre nuk ka të njëjtin rol, që ka ambasadorja amerikane këtu. Ky është edhe i tërë thelbi i situatës aktuale politike në Shqipëri. Pra, është raporti që ka ndërtuar në tranzicionin e tejzgjatur vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, quajeni si të doni, mbi meritat ose për fajin e politikanëve të cilët kanë drejtuar politikën shqiptare. Mbi këtë raport të veçantë vepron SHBA dhe jo mbi preferenca tifozësh siç duan t’i shesin segmente të caktuara ndërhyrjet e saj të shpeshta në “fushën e lojës”, sikurse ‘gjykohet’ gjyqtari kur nxjerr me karton të kuq ndonjë lojtar në ndeshjet e tensionuara të futbollit.

Yuri Kim sigurisht nuk është një ambasadore unike dhe as e veçantë e SHBA-ve në botë, saqë shqiptarët të besojnë se preferencat e saj politike bien ndesh me ato të Uashingtonit.

Të sillesh sikur nuk e njeh forcën e SHBA-ve do të thotë gati pamundësi që të pretendosh qoftë edhe pushtetin e opozitës, edhe nëse supozohet se demokratikisht të takon.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja