Konservatori

Konservatori

Edison Ypi

Konservatori që nuk ka parë në jetën e vet asnjë fshat internimi, nuk është konservator, është plehër. Konservatori mund të jetë edhe, për shembull, pronar kafeneje. Por një konservator i tillë, një konservator shërbëtor që sjell kafenë, nuk është konservator i lartë, i ndritur, është konservator hyzmeqar, konservator kallp që shitet dhe blihet. Konservatori është individ i sofistikuar që dëgjon vetëm muzikë serioze dhe vetëm në sallën e koncertit.

Konservatorit që i duket këngë e bukur “O violino cigano” është konservator trashanik, dallamango, prej të cilit nuk nuk mund të pritet asgjë e hajrit. Konservatori është modest, është altruist, të flasi për veten e ka për turpin më të madh, varrosje për së gjallli. Mavriu që hiqet për konservator dhe s'ndal së dërdëllituri për veten, nuk është konservator, është sorollop, zorraxhi, derr sedentar.

Konservatori fal jetën për Fe’, Atdhe, Dashuri. Mashtruesat që Atdheut i falin vetëm llomotitjet, nuk janë konservatora, janë zagara.Konservatori mund të jetë edhe tifoz.Por kjo nuk e nderon. Futbolli është shpikur për të zbavitur proletarët. Jo për konservatorët që kanë një mijë gjëra të tjera për të bërë para tifozllëkut. Konservatorit që mburret me tifozllëkun, i raftë damllaja. Konservatori nuk përdor kurrë pseudonim. Vetëm emrin dhe mbiemrin e plotë të shkruar korrekt që nuk i ndryshon kurrë asnjë gërmë edhe mishin t’ja grish. Konservatori që fshihet me pseudonime mburracake dhe mbështillet me flamuj dhe shkaba është një ndyrësirë që i vë shkrepsen Shqipërisë për pes lek.

Gjithkush që emrin e diktatorit “kurvi” e shkruan me “K” të madhe, është një frikacak, një njeri i kompleksuar, një qën i rrahur, por kurrë konservator.Konservatori pëlqen ose nuk pëlqen, por nuk përgojon. Konservatori që përgojon, shpif, trillon, është një neveri, një pështirosje, një fëlliqësirë.Konservatori nuk qahet për asgjë. Konsesvatori që rënkon e ofshan është një qesharak banal që fajin për paaftësinë e vetes kërkon t’ja hedhi të tjerëve.

Po ja qesëndise Atdheun dhe Flamurin konservatori ta çan fytin me thonj ose ta shtyp kokën pas murit. Në të kundërt, nuk ke të bësh me konservator por me legen. Konservatori shkruan Shqip me penë e bojë, me ë dhe ç. Po e pe që këtë rregull nuk e respekton, hiqi vizë si konservator. Konservatori rrëfen shkurt e qartë me fjalë të zgjedhura e të kursyera. Konservatori i rrejshëm i bie nga Australia për të thënë gjëra të thjeshta, dhe ç’është më e tmerrshmja, me të vetmin stil që njeh, atë të soc-propagandës me partizanë, gjermanë, diversanta, heronj të stisur.

Konservatori del në fotografi me prapa shpinës portretin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut etj. Jo pak nga konservatorët tanë dalin në fotografi me mishra, mëlçira, tava dheje përpara, çka është tmerr e shkuar tmerrit. Konservatori nuk hyn nëpër fast fuda sa herë e merr uria. Konservatori nuk kullot. Konservatori ha. Konservatori për së mbari lexon libra sa më të vjetër. Konservatorit për së prapi i ka mbetur ora te revista Ylli dhe gazeta Puna. Konservatori i vërtetë nuk është meskin, mizantrop, i ngutur, zevzek, që merret me gjëra aty për aty dhe tani për tani. Konservatori i vërtetë është serioz, i vëmendshëm, i kujdesshëm, i ekuilibruar, shpirtmadh, zemërgjerë, bartës dhe shpërndarës i principeve milenare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër