Në pamje të parë ekspozita juaj paraqitet me shumë dimensione, me vezullime dhe hije. Është voluminoze nga përmbajtja dhe struktura, shtypëse për sa u përket mbresave, është një makrokozmos, pse e titulluat shkurt "Mikropolis?
-Polis është qyteti, qendra e jetës së shoqërisë moderne, ndërsa mikro është elementi përbërë i kësaj qendre. Çdo gjë përfaqësohet nga pikëpamja fizike nga një bashkim copëzash të vogla. Unë gjithmonë nisem nga principi i qendrës me të cilën kam një referim krejtësiht të veçantë. Të arrish qendrën duhet të kalosh një trafik të madh, por unë jetoj në periferi, por kjo nuk më trishton, se dhe vetë Shqipëria është një vend periferik. Nuk pres sugjerime të veçanta nga pjesa periferike. Ajo që më sugjeron atë që ju e quani makrokozmos vjen nga bota e brendshme, e vetmja që i jep kuptim dhe jetë asaj që shihet jashtë.
Kompozimi i veprave iu referohet stileve moderne, ndërsa një pjesë e mesazheve shfaqen primitive. Sa i vërtetë është ky perceptim mbi pikturat e tua?
-Është i vërtetë dhe i ndjerë ky lloj perceptimi. Kuptimet që marrim prej tyre janë pjesë e realitetit shqiptar dhe global. Mediumet artistike janë vërtetë moderne, por ato krijojnë mundësi komunikimi edhe me atë që është primitive dhe me atë që është e avancuar. U jap gjithmonë mundësi objekteve edhe më të pavlera që të japin një loj transfiguracioni, të krijojnë joshje dhe një lloj humori, të jenë ndonjeherë relativisht si një shprehje dadaizmi në art. Dhe është kjo marrëdhënie që e bën më simpatik komunikimin tim.
Jeni "një rraqexhi" si Pikaso, Bacon, Giacometi, thotë piktori i njohur Gazmend Leka. Si shpjegohet zakoni juaj juaj për të ruajtur edhe vogëlinat më të rëndomta duke ua besuar atyre sendeev të pavlera konceptet universale artistike?
-Unë kam qenë i rrethuar nga qindra ekspresione vizuale të transforuara të disa objekteve jashtë funksionit të lidhura në mënyrë direkte ose indirekte me shtëpinë time. Vetë këto objekte më sugjerojnë interpretime dhe me to mund të transfiguroj lehtësisht ëndrrat, kujtimet dhe dëshirat e mia. Objektet nuk janë qëllim në vetëvete. Ato më sherbejnë duke qenë të pranishme bashkë me ekzistencën time. Megjithatë unë kam një marrëdhënie specifike me to, se ato kanë një jetë të fshehtë të mistershme dhe të njohur, dhe të panjohur për mua, të cilat bëhen të mahnitshme kur janë fare të panjohura për origjinën e tyre nga shikuesit?
Keni dhe një skulpturë instalacion "Epitaf piktori", ndër to shumë nostalgji të tjera si një engjëll dhe një pendë që përfaqëson Lasgush Poradecin, pastaj dhe disa tituj veprash "Sekrecione artistike". Mos keni vendosur ta lini me kaq këtë aventurë artistike, çdo të bësh pas kësaj?
-Jo përkundrazi. Sa më shumë t'i futesh një rreziku, apo një zone aventure aq më shumë je i sugjestionuar të vijosh deri në pafundësi. Me mua kjo ka ndodhur. Nuk ndalem dot. E gjithë bota për mua është shndërruar në një tranfiguracion të madh, ecën dhe flet me gjuhën e pikturës. Nuk kam nga "ia mbaj" më. Kam për të vazhduar me këtë përthyerje ëndrrash. Është diçka midis jetës dhe tejejetës, është një farë ëndrre e jetuar puna ime në këtë liri të plotë shprehëse. Nuk do të doja të bëja gjë tjetër.
Dhe duke parë numrin e madh të vizitorëve të miqve, pesonaliteve që të vlerësuan duket se ke arritur pikërisht këtë ngarendje në artin tuaj. Si u ndjeve përmes kaq shumë kërshërie dhe admirimi që shtohet dita- ditës në këtë eskpozitë të radhës?
-Unë jam ndier mirë, se askush nuk më sheh si autor mua që jam rrotull. Flasin dhe komunikojnë të gjithë me pikturën, nuk e vënë re praninë time që i dëgjoj. Ka shumë të rinj që komentojnë skulpturat, detajet, instalacionet dhe kjo më siguron se trillet e mia artsitike kanë plotësisht liri dhe të drejtë të shpërthejnë në të tjera motive që unë të vijojë artin dhe t'u dhurojë kënaqësinë tashmë të kërkuar prej gjithë këtyre që më kanë nderuar në këtë ekspozitë. Kjo është një kënaqësi vërtetë e madhe.
Nuk është më e nevojshme të flasin se cili ka qenë drejtimi i metodës suaj krijuese në kohën e diktaturës, sepse tashmë shumë gjëra janë tepër të njohura, por ju vetë dikur keni qenë bashkautor i mozaikut të MHK-së, më të bujshmit në fazën e restaurimit. Cili është qëndrimi juaj ndaj mënyrës së vlerësimit të këtij mozaiku?
-Nuk më vjen turp aspak që kam qenë bashkautor i tij. Përkundrazi e dua dhe çmoj punën time dhe të tjerëve. Ne ishim pesë autorë, Vilson Kilica, Josif Droboniku, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu dhe unë. Josif Droboniku ka qenë një personalitet në fushën e arteve dhe të veprave monumentale. Agim Nebiu është i njohur sot edhe në Itali. Mozaiku që ngritëm ne është një vepër vërtetë në përputhje me kërkesat e kohës, por kush njeh historinë e artit ka treguar se bukuria e kësaj vepre nuk është e kontestuar.
Nuk duket pak se mendimi juaj është paksa jashtë mënyrës së të menduarit të një pjese të artistëve që janë dënuar ashtu si ju, sepse nuk i janë nështruar dot metodës së realizmit socialist. Ata krahë të fortë muskuloz gruaje dhe tipare personifikimi të kohës, a nuk do të ishin një motiv për të mos ta dashur mozaikun në qendër të Tiranës?
-Jo aspak. Çfarë iu bën ai mozaik njerëzve. Duan ta zhdukin atë epokë. Por ja që ajo ka ekzistuar. Kultura vizuale ka qenë e mbetet pasuria kulturore e të gjitha epokave, pavarësisht nga fryma e secilës. Cili ka të drejtë të shemb e të deformojë një vepër arti në një kohë tjetër. Unë jam për mendimin të restaurohet dhe të jemi edhe ne vetë pjesë e kësaj pune restauruese për të mos humbur vlerat. Prishja dhe shkatërrimi i veprave të artit vizual është e njëjtë me djegien e librave. A mund t'i djegim librat. Si thoni ju?
Por, një pjesë e atyre që janë kundër mendojnë se ka të bëjë me dhunën vizuale. Librin mund të mos ta shfletosh, po të duash. Mozaikun je i detyruar ta vësh re. Mbase për disa është më e ndjeshme kjo gjë. Anën e kujt mendoni se duhet të mbajmë?!
-Arti vizual vërtetë është imponues për ta parë, por arti piktorik ka edhe një transparencë më tepër. Ai është dëshmi, gravurë e secilës kohë, e secilës epokë. Në epokat më të vjetra të historisë i interpretojmë vetëm nëpërmjet pikturave dhe skulpturave. Mos vallë duhet të mohojmë se nuk e paskemi jetuar komunizmin. Na vjen turp neve prej kësaj?! Por ne e kemi jetuar, s'kemi ç'i bëjmë, dhe s'kemi pse ia fshehin këtë fakt brezave. Çuditem si ka dalë mendimi i heqjes së tij si simbol i komunizmit, sa regjime kanë kaluar në Tiranë, ne duhet t'i shfarosim të gjitha simbolet mendoni ju. As në kohën e diktaturës që u bënë padrejtësi duke djegur ikonografi dhe kisha nuk pati një sjellje të tillë së paku për shenjat dhe simbolet e kryeqytetit, përfshi edhe ato të fashizmit.
A mund të na jepni një shembull?
Unë po jua jap një shembull. Pallati i Brigadave në katin e dytë i ka shkallët të mbuluara me relieve që janë simbole të fashizmit. Gjatë periudhës së komunizmit ato vërtetë u mbuluan me piktura, por nuk u prishën. Çfarë duhet bërë sot, mos vallë duhet ta mbulojmë edhe mozaikun me perde. Unë me ankth i bashkohem kërkesës së atyre artistëve dhe intelektualëve që pohojnë se mozaiku ka nevojë urgjent për restaurim. Dhe kur të fillojë restaurimi të merret kontakti me autorët. Dhe jo për arsye se ne kemi punuar me këtë mozaik. Problemi është më i rëndësishëm se kaq. Edhe epoka më konformiste ka vlera atraktive për të ardhmen, për epokën. Le t'i ruajmë gjurmët tona të historisë me të mirat e të këqijat. Këta jemi ne, mos të na vijë turp.
(sg/shqiptarja.com)