Jeni njohur me vendimin e Kushtetueses që ka pranuar kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës për shfuqizimin e Aktit Normativ të qeverisë që zgjati hyrjen në fuqi të “Nëpunësit Civil”?
Po! Jam njohur pasi ai u shpall. Megjithëse në media edhe para 5 shkurtit 2o14 u dha informacion se kërkesa e opozitës u pranua me 5 vota pro e 4 kundër. Madje u botuan dhe pjesë të këtij vendimi.
Lidhur me këtë vendim, në aspektin ligjor dhe kushtetues mund të shprehni ndonjë mendim?
E lexova me shumë vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u shpall më 5 shkurt 2014. E ballafaqova me dispozitat përkatëse kushtetuese, me ligjin e saj organik si dhe me praktikën disa vjeçare të po kësaj gjykate, ku është trajtuar çështja e Akteve Normative të nxjerra nga qeveria. Plot 30 faqe, me 80 paragrafë është arsyetimi i vendimit të shumicës. Jo për shkak të gjatësisë por për argumentet jobindëse mund të thuhet se ky vendim është i pabazuar e bie në kundërshtim me praktikën e vetë kësaj gjykate.
Në disa drejtime ka referime të papërshtatshme, arsyetime të sforcuara, interpretime që s’sqarojnë e nuk zbërthejnë thelbin dhe frymën e dispozitave përkatëse kushtetuese. Kushtetuesja, i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe interpretimin përfundimtar të saj e bën pa krijuar norma të reja kushtetuese, atribut ky i kushtetutbërësit.
Sipas jush, cili është problemi kryesor që trajtohet në vendim dhe që ju e konsideroni të pabazuar?
Në vendimin e saj Gjykata ka arritur në përfundimin se Këshilli i Ministrave nuk ka të drejtë të nxjerrë akte normative për ligje që miratohen me votim të cilësuar(3/5 e gjithë deputetëve). Në mbështetje të këtij konkluzioni ajo i referohet nenit 83 pika 3 të Kushtetutës ku thuhet se “Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuar në nenin 81 para. 1 e 2 i Kushtetutës, ku thuhet se: “ligjet, vendimet, deklaratat, rezolutat, konsiderohet të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë parashikohet shumica e cilësuar për miratimin e tyre”.
Ligji për “Nëpunësin Civil” ose siç përmendet në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës ligji “Për statusin e funksionarëve publikë” “miratohet me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Përse bëhet fjalë pikërisht për nenin 83 pika 3 Kushtetutës dhe nenin 55 pika 1 të rregullores së Kuvendit? Në to bëhet fjalë për projektligje, ligje, vendime, deklarata e rezoluta. Theksi në të dy dispozitat vihet te procedura parlamentare, ndërsa neni 101 i Kushtetutës (përjashtim nga rregulli) legjitimon nxjerrjen e Aktit Normativ me frymën e ligjit.
Më konkretisht...?
Për ta bërë më të qartë, e shikoj të nevojshme t’i referohem dhe të citoj nenin 101 të Kushtetutës. Në të thuhet: “K.M, në rast nevoje e urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte e humbasin fuqinë që nga fillimi, nëqoftëse s’miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”. A nuk është e qartë se neni 101 është dispozitë e veçantë që s’mund të interpretohet duke iu referuar neneve të mësipërme(83 pika 3 e 55 pika 1)?
A nuk është e qartë se neni 101 që është përjashtim, legjitimon nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit(pa bërë dallimin nëse ligji në procedurën parlamentare miratohet me votim të zakonshëm apo të cilësuar)? A nuk është e qartë se nxjerrjen e një akti të tillë e inspiron nevoja dhe urgjenca? E megjithatë është Kuvendi që vendos nëse akti Normativ është nxjerrë ose jo në përputhje me nenin 101 të Kushtetutës. Eshtë Kuvendi pra që brenda 45 ditëve vendos miratimin ose jo të këtij Akti Normativ. Në fakt, Kuvendi ka bërë vlerësimin e vet dhe në përfundim e ka miratuar atë, duke zbatuar procedurën përkatëse.
Ju thoni se vendimi i Kushtetueses është i pabazuar e jo bindës, por ai është i detyrueshëm, ka të tjerë që këtë vendim e kanë konsideruar të drejtë, madje midis tyre ka dhe juristë...?
Mendimet individuale qofshin dhe kritike apo mbështetëse mbeten individuale. Kjo s’ka të bëjë me faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar, sepse ato janë të detyrueshme për zbatim dhe pse ka patur ndo një rast që vetë Kuvendi nuk e ka respektuar këtë detyrim kushtetues.
Grupi i deputetëve të opozitës ka kërkuar fillimisht pezullimin e zbatimit të Aktit Normativ. Në ç’raste mund të kërkohet pezullimi dhe cili ka qënë qëndrimi i Kushtetueses lidhur me këtë kërkesë?
Sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, ajo, kryesisht ose me kërkesën e palës, vlerëson nëse zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që preken interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve dhe sipas rastit me vendim urdhëron pezullimi ose jo të ligjit ose të aktit. Me sa më kujtohet para shpalljes së vendimit, Gjykata ka refuzuar këtë kërkesë.
Refuzimi arsyetohet në vendimin përfundimtar ku thuhet: “Kushtetuesja vlerëson se kërkesa për pezullimin e zbatimit të Aktit Normativ objekt shqyrtimi, nuk gjen mbështetje në kërkesat e nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10/2/200 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Për rrjedhojë gjykata vendis rrëzimin e kësaj kërkese si të pabazuar”.(shih para. 11 të vendimit). Kjo do thotë sëpari se Kushtetuesja s’ka arritur në përfundimin se zbatimi i Aktit Normativ mund të kishte pasoja që parashikon neni 45 i ligjit organik. Së dyti gjykata ka patur ka patur parasysh se vendimi i saj nuk do të kishte fuqi prapavepruese.
Kur hyn në fuqi vendimi dhe pse s’ka fuqi prapavepruese...?
Sipas nenit 132 pika 2 të Kushtetuës vendimet e Kushtetueses hyjnë në fuqi ditën e botimit në fletoren zyrtare, por gjykata mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër. Në dispozitivin e vendimit të Kushtetueses të shpallur më 5 shkurt 2014 thuhet se “Ky vendim është përfundimtar i formës së prerë e hyn në fuqi ditën e botimit në fletoren zyrtare”, ndërsa në nenin 76 të ligjit organik të Kushtetueses theksohet se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar një ligj apo akt normativ si të papajtueshëm me Kushtetutën ose me marrëdhëniet ndërkombëtare, si rregull sjell efekte juridike nga data e hyrjes së tij në fuqi”.
Dispozita e mësipërme është në përputhje me nenin 4 pika 1 të Kushtetutës ku thuhet se “e drejta përbën bazën dhe kufinjtë e veprimtarisë së shtetit”. Ky formulim shpreh parimin e rëndësishëm kushtetues atë të sigurisë juridike, cënimi i të cilit godit qëndrueshmërinë e ligjit, stabilitetin e tij. Ndalimi i fuqisë (ose efektit) prapaveprues të ligjit rrit gjithashtu besueshmërinë e shtetasve ndaj ligjit. Për të gjithë është e qartë se sa i dëmshëm do të ishte cënimi i këtij parimi nëse shfuqizimi si antikushtetues i ligjit ose aktit normativ do kishte efekte prapavepruese. Në këtë drejtim mendoj se praktika e Gjykatës Kushtetuese ka qënë konsenguente dhe e qëndrueshme.
Ka punonjës që pretendojnë se largimi i tyre nga puna është i kundraligjshëm. A kanë të drejtë të ankohen?
Sigurisht që po. Por objekti i ankimimit nuk mund të jetë akti normativ me arsyetimin se ai nuk duhej miratuar, por dispozita përkatëse e ligjit nr. 8549 datë 11/11/1999 për “Statusin e Nëpunësit Civil”, aq më tepër që akti normativ u miratua nga Kuvendi(nenet 70 e 72 të ligjit nr.152 i 2013) që shtynë zbatimin e ligjit për nëpunësin civil deri më 1 prill 2014. Kushtetuesja për mendimin tim do të duhej të shfuqizonte si të papajtueshëm me Kushtetutën(sipas arsyetimeve dhe përfundimeve të arritura prej saj) vetëm ligjin nr.152 miratuar nga Kuvendi dhe jo dhe aktin normativ që pas miratimit u legjitimua duke u kthyer përfundimisht në ligj. Pas kësaj nuk shtrohet më çështja e masave të përkohshme. Sidoqoftë ky fakt s’ka ndonjë rëndësi të veçantë.
Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)