Konstitucionalisti Njazi Jaho: KQZ
me katër anëtarë nuk funksionon

Konstitucionalisti Njazi Jaho: KQZ<br />me katër anëtarë nuk funksionon
TIRANE - Konstitucionalisti i njohur Njazi Jaho në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se KQZ nuk mund të marrë asnjë vendim me një përbërje të tillë prej katër anëtarësh, ndaj duhet gjetur menjëherë një zgjidhje ligjore në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen sipas Kodit Zgjedhor.

Jaho ka komentuar dhe deklaratat se të gjitha vendimet me shumicë të cilësuar të cilat nuk arrihet të merren nga kjo KQZ mund të merren nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Sipas tij është antiligjore një kërkesë e tillë, për shkak se në Kodin Zgjedhor nuk është përcaktuar një normë e tillë, që Kolegji mund të marrë të gjitha vendimet me shumicën e pesë votave pro, të cilat KQZ në mungesë të të propozuarve nga opozita nuk arrin dot që t’i marrë.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që në këto zgjedhje, të cilësuar si shumë të rëndësishme dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë të zbatohet me përpikmëri ligji, në mënyrë që të mos ketë asnjë kontestim për zhvillimin e tyre por dhe për rezultatin.

Sipas Jahos anëtarët e këtij institucioneve që do të merren direkt me zgjedhjet, duhet të kenë kujdes që të zbatojnë vetëm ligjin dhe jo të operojnë me norma të reja që nuk përputhen me ligjin zgjedhor që duhet të jetë baza e funksionimit të institucioneve.

KQZ vazhdon të jetë me katër anëtarë. Ka mendime që mund të funksionojë dhe kështu. A është normale dhe e ligjshme vazhdimi i një gjendjeje të tillë?
Kodi Zgjedhor parashikon një KQZ me shtatë anëtarë. Si rrjedhim përgjigjen e pyetjes suaj e jep vetë ligji. Mbledhjet e KQZ janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se katër anëtarë me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimeve sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor(shih nenin 22 pika 5 të Kodit).

Në cilat raste kërkohet shumica e cilësuar?
Për këtë duhet ti referohemi nenit 24 pika 1 të Kodit Zgjedhor. Këto raste rreshtohen nga shkronja “a” deri në shkronjën “f”. Mund të përmendim vetëm dy prej tyre: a)Aktet me karakter normativ që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet.

b)Vendimet për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi dhe përsëritjen e tyre. Nga përmbajtja e nenit 22 pika 5 të Kodit del se mbledhjet e KQZ me 4 anëtarë nuk konsiderohen të vlefshme në rastet kur duhet të shqyrtohen dhe të vendoset për çështje që kërkojnë votimin e cilësuar(5 vota pro).

Në këtë vështrim, pra në aspektin ligjor të problemit, sfera e veprimit të 4 anëtarëve të KQZ është relativisht e kufizuar. Si rrjedhim, funksionimi i KQZ me katër anëtarë s’është i pranueshëm, i rregullt dhe i ligjshëm nëse mendohet se ai mund të zbatojë dhe detyra që nuk parashikohen në ligj.

Një nga anëtarët e KQZ është shprehur se dhe pa 2 anëtarë, pa 3 anëtarë, nëse do të ikim dhe ne të tjerët, Shqipëria i ka ligjet për të zhvilluar zgjedhjet. Komenti juaj për këtë deklaratë?
Për çështje që nuk më duken ligjore nuk preferoj të komentoj. Nuk dua ose nuk më vjen mirë të besoj që shprehje të tilla të jenë thënë nga një anëtar i KQZ. Por edhe po të supozonim se janë thënë, do të ketë qenë ndonjë moment nervozizmi emocional i çastit.

E them këtë sepse edhe zgjedhësi më i thjeshtë e di se ka një organizëm të lartë shtetëror që e quajnë KQZ dhe që është ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve. Për të gjithë është e qartë se Shqipëria ka ligje për të zhvilluar zgjedhjet siç është i qartë se zgjedhjet zhvillohen në bazë të Kodit Zgjedhor dhe administrohen nga disa komisione të caktuara me ligj, përfshi këtu dhe KQZ.

Pranohet që 4 anëtarë të KQZ nuk mund të vendosin për çështje që kërkojnë votim të cilësuar(votim pro të jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ) por ka dhe ndonjë që mendon se për boshllëkun që ekziston në këtë drejtim, do të investohet Kolegji Zgjedhor. A është i bazuar ky variant?
Eshtë e lirë shprehja e mendimit, por kryesorja është argumenti, bindja. Për mendimin tim, në këtë rast, këto mungojnë. Në Kod nuk ka ndonjë dispozitë ku të thuhet se në ato raste kur KQZ mbetet me 4 anëtarë, për çështjet që kërkojnë vetëm votim të cilësuar, investohet Kolegji Zgjedhor.

Megjithatë, e shikoj të nevojshme të theksoj se subjekti i interesuar zgjedhor ka të drejtë të ankohet në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimit të KQZ. Mirëpo çfarë do t’i kërkojë ai Kolegjit kur mbledhja e KQZ me 4 anëtarë nuk është e vlefshme për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këtë apo atë çështje që kërkon votim të cilësuar?

Është e vërtetë që sipas Kodit, subjekti përkatës mund t’i drejtohej Kolegjit që ai të detyrojë KQZ të marrë vendimin që nuk është marrë brenda afatit ligjor. Por ç’vendim mund të marrë katërshja që s’ka as të drejtën të bënte mbledhje për çështje të tilla?!

Kolegji Zgjedhor nuk mund të investohet për shqyrtimin e çështjeve që kërkojnë votim të cilësuar me arsyetimin se KQZ për shkak se ka ngelur me katër veta nuk bën dot mbledhje dhe s’merr dot vendim! Dihet nga të gjithë, por sidomos nga juristët, se parimi i ligjshmërisë nuk pajtohet me konceptin e “oportunitetit” apo të veprimeve për “hir të punës”.

Asnjë organ, veç legjislativit, nuk ka të drejtë të krijojë norma të reja. Interpretimet subjektive mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme. Kolegji Zgjedhor, KQZ dhe çdo organ tjetër që në mënyrë direkt apo indirekte kanë lidhje me zgjedhjet, janë të detyruar të zbatojnë vetëm ligjin.

Zgjedhjet po afrojnë. Së shpejti dhe Parlamenti do shpërndahet. Si mendoni se do të zgjidhet problemi i KQZ?
Problemi mendoj se është i vështirë, si rrjedhim edhe zgjidhja nuk do të jetë e lehtë, por e mundshme. Ajo kushtëzohet nga vullneti politik i shprehur dhe i konkretizuar nëpërmjet nismave të shpejta, konstruktive dhe institucionale të legjislativit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Veliaj në konferencën e Straife, me temë 'Trendet e Reja në Bashkimin Europian': Sot në Shqipëri bëhet më lehtë biznes! Fokusi ynë, arsimimi digjital i të rinjve dhe të rejave

Veliaj në konferencën e Straife, me temë 'Trendet e Reja në Bashkimin Europian': Sot në Shqipëri bëhet më lehtë biznes! Fokusi ynë, arsimimi digjital i të rinjve dhe të rejave