Hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës nuk mund të vihet në të njëjtën peshore me një konsullatë serbe në Shkodër. Kështu e sheh ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili argumenton se interesi i Shqipërisë dhe ai i Serbisë në këtë proces nuk mund të krahasohen sepse nuk janë të njëjtë
Majko, i cili drejtoi qeverinë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, kur Shqipëria priti qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga regjimi serb, vë në dyshim parimin e reciprocitetit mbi të cilin po diskutohet hapja e dy përfaqësive konsullore.
“Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi sesa vetë minoriteti. Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës. Krahasimi është më shumë se një ironi”, shkruan Majko.
Ai shton se Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë, ndërsa thekson se mes Serbisë dhe Shkodrës ndodhet Mali i Zi.
“Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard. Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër. Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, përfundon Majko.
Postimi i plotë
"Konsullatë serbe në Shkodër?!… Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi sesa vetë minoriteti!
Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…!
Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë!
Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes!…
Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër!
Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë!"
Lajmi kryesor:
Serbia: Do kemi konsullatë në Shkodër! Hoxha: Ende pa vendim, interesi ynë përfaqësi në Luginën e Preshevës










