Ashtu siç paralajmëroi disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka nisur konsultimet me prindërit për mbylljen ose filtrimin e dy platformave më të përdorura nga të fëmijët dhe adoleshentët, SnapChat dhe Tik Tok. Kreu i Qeverisë zhvilloi një takim me prindër të shkollës Sami Frashëri në Tiranë, ku shpjegoi dhe për masa të tjera përforcuese që do të ndërmarrë qeveria për sigurinë në shkolla, siç është vendosja e kamerave.

Rama tha se mbyllja e këtyre dy aplikacioneve nuk zgjidh problemin, por ngushton hapësirën që nxit dhunë.

“Tani duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të vërtetë me njëri-tjetrin, që ky problem është më i gjerë sesa kaq. Nuk është thjeshtë çfarë ndodh brenda mureve të shkollës.

Por këtë s’është se e kemi shumë në dorë dhe nuk e di se çfarë ilaçi ka.

Thënë të gjitha këto sigurisht që ideja për të ndaluar TikTokun dhe/ose SnapChat si dy platforma që janë problematike, – të gjitha platformat janë problematike në fakt, por këto dyja janë problematike për arsye specifike – është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot dhe që me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi.

Kështu që, duke i thënë të gjitha këto dhe duke qenë shumë i dëshiruar për të dëgjuar edhe komentet tuaja, ju falënderoj dhe një herë për praninë dhe për durimin. Dhe fjala është për këdo prej jush që dëshiron të thotë mendimet dhe plus mundësisht dhe sugjerimet përkatëse sepse të gjithë mësuesit apo prindërit kanë këndet e tyre dhe kur mësuesit janë dhe prindër e shohin nga të dyja anët subjektin për të cilin ne jemi të interesuar më shumë se për çdo gjë tjetër, që janë fëmijët”, tha Rama.

Ndërkohë parashikohet dhe projekti i hartuar për monitorimin e procesit mësimor, me kamera, në kohë reale.

“Kemi një projekt që e kemi nisur para një viti dhe po e finalizojmë tani. Deri në fund të dhjetorit do të firmosim marrëveshjen. Bëhet fjalë për një sistem monitorimi të shkollave me teknologji dhe nga ana tjetër për një financim të konsiderueshëm që do ta marrim përmes një marrëveshje me Emiratet  Bashkuara Arabe. Është një sistem i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultate të jashtë zakon me që mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të procesit mësimor, të të gjithë jetës brenda mureve të oborrit të shkollës dhe çdo prind, në çdo kohë, mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke thjeshtë bërë një kërkesë pranë shkollës.

Kryeministri theksoi se çdo gjë që ndodh në shkollë do të regjistrohet.

“Çdo lloj situate jashtë disiplinës mësimore është e regjistruar. Rezultatet e atij sistemi janë nxjerrë nga një ndjekje që është bërë atje dhe faktikisht ka një rënie drastike të rasteve të bullizmit të dhunës e kështu me radhë. Dhe tjetra e rëndësishme do e kombinojmë me element plus, kontroll dixhital i të gjitha hyrjeve dhe daljeve për çdo lloj mjeti metalik ose telefon që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa e çanta që të zbatojmë strikt rregullin e ndalimit të celularëve në shkolla”, përfundoi kryeministri.