Në pr.buxhetin për vitin 2026 janë është parashikuar që 120 mln euro të shkojnë për kontratat koncesionare. Aktualisht, në pr.buxhet theksohet se janë aktive 11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP).
Financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) me mbështetje nga buxheti i shtetit parashikohen të pësojnë një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas të dhënave të tabelës në relacionin për buxhetin, totali i fondeve për këto projekte zbret nga 139 milionë euro në vitin 2025 në rreth 120 milionë euro në vitin 2026. Kjo përfaqëson një tkurrje prej afro 18.5 milionë eurosh, ose rreth 13.3% më pak.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mban peshën më të madhe të fondeve për këto kontrata. Rruga e Arbrit është koncesioni me vlerën më të lartë të financimit në vend, koncesion që ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025.
Gjithashtu, vazhdon subvencionimi i kontratës për autostradën Milot–Morinë, me 660 milionë lekë (rreth 6.6 milionë euro), si dhe financimi 860 mln lekë ose 8.6 mln euro për projektet në Portin e Jahteve në Vlorë dhe Dukat. Në total, Ministria e Infrastrukturës merr 40% të fondit për koncesionet, ose rreth 48.8 mln euro.
Ministria e financave merr 15 mln euro që shkojnë për koncesionin për shërbimin e skanimit të Doganave.
Ndërkohë, për herë të fundit qeveria paguan për kontratat koncesionare për shëndetësinë. Kontrata koncesionare e check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë (rreth 7 milionë euro) në vitin 2026, nga 876 milionë lekë (rreth 8.7 milionë euro) në 2025.
Sterilizimi do të financohet me 500 milionë lekë (rreth 5 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) në 2025. Ndërsa kontrata e dializës parashikohet të marrë 815 milionë lekë (rreth 8.1 milionë euro) në 2026, nga 960 milionë lekë (rreth 9.6 milionë euro) në 2025. Koncesioni për shërbimet laboratorike në pesë spitale rajonale arrin në 2 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) këtë vit.
Në nivel vendor, projektet e Bashkisë Tiranë, që përfshijnë ndërtimin e shkollave dhe programet për eficiencën e energjisë, pësojnë gjithashtu rënie të moderuar. Financimet për ndërtimin e shkollave ulen nga 707.5 milionë lekë (rreth 7 milionë euro) këtë vit në 685.2 milionë lekë (rreth 6.8 milionë euro) në vitin 2026. Ndërsa, 10 milionë euro (rreth 1 miliard lekë) do të shkojnë për inceneratorin e Tiranës.
Lajmi kryesor:
Pr.buxheti i parë i ‘Rama 4’ do të jetë 8.8 mld euro! 100 mln euro për rritjen e pensioneve! Për herë të parë indeksohen pagat e shtetit me 2.5%










