Kontributet e albanologëve
në një libë

Kontributet e albanologëve<br />në një libë
TIRANE- Libri “Pyetje në albanologji” shkruar nga studiuesi Shaban Sinani ka dalë në dritën e botimit nga shtëpia botuese “Naimi”. Ky libër merret me autoritete, argumente e probleme të hershme e të sotme të albanologjisë. Nën titullin “Pyetje në albanologji - autorë dhe teza” Shaban Sinani sjell një kontribut për theksimin e origjinalitetit në kërkimet shqiptare, në një kohë kur pikërisht origjinaliteti në një pjesë të madhe të studimeve të sotme është mjegulluar. Krahas identifikimit të imët të kontributeve të këtyre autoriteteve (A. Buda, Dora d’Istria, Hasan Ceka, De Rada, Lef Nosi, Mahir Domi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Tahir Dizdari, Vexhi Buhara, Matteo Mandalà, Maximilian Lambertz, Milan Šufflay etj.); dalin në dritë tezat dhe hipotezat e tyre për çështje të tilla, si origjina e kombit shqiptar, historia dhe gjuha e tij, eposi, folklori etj., autori, me modesti dhe me një stil elegant rigoroz, duke marrë shkas prej pikënisjes, ofron të dhëna, gërsheton njohuri ndërdisiplinore, hedh teza e hipoteza të reja, duke na bërë të kuptojmë jo vetëm zotësinë e tij, por duke zbuluar vlera të reja tek ata për të cilët shkruan.

Ndryshe nga disa grupe studiuesish, që nuk kanë shkruar qoftë dhe një rresht në nderim të personaliteteve të të njëjtit urdhër, ky libër i Shaban Sinanit dëshmon se albanologjia, ashtu si çdo degë tjetër shkence, nuk mund të ngrihet në një stad të ri pa njohuritë, dijet e kontributin e “të parëve”, të atyre që kanë kontribuar para nesh. Është fakt se një disa studiues përpiqen të mbingrihen duke mohuar e errësuar punën e paraardhësve; apo të tjerëve ende, duke u orientuar për hesap të shijes dhe pragmatikës ditore, ku nisin të zhvlerësojnë dijen dhe dijetarët për hesap të orientimit,
 
Nuk është e rastit që autori i librit ka përfshirë këtu edhe disa figura që ishin mënjanuar, si: Lef Nosi, Haxhi Shehreti i Delvinës, Dora d’Istria, Margaret Hasluck; apo të dhënat e zbuluara prej tij mbi kontin Junku të Krajës, një familje patronimike shqiptare, duke i vlerësuar si burime të dhënash me vlera të shumëfishta etnologjike, gjuhësore, folkloristike dhe historike. Libri i Shaban Sinanit “Pyetje në albanologji - autorë dhe teza”, ndonëse duket si kushtim një yllësie personalitetesh, në fakt, me dijen e pasur që ofron jo për jetën apo biografinë e njërit a tjetrit, por për shumë enigma dhe probleme të etnosit dhe eposit, historisë dhe gjuhës së shqiptarëve, mund të vlerësohet edhe si një enciklopedi albanologjike e autorit.

Lexuesi që i ka dëgjuar apo dëgjon shpesh emra të tillë si A. Buda, Dora d’Istria, H. Ceka, De Rada, Lef Nosi, M. Domi, Q. Haxhihasani, Sh. Demiraj, T. Dizdari, V. Buhara, M. Mandalà, M. Lambertz apo Sufflay por kërkon të dijë më shumë dhe më saktë për kontributin e tyre në kulturën shqiptare mund ta ketë këtë libër si referencë serioze. Jo vetëm kaq, por mund të shohë se si tezat e hipotezat e tyre plotësohen e forcohen nga dijet e autorit të librit dhe të tjerëve që kanë punuar ndërkohë.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024