TIRANE- Për herë të parë personat e moshës 40 deri 65 vjeç do të kryejnë falas kontrollet bazë shëndetësore. Një herë në vit, ata do të thirren nga qendra shëndetësore, për të bërë një sërë analizash dhe ekzaminimesh. Zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, njëherësh kryetar i grupit të punës, ka publikuar paketën e shërbimeve që do të ofrohet falas për këtë pjesë të popullatës, e cila është edhe më e prekur nga sëmundjet. “Vlerësimi i aktivitetit fizik, këshillim, ushqyerja, konsumi i duhanit, alkoolit. Po kështu dhe për nivelin e stresit dhe të depresionit, matej ne tensionit arterial, indeski i masës trupore, EKG, formulë gjaku, lipitogramë, glicemi, feçe për gjak okut. Janë adresuar ato çështje të cilat nëse kapen herët problemet që ekzistojnë, mund të ndryshojnë edhe kursin e këtyre problematikave” ka pohuar zv/ministri i Shëndetësisë, Klodioan Rjepaj.

Në prezantimin e programit Ministri i Shëndetësisë deklaroi se një depistim i tillë bëhet për herë të parë në këto dy dekadat e fundit. 880 mijë persona do të përfitojnë falas një herë në vit CHEC-up shëndetësore. “Tradicionalisht, sistemi shëndetësor ka patur në qendër sëmundjen. Me sëmundjen në qendër është konceptuar dhe ngritur i gjithë sistemi i kujdesit shëndetësor. Le të përpiqemi të vendosim në qendër shëndetin. Atëherë, duhet të kujdesemi për shëndetin, të investojmë për të. Investimi për të janë, qoftë parandalimi, ashtu edhe diagnostikimi i hershëm. Kjo është arsyeja se përse një nga shtyllat kryesore të programit tonë 4-vjecar është programi i kontrollit bazë shëndetësor për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40 - 65 vjeç. I ftojmë që 1 herë në vit, pa pagesë, të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin bazë” ka theksuar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Depistimi i popullatës i moshës 40 deri 65 vjeç do të shtrihet në 421 qendrat shëndetësore të vendit, ndërkohë që Fondi i Sigurimit shëndetësor ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve.

“Fondi ka marrë të gjitha masat për mbulimin financiar të kësaj paketë bazë. Kryerja e përvitshme e këtyre analizave bazë, do të mbulohet nga Fondi me një vlerë vjetore prej 17-18 milion dollarë për 900 mijë përfitues. Përfitues të kësaj pakete, do të jenë të gjithë personat e grupmoshës 40-65 vjeç, pavarësisht nëse janë ose jo të siguruar. Ky është një nga premtimet e mbajtura, për të shkuar drejt mbulimit falas për të gjithë popullatën për shërbimet bazë” ka pohuar Astrit Beci drejtor i Fondit të Sigurimeve. Nga llogaritjet e bëra, 15% e grupmoshës 40-65 vjeç mbulohen nga qendra shëndetësore që nuk plotësojnë kushtet për të ofruar të gjithë paktën e kontrolleve. Sipas specialisteve të shëndetësisë kjo do të realizohet me ndihmën e mjekëve të lëvizshëm dhe laboratorëve të qendrave më të afërta shëndetësore.

Personat  do të thirren sipas muajit të lindjes, nëpërmjet postës për të kryer kontrollet kryesore shëndetësore dhe po me postë, do të marrin përgjigjet e analizave. Por cila është rruga do te ndiqet nga një person e i kësaj grupmoshe? Personi i shëndetshëm merr pjesë në chec up pasi është ftuar me anë të shërbimit postar për këtë qëllim. Ai paraqitet në qendrën e tij shëndetësore ku aty do të takojë infermierin që do kryejë ekzaminimet. Do të merret gjaku, dhe deri në momentin që informacioni që merret nga infermieria dhe nga laboratori, kryqëzohen tek mjeku i familjes, atëherë do të bëhet vlerësimi i riskut shëndetësor për këtë person, nëse mund të ekzistoje ose jo.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)