TIRANE- Rektori i Universitetit të Mjekësisë ka ngritur një grup auditimi i cili po kontrollon dokumentacionin e të gjithë fakulteteve që janë në varësi të tij, mbi lëvizjet financiare të kryera gjatë vitit të kaluar, por edhe mbi të gjitha procedurat e tjera dhe funksionimin e këtyre institucioneve publike. Nga ky auditim, Gazeta “Shqiptarja.com” ka mundur të sigurojë një pjesë të raportit ku përshkruhen abuzimet e kryera.

Më konkretisht gjatë vitit 2013 në Fakultetin e Mjekësisë, sipas raportit paraprak të auditit, rezulton se është kryer një dëm ekonomik prej 55. 369.635 lekë. Sipas auditit rezulton se një pjesë e mirë e lëvizjeve bankare të kryera nga ky fakultet nuk janë depozituar me anë të shkresave të nevojshme. “Grupi i auditimit do t’i trajtojë si shpenzime në fakt dhe si shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik shumën 55.369.635 lekë.

Pasi është vepruar në kundërshtim me ligjin nr .10296 datë 08.07.2010 për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin neni 12 pika dh), duke mos dokumentuar të gjitha transaksionet financiare dhe të tjera si dhe duke mos garantuar gjurmën e auditimit për të gjitha proceset që ndodhin në njësi. Në kundërshtim me Udhëzimi nr.2 datë 6.02.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit neni 152 , neni 154 dhe 157 , ku përgjegjësi direkte mban specialistja e financës e cila ka mbuluar detyrën e nëpunësit dhe z.Bajram Hysa dekan i fakultetit ku ngarkohet me përgjegjësinë e titullarit të Fakultetit dhe nën përgjegjësinë e nëpunësit autor” thuhet në raportin e auditit të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë.

Po kështu në auditimin e kryer në këtë fakultet ka rezultuar se një pjesë e mirë e dokumentacionit të bankës për vitin 2013 nuk ishte i sistemuar, urdhër shpenzimet nuk ishin identifikuar me numër kronologjik si dhe urdhrat e shpenzimeve në disa raste ishin me fraksione. “Një pjesë e mirë e urdhrave ishte me fraksione dhe konkretisht urdhër shpenzimi 5/1, datë 15.01.2013, urdhër shpenzimi 11/1, datë 15.03.2013, urdhër shpenzimi 19/1, datë 11.03.2013, urdhër shpenzimi 12/2, datë 15.03.2013, urdhër shpenzimi 18/1, datë 04.04.2013, etj” thuhet në raportin paraprak të auditit.

Po kështu, ky raport në pikën 7 të tij, mbi “auditimin dhe zbatimin e normave mësimore dhe pagesat suplementare” tregon se për vitin 2013 janë paguar 6.576.000 lekë. “Nga auditimi i situacionit të shpenzimeve vjetor 2013 u konstatua se janë bërë pagesa sipas llogari 6002100 Paga me kontratë për kohë të kufizuar në vlerën 3332916 lekë dhe “Shpërblime të tjera Personeli” në vlerën 4.342.770 lekë dhe llogaria 6029005 Honorare për vlerën 6.576 .000 lekë” thuhet në raportin e auditit.

Sipas këtij të fundit përgjegjësia për këtë veprim i kalon specialistes së financës e cila ka bërë veprimin e pagesës sipas urdhër shpenzimeve dhe nuk ka dokumentuar gjurmën e auditimit për këtë proces,duke mos e bërë objekt auditimi vlerën 11.008.770 lekë. Por, auditi i ngritur nga rektorati i universitetit është duke verifikuar edhe doktoraturat e kryera në këto fakultete si dhe një sërë procedurës të tjera. 

Faksmile e raportit të auditit të Rektoratit Universitetit të Mjekësisë
(Në foto: Faksmile e raportit të auditit të Rektoratit Universitetit të Mjekësisë)


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)