'Kontrolloni afatin e skadencës së kartave ID'

'Kontrolloni afatin e skadencës së kartave ID'

TIRANE - Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të verifikojnë datën e skadencës së kartave të identitetit, në mënyrë që t’i paraprijnë procesit të rinovimit të tyre dhe të shmangin radhët e mundshme kur duan të marrin karta të reja. 

Gjatë vizitës në ambientet e aplikimit për dokumente biometrike në bashkinë Kamëz, ajo shoqërohej nga kreu i bashkisë Rakip Suli, i cili u shpreh se po punohet për hapjen e zyrave të aplikimit edhe në Bathore, në mënyrë që të lehtësohet i gjithë procesi. 

Nga ana tjetër, zv.ministrja theksoi edhe njëherë që për lehtësimin e procesit të aplikimit është planifikuar që të bëhet një ndarje në 3 fasha të ndryshme kohore, përkatësisht në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. 

Duke folur për fushatën e ndërgjegjësimit të qytetarëve, Voda tha se “sot jemi në bashkinë Kamëz, me kryetarin e bashkisë Rakip Suli, në fakt ne vazhdojmë fushatën tonë të ndërgjegjësimit për të gjithë qytetarët jo vetëm të Tiranës, por edhe të bashkive të tjera si Kamza, apo Laçi. Kemi qenë edhe në bashki që janë pak më të vogla se bashkitë e mëdha, duke bërë një thirrje për qytetarët që të vijnë të aplikojnë, pasi situata tashmë e ambienteve ku ata aplikojnë është krejt ndryshe me vite më parë.

Pikërisht këtu, kemi 5 operatorë të cilët janë në shërbim. Shoh në fakt një numër të lartë qytetarësh, që duan të vijnë dhe të aplikojë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike,” theksoi Voda. 

Duke dolur rreth ndarjes në fasha kohore, ajo u shpreh “për të shmangur radhët, unë dua t'u bëj me dije të gjithë qytetarëve, edhe atyre të bashkisë Kamëz, që për karta identiteti, Ministria e Brendshme bashkë me kompaninë Aleat, ka vendosur të ndajë aplikimin për karta në tre fasha kohore. 

Do të thotë, atyre që u skadon karta për periudhën janar-prill, do të aplikojnë në tetor, pra kujt i skadon brenda janar-prill, do të aplikojë në tetor. Atyre që u skadon nga maji deri në gusht, do të vijnë të aplikojnë në nëntor dhe atyre që u skadon në shtator-dhjetor, do të vijnë të aplikojnë në muajin dhjetor.

E gjithë kjo ndarje në fasha bëhet për të lehtësuar shërbimin, për të shmangur radhën dhe dyndjet e qytetarëve. Të mos harrojmë që në fund të vitit skadon afati i përdorimit të tyre, i shtyrë në fakt me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak edhe të procesit të votimit.

Prandaj ju bëj thirrje qytetarëve të vijnë, të respektojnë ndarjen në fasha kohore që të shmangin radhët. 

Megjithatë unë do t’ju lutesha qytetarëve të bëjnë një kontroll, të bëjnë një check të skadencës së kartave të identitetit dhe të vijnë për të aplikuar,” u shpreh zv.ministrja e Brendshme.

Kreu i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, duke folur për çeljen e zyrave të reja, ndër të tjera theksoi se “deri para një muaji këtu kanë punuar vetëm 3 operatorë dhe ambjenti deri para një muaji, ka qenë jashtë kushteve higjenore, teknike etj. Sot, falë investimit që bëmë në këto ambjente, jo vetëm janë dyfishuar ambjentet por sot  kemi arritur që nga 3 operatorë, të kemi 5 operatorë që punojnë. 

Duke shtuar sot operatorët, - pasi erdhëm bashkë këtu, në mëngjes ka pasur shumë kërkesa, për aplikim, qoftë për karta ID, qoftë për pasaporta dhe sot, - falë shtimit të këtyre operatorëve, është shmangur radha e njerëzve, të cilët mund të vijnë të aplikojnë për kartat ID dhe pasaportat.

Edhe kompania është treguar shumë e gatshme, pra Aleat; ne ofruam ambientin dhe investimin që bëmë në këtë ambient, dhe ata u treguan të gatshëm për të shtuar operatorët dhe pajisjet që i përkasin kompanisë.

Ne jemi në diskutim me Aleat që dhe në zonën e Bathores ku janë rreth 50 mijë banorë, presim shumë shpejt që të krijohet ambienti dhe pastaj në bashkëpunim me Aleat të ofrohet shërbimi për qytetarët, banorët e Bathores që të aplikojnë, ta kenë sa më afër vendin e aplikimit,” tha kryetari i Bashkisë së Kamzës.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër