Gjatë procesit të votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka pasur nga ata persona që kanë votuar edhe nga tre ose më shumë herë. Krahas kësaj, kishte edhe nga ata individ që shkonin në çdo vend votimi duke i dhënë direktiva delegatëve se kë prej kandidatëve duhet të votonin. Në 9 qendrat e votimit që nuk ishin në praninë e kamerave, kishte individ të punësuar enkas për të dhënë direktiva tek delegatët se kë duhet të votonin.

Duke pasur parasysh se një delegat duhet të votonte deri në 150 emra, këto persona shkonin tek delegatët duke i kërkuar që të votonin një numër të caktuar kandidati, pasi mundësia për të përzgjedhur ishte e madhe.

Krahas kësaj, kishte edhe nga ata kandidatë që kishin marrë masa konkrete duke bërë edhe kartëvizita reklamash për emrin e tyre në listë. Disa persona në hyrje të Pallatit të Kongreseve shpërndanin këto kartëvizita duke i kërkuar delegatëve me të drejtë vote që të votonin numrin e shënuar në kartëvizitë.

Kësisoj, hijet e një procesi korrekt votimi u shtuan edhe më shumë pasi në asnjë moment nuk pati çaste heshtjeje apo votimi normal, përjashtuar momenti kur votoi Berisha dhe Basha.