Sinjali dhe arratisja
Plani duket se funksionoi më së miri, pasi pak minuta më parë, pra në 19.25, kishin organizuar një shpërthim të madh në qytetin e Korçës dhe të shtëna armësh për ta përqendruar atje vëmendjen e policisë, ose për të njoftuar të burgosurit që të vepronin në atë moment. Më tej dyshohet se kanë prerë hekurat e burgut, me sharra që përmbanin diamant dhe kanë çarmatosur rojet, duke mbajtur në dorë armatime të ndryshme, ku kryesonin pistoletat dhe kallashnikovët, por të ndihmuar nga disa persona që i prisnin jashtë. Ndërkaq, mendohet se janë ndarë në 3 grupe, të hipur në 3 makina, pasi Artur Gora u arrestua i vetëm në aksin Ersekë-Korçë, një makinë u pa në Gurin e Kuq të Pogradecit dhe një person i mori automjetin kryeplakut të fshatit Qatrom, duke u shtirur si polic.
Aksioni për ti arrestuar
Forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Korçës, komisariatit të Pogradecit, rreth 400 efektivë nga Ndërhyrja e Shpejtë dhe RENEA, u nisën në zonën ku mendohej se ndodheshin të arratisurit, duke krijuar postoblloqe të shumta në Pogradec, Prrenjas, Librazhd dhe Elbasan. Ndërkaq, u njoftuan homologët grekë dhe maqedonas, të cilëve u janë shpërndarë nga pala shqiptare, fotot e 7 të arratisurve, ku përveç Tafilit, Nikollës e Gorës, në kërkim u shpallën Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula. Në të njëjtën kohë kur forcat policore ishin në terren, në Tiranë u mblodhën në takim Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thirrur një mbledhje urgjente me krerët e Policisë së Shtetit, të SHISH, me kryeprokurorin Lalla dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. Pas një heshtje relativisht të gjatë, 3 orë e gjysmë pas arratisjes, Ministria e Brendshme publikoi fotot e të arratisurve.
Dyshimet për vendndodhjen
Nga të gjitha mundësitë që tashmë ka ngritur grupi hetimor, ajo që ka më tepër bazë si logjike është mundësia që 6 të arratisurit e mbetur të jenë strehuar përkohësisht në zonën mes Prrenjasit dhe Librazhdit, pasi nisur nga periudha e përllogaritur kohore nga çasti i arratisjes e deri në organizimin total të krehjes së zonës nga policia, ata mund të kenë mbërritur deri atje, në bazë edhe të një plani të mirëorganizuar, të ndihmuar nga persona të jashtëm. Burimet policore i thanë gazetës “Shqiptarja.com se blindimi i kufijve me Maqedoninë dhe Greqinë si dhe përforcimi i postblloqeve shqiptare nuk do të lejonin në asnjë moment depërtimin e tyre.
Hetimet për ngjarjen
Grupi hetimor, i përbërë nga prokurorët e gatshëm, inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Oficerëve të Policisë Gjyqësore, kanë marrë në pyetje gardianët e turnit, për të mësuar më tepër për rrethanat e ngjarjes. Disa gardianë janë shoqëruar në polici dhe sqaruan pozicionin e tyre, teksa priten pezullime dhe shkarkime, si mes radhëve të tyre, ashtu edhe në rangjet drejtuese të këtij burgu.
Mirëpo, një fakt tepër domethënës është mënyra dhe rrethanat e kësaj arratisjeje spektakolare, pasi dyshohet se armët ishin futur më parë në ambientet e brendshme të burgut. Në vendin ku rri Aldo Bare dhe Zani Çaushi, ku të burgosurit kishin hyrë disa herë në greva urie për ajrimin apo ushqimin, etj. Disa përleshje ishin regjistruar më parë. Korça është një prej zonave nevralgjike të “kryqëzimeve të mëdha”. Aldo Bare u kap pikërisht në këtë qark, teksa organizonte trafiqe masive të heroinës në Ballkan, ndaj qartësia e plotë e ngjarjes do ndihmonte së tepërmi grupin hetimor.
Admir Bahri Tafili
Është i vitlindjes 1975, lindur e banues në Shkodër. Me të vëllain, Gencin, u dënuan se më 12 dhjetor 2001 plagosën shefin e krimeve, Prelë Pjetrushin, pasi e akuzonin atë për vrasjen e të babait të tyre dhe Drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.
Fran Pal Marashi
Është i vitlindjës 1978, lindur e banues në Shkodër. I dënuar me burgim të përjetshëm, i akuzuar dhe dënuar si anëtar i bandës që shkaktoi masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1996. Marashi, është ekstraduar nga Italia në vitin 2007 e 2 vite më pas tentoi arratisje.
Gëzim Gjergj Guri
Është i vitlindjes 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër. Gëzim Guri, një personazh mjaft i rrezikshëm i botës së krimit, është dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “vjedhjes me armë në bashkëpunim me pasojë vdekjen”. U dënua dhe për vrasjen e një të dënuari.
Gëzim Ndue Toma
Është i vitlindjes 1982, lindur e Banues në Dibër. Gjykata e Shkallës së Parë Dibër e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes. Ai është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe policia u kërkon qytetarëve që të lajmërojnë nëse e shohin.
Reiz Namik Haxhiraj
Është i vitlindjes 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës. 40-vjeçari akuzohej për “Rrëmbim personi” dhe Gjykata e Vlorës e kishte dënuar këtë të fundit me 13 vite burg. Lidhur me veprën për të cilën ishte dënuar, Haxhiraj e kishte kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha.
Eduard Kujtim Lula
Është i vitlindjes 1982, lindur e banues në Përmet. Ai është akuzuar, gjykuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm. Eduard Lula është akuzuar për vrasje dhe pas gjykimit nga Gjykata e Përmetit, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Artur Demir Gora
Është i vitlindjes 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës. Artur Demir Gora, i dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Policia e ka identifikuar si person me rrezikshmëri të lartë.
Shkrimi u publikua sot (24.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)