Korçë, familjarët: Një muzeum
për fotografinë e Kristaq Sotirit

Korçë, familjarët: Një muzeum <br />për fotografinë e Kristaq Sotirit
KORÇE - Kristaq Sotiri, një nga fotografët që ka bërë historinë e fotografisë në Shqipëri është lënë në harresë. Prej 80 vitesh i gjithë koleksioni i tij në mungesë të interesit nga institucionet shtetërore ruhet nga familjarët në ambientet e shtëpisë. Mbesa e Sotirit, Kristina Pecani tregoi për Shqiptarja.com se në arkiv janë rreth 15 000 negativa dhe rreth 600 foto të stampuara. Ato janë në xham, të dimensioneve të ndryshme dhe pjesa më e madhe 18x15, kartolina me përmasa të caktuara, punë 30x40.

Sipas saj pavarësisht kujdesit të treguar për ruajtjen e tyre një pjesë janë dëmtuar. Ambientet e shtëpisë, shprehet Kristina, nuk janë shumë të përshtatshme për ruajtjen e gjithë kësaj pasurie kulturore lënë nga gjyshi i saj, Kristaq Sotiri. Në 80 vjet interesi i institucioneve shtetërore për t’u kujdesur për punën e fotografit korçar Kristaq Sotiri, ka qenë shumë i pakët, për të mos thënë që ka munguar tërësisht. Vite më parë Ministria e Kulturës ka treguar interes për dixhitalizimin e tyre, ndërkohë që Bashkia e Korçës për të krijuar një muze për arkivin e fotografit Sotiri, por deri më tani asgjë nuk është bërë. I vetmi realizim konkret ka qenë ai i dy fotografëve francezë, të cilët i përfshinë fotot e këtij mjeshtri të madh në një album të përgjithshëm.

Arkivi me 15 000 negativa dhe 600 stampime i fotografit korçar Kristaq Sotiri sot ka nevojë të ruhet në një muze të veçantë, çka nuk do të zbehte më tej vlerat. Të shokuar nga zhdukja misterioze e pikturave të piktorit të popullit Vangjush Mio, mikut të Sotirit nga muzeu i Galerisë së Arteve, familjarët shprehen se nëse kjo nuk do të bëhej në kushte profesionale, atëherë arkivi le të qëndrojë si dikur në ambientet e shtëpisë. Mbesa e Sotirit, Kristina shkon edhe më tej kur shprehet se janë të gatshëm që për të mbrojtur pasurinë e lënë nga gjyshi të venë në dispozicion për krijimin e një muzeu edhe një dhomë nga banesa e tyre.

Fotografi Kristaq Sotiri lindi në vitin 1883 në fshatin Mborje. Ai qëndroi atje një vit, më pas familja u vendos në Korçë. Në qytet qëndroi deri në moshën 17-vjeçare për t’u larguar në 1900-ën në SHBA, ku përsosi profesionin pranë fotografit Xhorxh Stekel. Do të kthehej sërish në qytetin e lindjes në vitin 1923, ku dhe do të ushtronte këtë profesion deri në fund të jetës.

Në objektivin e Sotirit për vite me radhë janë fokusuar Vangjush Mio, Tefta Tashko Koço, Spiro Kondo, banorët e qytetit si dhe ajo pjesë e harruar e shoqërisë, romët, lypsat dhe endacakët.

Në nderim të figurës së tij Bashkia e Korçës, në 15 maj 2008, zhvilloi konkursin Ndërkombëtar për fotografët e rijn ”Sotir”, por vitet e fundit edhe ky konkurs, sikurse pohojnë familjarët, nuk është zhvilluar më.

(da.is/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat