KORÇE - Rifillojnë reshjet e dëborës në rajonin e Korçës. Reshjet kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme duke regjistruar një trashësi prej 5 cm në qytet, ndërsa në zonat malore ka arritur deri në 30 cm.

Mësohet se më problematike për qarkullimin paraqitet pika turistike e Dardhës, e cila është e kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa të gjitha akset e tjera janë të kalueshme.

Përgjegjësi i Rrugëve Nacionale në Korçë, Genti Pere bën me dije se nga firmat kontraktore janë marrë të gjitha masat për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve në rrugët nacionale dhe ato rurale.

Pavarësisht se reshjet nuk kanë qenë intensive për drejtuesit e mjeteve këshillohet kujdes në qarkullim në akset Korçë-Pogradec, Korçë-Ersekë dhe Korçë-Qafë-Thanë.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)