KORÇË - Kryeministri Rama u ka bërë një apel për të gjithë sipërmarrësit, kryesisht atyre që merren me ndërtim, që të kthejnë sytë nga fshati për të orientuar kapitalet e tyre drejt këtyre investimeve që sjellin zhvillim rural.
 
Apeli i Ramës drejtuar sipërmarrësve u bë gjatë vizitës së tij në kompaninë  “ProFast” e ngritur në Boboshticë të qarkut të Korçës.
 
Më qëllim rritjen e  cilësinë e produktit kjo kompani përfitoi këtë vit një financim nga AZHBR, duke ndikuar në rritjen e kapacitetit prodhues.  Aktiviteti i shoqërisë tashmë është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe sot janë qindra njësi shërbimi, të cilat furnizohen drejtpërsëdrejti nga kjo kompani.
 
Ndalesa e radhës e Kryeministrit Edi Rama në ditën e dytë të inspektimeve që po kryen në qarkun e Korçës ka qenë fabrika “Fixpro”, e përpunimit të mishit në Bulgarec.
 
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural e ka mbështetur këtë sipërmarrje, dhe përmes subvencionit të përfituar janë shtuar dy makineri të reja dhe ambiente të reja, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues të produkteve të saj.
 
Dita e inspektimeve të shumta sot në qarkun e Korçës është mbyllur me një vizitë në një prej shesheve që po rikualifikohen në qytet, pikërisht në sheshin ku gjendet dhe Kulla e Korçës. Pista e akullit këtë vit do jetë një atraksion më shumë për të gjithë ata që festat e fundvitit kanë zgjedhur t’i kalojnë në këtë qytet.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)