Paqartësi vihen re lidhur me detyrat që kanë ushtruar personalitetet kombëtare, si për shembull, Themistokli Gërmenji, i cili një herë quhet President i Republikës të Korçës (sh. XX, paragrafi i dytë) dhe një herë tjetër prefekt i Republikës autonome të Korçës (burim i të dhënave, pika 6), kur s’ka qenë as President dhe as Prefekt i Republikës, por thjesht Prefekt i policisë, që merrte pjesë në Këshillin qeverisës dhe gjer në një farë kohe ishte edhe bashkëpuntori kryesor i autoritetit ushtarak francez. Pra, fjala e tij ndikonte në veprimtarinë e Këshillit, por të drejtën e vendimmarrjes e kishte Këshilli si organ kolektiv. Thuhet për qytetin e Korçës se, me shpërthimin e Luftës Italo-Greke, Korça ra nën sovranitetin grek.
Kur flasim për sovranitet mbi një vend të caktuar, në krye të herës duhet të përmendim se si e kishte fituar Greqia sovranitetin mbi këtë pjesë të vendit kur edhe tre të mëdhenjtë SHBA, Britania e Madhe, B.S. ishin shprehur ndërkaq lidhur me pavarësinë që Shqipëria duhej të kishte mbas lufte. Flitet për sovranitet grek, ndërkohë kur për gjermanët e italianët përdoret termi pushtues. Gabime nga pakujdesia bëhen gjer dhe për datën e çlirimit të Korçës ku thuhet se gjermanët e mbajtën qytetin të pushtuar deri më 24 tetor 1944 (që është e saktë) dhe fill pas kësaj të përmendet se Korça u çlirua nga partizanët në shtator 1944.
Nuk shënohen emrat e autorëve dhe të zërave të veçantë Nga hartuesit e zërave mbahet qendrim keqdashës ndaj figurave të rëndësishme historike për qarkun e Korçës, duke i poshtëruar ata. Nga ana tjetër vlerësohen (siç do të përmendim më poshtë) të tjerë që i kanë bërë keq vendit dhe shqiptarëve. Të habit fakti që mendimi historik i paraqitur nga faqja përkatëse, nuk përputhet me trajtimin dhe vlerësimin që i bën të njëjtave ngjarje e personalitete historia dhe bota akademike e Shqipërisë. Për njerës të veçantë paraqiten vlerësime të kundërta; ndryshe i vlerëson Shqipëria dhe ndryshe Korça. Duket sikur ndodhemi para dy kulturave, njëra që i çmon dhe tjetra që i poshtëron. Nëpërmjet akuzave të trilluara trajtohet figura e Sali Butkës. Në faqe, zëri “burimet e të dhënave” që s’janë të dhëna, por akuza të paqena thuhet: “…Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo (është fjala për djegjet e mëparshme të Voskopojës V.M.) Voskopoja u plaçkit edhe njëherë nga bandat e Sali Butkës. Djegja apo edhe plaçkitja e Voskopojës nuk kanë qenë vepër e Sali Butkës, por e atyre që kishin zënë vend në Voskopojë dhe nuk lejonin kalimin nga këtu për në Korçë të trupës vullnetare të kryesuar nga Sali Butka.
Ndërkohë, në Korçë ndodheshin andartët grekë kosturllinj, të cilët ishin sheshuar këtu mbas plaçkitjes së një sërë fshatrash shqiptare, më tepër ishin të zënë me shitjen e plaçkës të grabitur sesa të ndihmonin (siç u kishin premtuar) grekët e mbetur në Voskopojë, të cilët së bashku me andartë vendas kishin si qëllim të vetëm pengimin e Sali Butkës për të hyrë në Korçë. Nisur nga një logjikë ushtarake e thjeshtë, Voskopoja si pika më e lartë merr një rëndësi strategjike të dorës së parë aq sa mund të thuhet se Korça pa Voskopojën, në situata të vështira, nuk mund të ekzistojë. Vëmendja e regjmit të kaluar lidhur më rëndësinë ushtarake të Voskopojës ka qenë e një shkalle të lartë.
Në një lojë ushtarake të zhvilluar nga fundi i viteve ’50 mori pjesë edhe njëri prej gjeneralëve më të mëdhenj të Luftës II Botërore, mareshali Zhukov. Në përfundim të kësaj loje – siç kujton një ushtarak i yni -, Mareshali e shprehu vlerësimin për ushtarakët shqiptarë me fjalët: “Ia bëtë qefin plakut”. Mbas 10 vjetëve (1968), afër Voskopojës ushtria shqiptare kreu një nga lojrat më të mëdha të historisë së saj, të ashtuquajturën “Loja e Bodesë”, e cila u shtri në një sipërfa qe të madhe teritori me pjesëmarrjen pothuaj të gjithë teknikës dhe aftësisë njërzore të ushtrisë sonë.
Mirë Sali Butka, megjithë bashkëluftëtarët e tij kanë qenë “banditë” -siç thotë faqia e “Rinisë korçare”-, po Gani Butka që u vra me kolonjarët e tjerë (gjithsej 60 vetë) në Qukës e Pogradec të udhëhequr nga Zalo Prodani, për të parandaluar hordhitë e Haxhi Qamilit e të kushedi sesa armiqve të tjerë të Shqipërisë, ç’mund të thuhet? Për sakrificat e kolonjarëve në ato çaste të vështira për vendin ka shkruar edhe Skënder Luarasi në librin “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar”, ekstrakte të të cilit të dorëzuara nga i biri Petro Luarasi, i boton edhe prof. Arben Puto[1], i cili thotë për Skënder Luarasin se, ai flet jo vetëm si historian, por edhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve si dëshmitar okular.
Ai përshkruan një udhëtim që ka bërë vetë në korrik 1914 nga Kolonja në Korçë, në Pogradec, në Berat e deri në Vlorë ku ndër të tjera thotë: Përpjekja midis forcave patriotike dhe forcave turkoshake nën komandën e Qamil Haxhi Fezës e Mehmet Biçakut qe një fatkeqësi e madhe jo vetëm për Kolonjën, por për gjithë vendin. Përgjatë gjithë frontit kundër grekëve në ato muaj të zjarrtë nuk humbën jetën aq djem trima sa në ato dy ditë në Qukës e në Pogradec. Vetëm nga katundi Starje ranë dëshmorë 17 djem trima shqiptarë. Ismail Qemali e quante Sali Butkën “Luani i Kolonjes”. Ndërkohë që fama e tij si luftetar per mbrojtjen e trojeve shqiptare ishte përhapur në çdo vend ku kishte shqiptarë. Jo më kot Hasan Prishtina e pati kërkuar praninë e tij në Kuvendin e Lunikut. Përgjigja e figurshme në vargje “Po të vij me 50 drerë”, pati qenë tepër ngazëlluese për luftëtarët kosovarë.
Është mjaft i çmuar vëllimi poetik i Sali Butkës “Ndjenja për Atdhenë”, i cili në vetvete përmbledh (siç e ka quajtur edhe autori) faqe historie të përshkruara në mënyrë artistike. Në këtë vëllim, ku përgjithësisht mbizotëron vargu popullor i thjeshtë i rimëzuar, këto vjersha u bënë tekste mjaft të bukura për këngë të veçanta të kënduara nga kolonjarët e më gjerë brez pas brezi, duke mbritur gjer në ditët tona. Kujtojmë këtu këngët: “Kolonjë e bukur Kolonjë”, “Për Gani Butkën” etj. që shfaqin pikëllim, por edhe burrëri për trimat e rrënë në luftë, duke e bërë poezinë mjaft të ndjeshme, me mendim të thellë dhe të veçantë , me shpalosje botkuptimit atdhetar e artistik të autorit. Ligjërimi i tij poetik buron prej ngjarjeve historike të drejtpërdrejta.
“Ndjenja për Atdhenë”[2] shfaqet si një himn i vërtetë për trimërinë e vllazërinë ndër shqiptarët, pavarësisht besimit fetar, krahinarizmit, përkatësisë shoqërore etj., dukuri që kanë dëmtuar rëndë shqiptarët në periudha të vështira të historisë. Titulli i librit, i përshtatet mjaft mirë brendisë së tij. Ato ndjenja u krijuan jo nëpërmjet soditjes pasive, por duke marrë pjesë fizikisht drejtpërdrejt në beteja të ashpra gjatë turbullirave të rrezikshme që kishin mbuluar trojet shqiptare në dy dekadat e para të shekullit të XX. Sali Butka me ndjekësit e tij mund të quhet (për mendimin tim) si njëri prej faktorëve kryesorë ushtarakë që penguan copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë së jugut.
Mirëpo, Sali Butka nuk ka qenë vetëm faktor ushtarak. Duke qenë natyrë e zgjuar ishte mbrujtur te ai edhe një ndërgjegje e lartë politike. Këtë fakt e ve në dukje edhe prof. Arben Puto në veprën e cituar më lart kur thotë: “Trupat austro-hungareze marshuan drejt jugut dhe arritën deri në Vjosë dhe në malet e Korçës. Ata kishin lejuar të krijoheshin edhe njësi vullnetarësh shqiptarë: njëra nën komandën e Ahmet Zogut dhe tjetra që vepronte në drejtim të Korçës, komandohej nga Sali Butka. Këto nuk ishin thjesht njësi vasale në shërbim të komandës Austro-Hungareze, ato kishin në krye dy krerë që tanimë ishin angazhuar në lëvizjen kombëtare.[3] Përpjekjet mbinjerëzore të Sali Butkës për mbrojtjen e trojeve shqiptare janë njohur e shënuar edhe në Enciklopedinë e Shqipërisë. Emrin e Sali Butkës e mbajnë rrugë në Tiranë dhe në Prishtinë, në Korçë jo (?!)
E pabesueshme është që në këtë faqe për trupat vullnetare që luftonin nën Sali Butkën të quhen banda, dhe ai vetë kryebandit. Një përcaktim i tillë poshtërues bëhet për njeriun që dha aq shumë për mbrojten e vendit gjer edhe në flijimin e djemve të tij, Iljaz e Gani Butka. Dëshmori Gani Butka ndër 60 kolonjarë, pjesëmarës në disa beteja, u flijua për Shqipërinë në luftën kundër lëvizjes anti shqiptare të rrebelëve të kryesuar nga H.Qamili. Edhe ato pak metra rrugë në pazarin e Korçës që dikur mbanin emrin e tij sot kanë hequr.
Nga ana tjetër, vlerësimet shkojnë për anti shqiptarë si Pandelejmon Kotoko (ish dhespot i Gjinokastrës), që shënohet në faqe si personalitet i Korçës, kur ky së bashku me Napoleon Zervën kanë qenë ndër frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë të dëbimit të çamëve etnikë shqiptarë nga trojet e tyre stërgjyshore. Pandelejmon Kotoko (mbiemri i të cilit në faqe është ndryshuar në Kotokos) ka qenë mjaft aktiv edhe mbas lufte, kur Greqia synonte arritjen e qëllimit të vjetër të saj, aneksimin e Korçës dhe Gjinokastrës. Pikërisht aso kohe në Shqipëri këndohej kënga: “Zerva e Kotoko duan viset tona, ne u përgjigjemi s’jemi makarona”.
Në faqe thuhet se Voskopoja banohet nga vllehët, shqiptarët dhe grekët. Për këta të fundit është hera e parë që “mbijnë” në Voskopojë . Të gjithë e dimë që në Voskopojë ka pasur dhe ka veçse shqiptarë e vllehë. Të dy komunitetet kanë qenë të pranishme në Voskopojë para dhe mbas të këtij qyteti të hershëm dhe zinës rreth tij. Asnjë prej autorëve që janë marrë me Voskopojën, si S. Adhami, P. Xhufi etj., nuk përmendin elementin grek si ndejtar të Voskopojës. Edhe emrat e familjeve voskopojare të paraqitura në një libër të veçantë prej Ilia Ballaurit, duke u nisur nga trajta e tyre, flasin për të dhëna antroponimike e patronimike thjesht shqiptare, ose vllahe. Kësisoj edhe toponimia rreth e rrotull Voskopojës është e lidhur me trajtat shqiptare te emrave e mbiemrave, si Gjinikas, Gjonomadh, Gjergjevicë etj.
Ndërimi i fesë (apostazia) ndër shqiptarët nuk është e vetmja mënyrë për t’u asimiluar nga fqinjët tanë. Ka ndodhur ndër vllehët, që janë të besimit ortodoks, ndrimi i kombësisë në kohët e sotme (me ndihmën e gjykatave) nga rumune në shqiptare dhe më pas nga shqiptare në greke. Kjo ka ndodhur edhe ndër shqiptarë, pra nuk është aq i rëndësishëm ndrimi i besimit sesa ai i kombësisë. Lidhur me vllehët, S.Frashëri ka thënë: “Nga kombet fqinjë vetëm një kemi mik, i cili kupton të mirën e tij dhe e di që pa ne s’mund të mbahet. Ky komb është komb i vllehëve, që rrojnë në Shqipëri e afër Shqipërisë. Nga këta ca janë vllehë shqiptarë, që flasin vllahisht e shqip dhe ca vllehë grekë, që flasin vllahisht e greqisht. Grekërit kanë bërë dhe po bëjnë për këta vlleh ato që kanë bërë dhe po bëjnë për ne shqiptarët, dmth përpiqen t’i bëjnë grekë me shkollat e kishat e tyre…
Në këtë punë vllehtë s’mund të kenë tjatrë ndihmës e mik të vendit përveç shqipëtarëve. Duke u prishur me grekët, të cilët s’ngjinjen t’i hanë e t’i pjekin ata vlleh, që duan gjuhën e tyre, si edhe shqiptarët, kishin nevojë të bashkohen me shqiptarët, me ata që janë shqiptarë të vërtetë e duan gjuhën e kombësinë e tyre”.[4] Duhet thënë në përgjithësi, se vlerësimet ndaj personave të caktuar të renditur sipas meritave të tyre janë të drejta, por në fushën e sportit që ka interes të madh për publikun vihen re edhe mangësi të shumta. E kam fjalën për futbollin dhe futbollistët e “Skëndërbeut” që janë përmendur. Vërtet janë personalitete të shquara të ditëve të sotme, por ata janë ende duke dhënë ndihmesën e tyre.
Duke mospermendur pararendësit, krijohet përshtypja sikur këta kanë dalë nga hiçi. Shënohet Kristi Vangjeli etj., futbollistë që i kanë falur dhe i falin publikut kënaqësi të veçanta, por nuk përmenden sportistë që i kanë dhënë shumë futbollit korçarë e kombëtarë, për shembull, dy portierët e famshëm Koço Dinella dhe Jani Kaçi apo edhe të tjerë që kanë qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Nuk bëhet lidhja ndërmjet veteranëve të këtij sporti, që fillon zyrtarisht të paktën nga viti 1933, deri te më të rinjtë . Vërtet përmenden emrat e dy sportistëve të atyre viteve, por kur “Skënderbeu” u shpall kampion duhej të përmendeshin të gjithë pjesëtarët e ekipit fitues. Gjithashtu, nuk shënohet asnje personalitet nga fushat e tjera të sportit, si në basketboll për meshkuj ku janë shquar Ilia Teneqexhi dhe Ferdinand Qirici, anëtarë të ekipit kombëtar etj. Nga volejbolli i femrave dhe meshkujve përmendet vetëm një emër. Kësisoj mungtojnë edhe trainerë të shquar të këtyre ekipeve si Tomi (Kristostom) Fiku dhe Pandi Gëllçi. Nga mundja dhe boksi asnjë.
Emri i Rafail Dishnicës si personalitet i shquar kombëtar i boksit është shënuar qysh në vitin 1938, ndoshta dhe më parë. Janë shënuar kësisoj në ato vite në një botim të rrallë me rastin e 10 vjetorit të Mbretërisë shqiptare edhe emrat e atletëve të shquar Gaqo Gogo dhe Kristo Isak (ky më vonë dëshmor i Atdheut me emrin e të cilit organizohej dhënia e një kupe për çdo vit, që sot nuk bëhet më) Gjimnastë me emër mjeshtra sporti si Bujar Bujari, Adriatik dhe Valter Meta e shumë e shumë të tjerë nuk kujtohen, kur për çdo sport duhej qëmtuar ndër vite me kujdes për të vënë në dukje ndihmesën e tyre të lartë në këto sporte të vështira. E kam të pamundur të përmend tërë ata sportistë nga të gjitha fushat, që i kanë bërë nder jo vetëm qytetit të Korçës, por gjithë shqiptarëve.
Ndërsa personalitete të kulturës dhe artit në faqen e Internetit përmenden vetëm dy: Dhimitër Orgocka dhe LLazi Serbo. Numer i papërfillshëm dhe vetëm në teatër e kinematografi, kur para tyre kanë qenë regjizorë të famshëm si Sokrat Mio, Pandi Stillu e Piro Mani, pa shtuar edhe martistë të shumtë të teatrit e kinemasë dalë prej qytetit të Korçës, të një niveli shumë të lartë artistik. Në artin pamor vetëm Vangjush Mio, por nga “Miot” nuk ka qenë më pak i shquar edhe vëllai i tyre Anastas Mio, që ndryshe njihej me pseudonimin “Pika”, i cili ka qenë shpesh kontrovers me pikpamjet zyrtare, sidomos në fushën e gjuhësisë, por edhe mospajtues me politikat e kohës, duke e shprehur mendimin e tij me guxim.
Mungojnë emrat e Tefta Tashkos dhe Jorgjia Trujës (Filçe). Asnje personalitet nga sazet e Korçes, formacion muzikor i rrallë që në gjirin e tij ka pasur e ka muzikantë popullorë virtuozë. Këngëtarja e famshme Qerimeja, nuk permendet si personalitet i Korçës. S’ flitet fare as për artistët e korit “Lira”, i jashtëzakonshëm për interpretimin ngjethës të këngëve patriotike dhe lirike. Nuk vihen në dukje dirigjentët e këtij kori, artistë e punëtorë të palodhur, që nga Kostaq Osmanlliu, Jorgaq Nano dhe gjer tek Pandi Bello. Heshtja u rezervohet edhe mjeshtrave të muzikës, si Pavllo Sholla, Josif Minga e Niko Ilo.
Nga letërsia, gjithashtu, nuk përmendet asnjë, as poetë apo shkrimtarë të gjinive të ndryshme; nuk përfshihen në ajkën e artit korçar dhe kombëtar poetë si Kristaq Cepa, Koçi Petriti, Skënder Rusi etj, asnjë shkrimtar si Sterjo Spase, Fatmir Gjata, Sotir Andoni, Arsinoi Bino, Teodor Laço, Nasi Lera, Pëllumb Kulla e kushedi sa e sa të tjerë.Veç Misto Treskës si përkthyes i shquar, nuk kujtohet asnjë tjetër, kur ka pasur edhe të tjerë përkthyes të zotë si Andon Frashëri, Dhimitër Fallo, Skënder Arëza, Vangjush Ziko, Klio Evangjeli, Elvira Kola (Zavalani) etj. Nuk kujtohet, gjithashtu, Gaqo Emanuel, drejtor i “BOTA E RE”, revistë që u bë pararoja e mendimit artistik e shoqëror shqiptar në vitet ’30, as historianë të nivelit kombëtar, që Korça i ka pasur jo të paktë, si Petraq Pepo, Selami Pulaha, Ligor Mile, Petrika Thëngjilli, Beqir Meta, Valentina e Ferit Duka etj. apo edhe personalitete si Nikollaq Zoi e Petro Harizi, veprat e të cilëve duhej të ishin mbështetja kryesore si dëshmi historike të dorës së parë.
Hartuesit e zërave janë anonimë, për pasojë të paidentifikueshëm. Në fusha të tilla si mjekësia, inxhinieria e të gjitha profileve, arkitektura, agronoMIA, veterineria, personalitetete që kanë pasur merita të jashtëzakonshme në zhvillimin e vendit për dekada me rradhë, asnjë nuk kujtohet. Nuk shihet asnjë emër arsimtari (burri apo gruaje), “Mësues të popullit” dhe të dekoruar të tjerë, të cilët nuk e gjejnë vendin e tyre të merituar në këtë faqe. Por nuk mund të lihen në heshtje varri, ndër shumë të tjerë, edhe mësuese si Dhora Shallo (Qeleshi), kur vetëm 17 vjeç ka dhënë mësim në fshatrat e Maqedonisë dhe nxënësit e saj të dikurshëm si prof. Ali Aliu e kujtojnë edhe sot me admirim e mall të veçantë. Pa folur këtu për sa djem e vajza nga Korça që shërbyen në zonat më të thella të këtij rrethi dhe të gjithë vendit si arsimtarë të thjeshtë dhe deri shefa katedrash të rëndësishme universitare si në ato të matematikës, fizikës, kimisë etj..
Disa personalitete, edhe kur janë shpallur me të drejtë si të tillë, motivacioni nuk është ai i duhuri. Ka raste, për shembull, ai për Zai Fundon, si cilësi e personalitetit të të cilit përmendet në faqe vetëm qenia anëtar i partisë komuniste gjatë Luftës II Botërore, kur gjatë kësaj Lufte Zai ka qenë në Shqipëri jo si anëtar i partisë komuniste, por si këshilltar politik i një misioni anglez. Veç kësaj, na duket i gabuar motivi që vetëm anëtarsia në një parti të bën personalitet të shquar. Po të ishte kështu, atëherë nga anëtarët fillestarë të PKSH i bie që të kemi 200 personalitete në gjithë vendin, dhee më pas kur PPSH numeronte mbi 100 000 anëtarë të kishte po aq të tillë. Zai Fundo nuk ka qenë asnjëherë anëtar i PKSH Ai kishte vlera të tjera.
Vërtet përqafoi idetë komuniste që kanë qenë “modë” mjaft e gjallë në vitet’20-30 të shekullit që kaloi, sidomos në ato vende të Europës perëndimore si psh në Francë ku ai studionte e ku komunistët përbënin një forcë të konsiderueshme të organizuar nën “Frontin Popullor”. Më vonë, në rastin e Luftës të Spanjës (1936-1939), duke aritur kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet rezistencës të ashpër ndaj fashizmit e nazizmit. Gjatë viteve 1920 Llazar Fundo ishte një nga anëtarët më aktivë të shoqërisë “Bashkimi”, që përmblidhte të rrinjtë me ide përparimtare, të cilët synonin ndrimin e faqes politike e shoqërore të Shqipërisë Më vonë, bashkë me ‘të edhe me tjerë, si Sejfulla Malishova (Lame Kodra), Tajar e Hysen Zavalani, që shkuan në B.S. nga u kthyen tepër të zhgënjyer. Ndër ta, Llazar Fundo askund nuk del që të ketë mbajtur lidhje me të ashtuquajturit grupe komuniste. Ai nuk ka qenë as anëtar i PKSh dhe as anëtar themelues i Partisë Komuniste Shqiptare siç kanë thënë edhe biografë të huaj.[5] Zai, jo shumë mbas pushtimit të vendit u internua në Itali.
Për PKSH duhet thënë se ka qenë në ilegalitet të thellë si gjatë luftës, ashtu edhe mbas saj, kur kjo Parti maskohej pas organizatës së Frontit, gjer në përfundim të Kongresit të Parë të PKSH në vitin 1948 ku mori edhe emrin PPSH. Zai Fundo mund të jetë këshilluar dhe drejtuar nga përfaqësues të Kominternit në të mirë të ndonjë grupimi të caktuar komunist (me shumë mundësi grup i huajV.M) , por nuk ka qenë anëtar i Kominternit (siç pohohet, për shembull, nga Vedat Kokona) për të vetmen arësye, se në Komintern anëtarsoheshin partitë apo organizata komuniste të përfaqësuara nga individë, por jo vetë individët. Gjithsesi, ky pohim (siç do të shohim më poshtë) nuk e ul aspak vlerën e portretit mjaft të bukur, në mos më të bukurin të njohur gjer më sot, që ka përshkruar Vedat Kokona për Zai Fundon.
Për komunistët shqiptarë, ndër ta edhe korçarë, nuk mund të thuhet shumë. Aq e panjohur dhe e parëndësishme ka qenë ideologjia komuniste në Shqipëri në ato vite, sa edhe mbas krijimit të PKSH apo dhe mbas mbarimit të Luftës II Botërore, askund nuk përmenden lidhjet e saj me Kominternin dhe partitë simotra të huaja. Në një botim të bërë në vitin 1965 prej USHT (Fakulteti Histori – Filologji) me titull “Krestomacia e Historisë së Kohës së Sotme” për vitet 1917-1939 dhe 1939-1945, “Materiale dhe Dokumenta”, botim akademik sovjetik i vitit 1960, përkthyer nga Thanas Leci, nuk përmendet ndonjë lëvizje komuniste apo emër komunisti në Shqipëri.
Ndërkohë kur në atë botim janë publikuar materiale dhe përmenden veprimtaritë revolucionare apo kombëtare në vende si: Rusia në 1917; Finlanda në gusht 1918, Austria dhe Gjermania në nëntor 1918, mbas të cilëve u ndryshuan format e shteteve përkatëse, Hungaria dhe kryengritja në Kore, pushteti sovietik në Bavari; në janar 1920 revolucioni nacional-borgjez në Turqi; pushtimi i fabrikave prej punëtorëve italianë në shtator 1920; kryengritja e punëtorëve në Gjermani, kryengritja në Bullgari, kryengritja në Estoni, në Marok dhe në Siri; greva e përgjithshme në Angli më 1927; kryengritja e punëtorëve në Vjenë, në Indonezi dhe në Indi gjer te Revolucioni i Madh Kinez etj. Më vonë, Llazar Fundon e shohim në Korçë në krye të demonstruesve që kundërshtonin pushtimin fashist të vendit.
Ishte ndër oratorët kryesorë që folën në ballkonin e bashkisë të qytetit më 7 prill 1939. Elokuenca e fjalës së tij e mbushur me dashurinë ndaj Atdheut dhe urrejtjen ndaj pushtuesve la përshtypje të madhe në popull. Mbas pushtimit të Korçës prej fashistëve italianë, ai u arrestua dhe së bashku me Safet Butkën e shqiptarë të tjerë u internuan në kampin e Ventotenes, Itali. Kultura e gjerë, lidhjet e njohjet e shumta me bashkëvuejtësit (sidomos ata italianë), ndër të cilët disa u bënë udhëheqësit e Italisë të pas luftës (për shembull, Sandro Pertini, ish President i Republikës të Italisë), mund ta bënin Llazar Fundon mjaft të dobishëm për interesat e vendit nëse marrëdhëniet me Perëndimin do të ishin normale. Llazar Fundo u vra nga partizanët shqiptarë në Kolesian (komuna Lumë, prefektura Kosovë) me qendër në Kukës. Vrasja e Zait nuk mund të shfajësohet prej asnjë ligji të se drejtës të brendëshme dhe asaj ndërkombëtare. I atashuar pranë një misioni anglez si këshilltar u braktis prej tyre mbas urdhërit të dhënë prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtërisë Nac.- Çl. sipas të cilit çdo mision i huaj duhej t’i bashkëngjitej këtij shtabi.
Për mendimin tim Llazar Fundo ka qenë një personalitet i rrallë social demokrat, tipik europian, i ngjashëm me ata që u vetëquajtën “euro komunistë”, dhe më vonë nga E.Hoxha si “antikomunistë”. Ja si e përshkruan Vedat Kokona Llazar (Zai Fundon): “Një ditë njoha dhe Llazar Fundon, ish anëtarin e Kominternit, që ishte larguar i zhgënjyer nga Bashkimi Sovietik. Zai,-siç e quanin shkurt, - ishte një flokëverdhë, i gjatë, me një fytyrë, që i shëmbëllente një nordiku dhe që ishte krejt ndryshe nga shqiptarët e kafesë, jo vetëm nga pamja e hijshme, po dhe nga sjellja e kultura e gjerë që kishte. Më pëlqente shumë të rrija me të, se përfitoja. Ashtu si me Spiron[6] (Spiro Çipi, vëllai i prof. Nikolla Çipit [7]për të cilin Vedat Kokona thotë se ka qenë nga familjet e para të Korçës dhe e çmon si prototipin e mësuesit të gjuhës frënge, u diplomua për mjekësi në Francë. Ka ushtruar në kushte të vështira për shumë vjet si para ashtu dhe mbas lufte detyrën e ekspertit mjeko-ligjor, aq sa mund të quhet si njëri prej pionerëve të kësaj fushe.
Ka dhënë ndihmesë të madhe për drejtësinë kriminale me anën e ekspertizave të një niveli të lartë shkencor. Ka qenë lektor i lëndës të mjekësisë ligjore në Fakultetin e Drejtësisë dhe në shkolla të tjera të larta. Njeri shumë i ditur, nga ata që populli i quan : ” fjalë pak e punë shumë ” . Shënimet - V.M) edhe me Zain flisnim për shumë gjëra, sidomos për artet. Kishte njohuri të gjera në të gjitha fushat e diturisë dhe ajo që më ngazëllente më shumë shqipen e fliste dhe e shkruante shumë bukur. Shkuam bashkë disa herë në muzeun e Luvrit për të admiruar thesarët për të cilët kishim lexuar aq shumë. Pastaj e takova në Korçë pas pushtimit të Italisë. (Me mundësi, vera e vitit 1939 - V.M.) I shkova në shtëpi; më tregoi përkthimin që kishte filluar: “Udhëtimet e Guliverit”.
Më tregoi edhe punën që bënte duke qëmtuar veprën “Histori e Skëndërbeut” të Naimit, ku kishte bërë shënime në çdo faqe. Kam dalë nja dy herë shëtitje kodrinave të Korçës. Rrallë kam takuar shqiptar me kulturë dhe sidomos njeri si ai. Ishte nga ata për të cilët Terenci ka thënë: “Jam njeri: asgjë që është njerzore s’më është e huaj. Bisha komuniste e hëngri si shumë të tjerë, siç kam dëgjuar andej nga Kosova. U këput edhe një lule për t’u lënë vendin ferrave dhe gjembaçëve që mbuluan pastaj vendin…” Vlerësim tjetër mjaft mbresëlënës lidhur me personalitetin e Zait ka bërë edhe Xhovani Falçeta ku në biografinë e përgatitur prej tij e cilëson Llazar Fundon antifashist, antistalinist, mik i Sandro Pertinit, një shqiptar pararendës i Bashkimit Europian.[8]
Nëse do të çmonim dikë si personalitet komunist, për mendimin tim këtë do të duhej ta bënim për Teni Konomin, Koço Tashkon dhe Ali Kelmendin. Teni Konomi u vra gjatë një bombardimi ajror pa shkelur në tokën spanjolle ku ishte nisur për të luftuar përballë ushtrisë frankiste.
Koço Tashko (që kishte mbaruar dhe Harvardin) ishte ndër anëtarët themelues të PKSH dhe rekomandues i Enver Hoxhës për të qenë edhe ky i pranishëm në mbledhje. Koço Tashko mbas lufte u burgos si kundërshtar politik. Për Ali Kelmendin me origjinë nga Peja e Kosovës ishte vendosur internimi nga rregjimi i kohës. Kërkesa e tij për të qenë në Korçë (mbase për shkak të klimës, sepse A.Kelmendi vuante nga tuberkulozi - V.M.) u pranua. Gjatë qëndrimit në Korçë, A. Kelmendi ka lënë përshtypje shumë të mira. Është ndihmuar nga populli për gjithë mungesat e tij, sidomos nga familja atdhetare e Hamit Baçes prej fshatit Mborje. Ai vdiq në vitin 1939 në Francë ku kish shkuar për kurim. Pra, edhe ky nuk ka pasur lidhje me PKSH që u krijua gjatë Luftës. Eshtrat e tij janë sjellë në Korçë prej një delegacioni të dërguar nga shteti enkas për këtë qëllim.
Një pjesëtar i delegacionit, Gaqo Tabaku është shprehur gjatë një bisede se, arkivoli u suall nëpërmjet terrtorit të Jugosllavisë gjatë dimrit të ashpër të viteve 1945-1946. Për nder të Ali Kelmendit, Hero i Popullit, u krijua dhe një bust shumë i bukur prej skulptores Kristina Hoshi, i cili mbas viteve ’90 u hoq, duke e hedhur në qilaret e Pallatit të Kulturës, që dikur mbante emrin e tij. Bazamenti mbi të cilin ishte vendosur busti i A.Kelmendit shkoi në Drenovë ku sot mban mbi supe bustin e një shqiptari tjetër të madh, Asdrenit, të cilit ia shkatëruan portretin me armë gjatë vitit 1997. Rivlerësimi i A.Kelmendit si personalitet i shquar duhet bërë edhe për një arsye të veçantë. Në Korçë ai ka ardhur si i internuar politik. Në marrëdhënie më qytetarët ai ka gëzuar statusin e mikut (të jabanxhiut) kështu që e meriton respektin e rivlerësimin që duhet t’i bëhet nga autoritetet përkatëse.
________________________________________
[1] A.Puto: “Shqipëria Politike” , vitet 1912 – 1939, botimet TOENA 2009, shënimi 2 i faqes 164.
[2] Botim i TIRANATIMES R&Z viti 2016 sipas botimit fillestar të Librarisë Korça, Koti&Xoxe, viti 1920.
[3] A.Puto”Shqipëria Politike”. Vitet 1912-1939, botimet TOENA 2009, faqe 179.
[4] Sami Frashëri : “Shqipëria ç’ka qenë…” , faqe 61, botim i “Rilindja” Prishtinë, viti 1978.
[6] Vedat Kokona Kujtime endur në tisin e Kohës, botimet KOKONA, faqe 84.
7 Po aty faqe 35-36.
[8] Gazeta shqiptare dt. 25.9.2014, faqe 18.