6 fëmijë në qytetin e Korçës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një kopsht publik. Sipas burimeve mësohet se fëmijët, të cilit i përkasin grupit të dytë, janë paraqitur me simptoma gastroenterite në spital në të njëjtën ditë. Simptomat kanë qenë të lehta, bark e të vjella dhe vogëlushët kanë dalë nga spitali mëngjesin e së shtunës.

Fëmijët e konsumojnë drekën në kopsht dhe të gjashtë, ditën e premte në drekë kanë ngrënë pilaf. Rastet qenë të njëpasnjëshme dhe janë dërguar në spital pak pas dreke, çka ka nxitur dyshimet e familjarëve për helmim.

Ngjarja nuk është sinjalizuar nga një mjeke e pavijonit të pediatrisë, e cila është vënë nën hetim nga policia për shpërdorim detyre. E njëjta pasojë edhe për drejtoreshën e kopshtit që nuk ka kryer verifikimin dhe kontrollin e ushqimit që kanë ngrënë të vegjlit.

Nuk është ende e konfirmuar zyrtarisht nëse kemi të bëjmë me helmim apo me virozë, për shkak të simptomave që përkojnë me të dyja rastet. Për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, të vegjëlve u është marrë gjak për të kryer analizat.

Edhe fëmijët e tjerë kanë konsumuar të njëjtin ushqim, por nuk dihet për raste të tjera.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:03
Helmimi i 6 fëmijëve në kopshtin publik në Korçë, nën hetim për shpërdorim detyre drejtoresha e institucionit dhe një mjeke

1791050622_kopshti.png

Policia ka vënë nën hetim për shpërdorim detyre një mjeke dhe drejtoreshën e kopshtit publik në Korçë ku ndodhi helmimi i 6 fëmijëve.

Mjekja, 57 vjeçe, nuk ka njoftuar policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të njëjta që vinin nga kopshti. Drejtoresha, 60 vjeçe, është vënë nën hetim për moskontrollimin e ushqimit që të vegjlit kanë konsumuar.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:

E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;

M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.

Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.

Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë