Tre ditë pas rastit kur gjashtë fëmijë të kopshtit publik nr. 17 në Korçë u paraqitën në spital me simptoma gastrointestinale, kjo e hënë i ka gjetur prindërit duke i çuar sërish fëmijët në institucion, por mes frikës dhe pasigurisë. Edhe pse të shqetësuar, ata kanë zgjedhur të mos i mbajnë në shtëpi, ndërsa kërkojnë më shumë transparencë dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Mëngjesin e kësaj të hëne prindërit janë pritur te dera e kopshtit nga stafi, në vend që të zhvillohej një takim brenda institucionit për t'u dhënë shpjegime për situatën dhe për t'iu përgjigjur shqetësimeve të tyre.
“Jemi shumë të shqetësuar. Fëmija erdhi dhe ankohej se i dhemb barku Kishte temperaturë. Ne i sjellim fëmijët për tu siguruar jo të sëmuren. Nuk shkuam në spital se nuk kishte të vjella. Po i sjellim me merak të madh. Kopështi të marrë masa, të ketë kontrolle për ushqimin e pastërtinë” tha një gjyshe që çoi mbesën në kopësht.
“Duhet të marrë kopeshti masa. Kemi merak për fëmijët. Kam merak çfarë ushqimi do hajë fëmija” tha një grua.
“Fëmija im ka pasur të vjella që nisën të premten pasi e kisha marrë nga kopështi ku kishte konsumuar ushqim. Nuk qëndruam në spital sepse më pas u qetësua” tha një prind tjetër.
Sipas prindërve, gjatë komunikimit te dera u është thënë se bëhet fjalë për një virozë. Ky qëndrim bie ndesh me informacionin paraprak të bërë publik, pasi mjekët kishin ngritur dyshime se simptomat mund të lidhen me ushqimin e konsumuar në kopsht. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo për një shkak tjetër.
Ngjarja ndodhi më 3 tetor, kur gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me simptoma gastrointestinale, pak orë pasi kishin konsumuar pilaf në kopsht. Për rastin janë vënë nën hetim drejtoresha e kopshtit dhe një mjeke e Spitalit Rajonal të Korçës për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Ndërkohë, analizat laboratorike pritet të përcaktojnë shkakun e simptomave.
Deri në zbardhjen e plotë të situatës, prindërit thonë se do t'i çojnë fëmijët në kopsht me ankth, ndërsa kërkojnë që institucioni të japë informacion të plotë dhe të garantojë sigurinë e fëmijëve.










Komente
Komento