Korçë- Policia e Korçës arrestoi në flagrancë një 33- vjeçar, banues në fshatin Selcë e Poshtme, Pogradec, pasi mjeti që ai drejtonte është përplasur me një mjet tjetër.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor “Qafë Plloçë–Qukës”, në afërsi të fshatit Vërri, ku automjeti tip “Benz” që drejtohej nga 33-vjeçari D. Xh. është përplasur me një automjet tjetër, me drejtues A. K., 25 vjeç, banues në Korçë.

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar dy pasagjere, banuese në Korçë. Ato po marrin mjekim në spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin D. Xh., 33 vjeç, banues në fshatin Selcë e Poshtme, Pogradec.

Në aksin rrugor “Qafë Plloçë–Qukës”, ditën e djeshme, në afërsi të fshatit Vërri, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një automjet tjetër, me drejtues shtetasin A. K., 25 vjeç, banues në Korçë.

Si pasojë, janë dëmtuar shtetaset I. S., 45 vjeçe dhe E. M., 24 vjeçe, banuese në Korçë, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin A. K., të cilat po marrin mjekim në spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi hetimi  për K. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi sot, në afërsi të fshatit Rëmbec, Maliq, duke drejtuar automjetin tip “Skoda”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë, janë dëmtuar pasagjerët shtetasi V. D., 36 vjeç, dhe një 11-vjeçar, banues në Tiranë, të cilët u dërguan për mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.