KORCE-Festivali i 3-të i Miqësisë Greko-Shqiptare vjen si dëshmi e lidhjeve të hershme mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku arti shërben si një gjuhë universale komunikimi. Koordinatori artistik, Aleks Suljoti, e cilësoi Korçën si një qytet që historikisht ka mirëpritur kultura të ndryshme dhe mbetet një pikë referimi për bashkëjetesën kulturore në rajon.
Në skenë u interpretuan pjesë nga repertori koral shqiptar dhe grek, këngë tradicionale dhe melodi të njohura të muzikës popullore të të dy vendeve. Koret pjesëmarrëse sollën një program të larmishëm me motive folklorike dhe pjesë të muzikës së kultivuar, duke krijuar një urë artistike mes dy vendeve. Mësuesja e muzikës, Tita Terzi, u ngjit në skenë së bashku me korin e saj, ku prezantoi dy këngë të përzgjedhura për këtë festival.
Pjesëmarrësit shqiptarë vlerësuan nivelin artistik të aktivitetit dhe rëndësinë e tij në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve. Anëtari i korit “Lira”, Thoma Çollaku, u shpreh se repertori i përbashkët dhe pjesëmarrja e gjerë e publikut dëshmojnë interesin për iniciativa të tilla.
Edhe të rinjtë u bënë pjesë aktive e festivalit, duke sjellë energji dhe entuziazëm në skenë. Nxënësit pjesëmarrës e konsideruan këtë eksperiencë si një mundësi për të shfaqur talentin, por edhe për të njohur më nga afër kulturën dhe gjuhën greke.
Festivali i 3-të i Miqësisë Greko-Shqiptare konfirmoi edhe një herë rolin e artit si urë lidhëse mes popujve, duke promovuar dialogun kulturor dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.
Komente








