KORCE - Kryetari i bashkisë Korçë, Niko Peleshi akuzon qeverinë shqiptare për një ndarje selektive të buxhetit për njësitë vendore, duke u mbështetur sipas tij tek ngjyra politike. Këto akuza kryebashkiaku i bëri gjatë një takimi me të zgjedhurit vendorë të rajonit juglindor në prag të miratimit të buxhetit për vitin 2013 për qeverinë dhe njësitë vendore.

Sipas Niko Peleshit, drejtuesit vendorë duhet ta ngrenë zërin për një ndarje jo më selektive të parave të të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që duhet të jenë më aktiv në hartimin dhe miratimin e buxhetit përfundimtar të qeverisë.

“Është e vërtetë e hidhur në fakt, që në këto vite të qeverisjes, nga njëra grantet, transferta e pakushtëzuar nuk u rrit, nuk u disafishua siç u premtua dhe nga ana tjetër ka vazhduar një ndarje selektive e transfertës së kushtëzuar, pra e granteve të ashtuquajtura konkurruese, por që nuk janë aspak konkurruese. Pra deri më sot financat vendore janë duke përjetuar goditje të njëpasnjëshme. Ne mendojmë që sa më i madh të jetë presioni pozitiv nga poshtë nëpërmjet komuniteteve dhe këshilltarëve lokalë aq më tepër do të nxisim, nuk e di se me sa sukses, qeverinë që të jetë më e përgjegjshme dhe më pak selektive në ndarjen e parave të të gjithë shqiptarëve në fund të fundit”, - u shpreh kryebashkiaku i Korçws.

Ndërkohë duke ju referuar buxhetit të bashkisë që ai drejton, Niko Peleshi deklaroi se pavarësisht shkurtimeve të njëpasnjëshme në buxhet nga qeveria, bashkia Korçë ka realizuar projektet e saj me mbështetjen e partnerëve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)